Bota

A do të jetë e përhershme ndarja e Rusisë me Perëndimin?

Nga Michael Kimmage & Maria Lipman

“Foreign Affairs”

Lufta aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës nisi që në vitin 2014. Ajo filloi me një përplasje verbale midis Moskës dh Kievit për orientimin e Ukrainës, e cila është kaq shumë e rëndësishme për Rusinë saqë ajo rrezikoi marrëdhëniet e saj me Perëndimin duke aneksuar Krimenë dhe pushtuar një pjesë të Ukrainës Lindore.

Vitin e kaluar Rusia e zgjeroi luftën. Tani Kremlini e paraqet veten si në luftë me “Perëndimin”, ndërsa dhe në mbështetje të Ukrainës, Perëndimi synon ta izolojë Rusinë sa më shumë që të mundet. Edhe pse nuk është faktori i vetëm që ka nxitur ndarjen dramatike të Rusisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, lufta e ka përkeqësuar shumë këtë shkëputje.

Për sa kohë që vazhdon lufta, duket se nuk ka asnjë mënyrë për ta zhbërë këtë ndarje të thellë. Për më tepër zelli i Putinit në shkëputjen e Rusisë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara është kryesisht jashtë kontrollit të Perëndimit. Ndarja e qartë nga Perëndimi është shndërruar në një sinonim të regjimit të tij, ajo është pjesë e thelbit të tij politik dhe ideologjik.

Dhe forcat që nxisin këtë shkëputje do të jenë jashtëzakonisht të vështira që të ndryshohen nga çdo pasardhës i Putinit, gjithnjë duke supozuar se në pushtet mund të ngjitet një udhëheqës që nuk është haptazi anti-perëndimor. Në këto kushte konflikti midis Rusisë dhe Perëndimit mund të jetë për dekada aspekti më i dukshëm i rendit ndërkombëtar.

Pavarësisht gjendjes aktuale, Rusia moderne u ndërtua fillimisht përmes dialogut dhe kontakteve të ngushta me Evropën. Duke filluar nga shekulli XVII nën Pjetrin e Madh dhe duke vazhduar nën Katerinën e Madhe në shekullin XVIII, Rusia u përpoq të bëhej gjithnjë e më evropiane.

Falë përpjekjeve të tyre, Rusia iu bashkua sistemit shtetëror evropian. Në vitin 1812, ajo mposhti Napoleonin, dhe më pas u bashkua me Prusinë dhe Austrinë për të garantuar stabilitetin e kontinentit. Gjatë shekullit XIX, Rusia u bë një nga kombet e domosdoshme të Evropës, një element kryesor i ekuilibrit të fuqisë pas Kongresit të Vjenës, dhe një pjesë organike e diplomacisë evropiane të para Luftës së Parë Botërore.

Po në shekullin XIX, Rusia dha një kontribut të rëndësishëm nga brenda kulturës evropiane, veçanërisht me letërsinë, muzikën dhe baletin e saj. Madhështore ishin arritjet e Anton Chekhov, Leo Tolstoy, Fyodor Dostoevsky, Ivan Turgenev, Pyotr Tchaikovsky dhe shumë të tjerëve.

Ky lulëzim i kulturës ruse u stimulua nga kontakti me idetë dhe veprat e artit evropian. Dhe monarkia ruse ishte e lidhur në mënyrë dinastike me disa nga homologët e saj evropiano-perëndimorë. Nikolla II, Cari i Rusisë në fillim të Luftës së Parë Botërore, ishte kushëri i parë i Kajzerit Wilhelm të Gjermanisë dhe Mbretit George V të Mbretërisë së Bashkuar.

Evropa aristokratike, e integruar dhe mendje-hapur që sunduan këta udhëheqës, do të përmbysej plotësisht nga Lufta e Parë Botërore dhe trazirat që pasuan atë. Ndërkohë në shekullin XX, Bashkimi Sovjetik ishte paradoksalisht evropian. Edhe pse një anatemë për qeveritë e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të pasluftës, ideologjia sunduese e sovjetikëve – komunizmi – ishte një krijim perëndimor.

Të frymëzuar nga Karl Marx, bolshevikët ëndërronin të realizonin një revolucion komunist botëror, dhe kishin pritshmëri të veçanta për Gjermaninë, atdheun e Marx-it dhe për proletariatin e saj. Udhëheqësit sovjetikë e matën modernizimin e Bashkimit Sovjetik me kriteret perëndimore.

Metodat amerikane të prodhimit industrial masiv, lanë gjurmën e tyre në imagjinatën sovjetike, dhe bolshevikët kishin një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj kulturës së lartë evropiane, përfshirë arkitekturën neoklasike, kanunin evropian të letërsisë dhe filozofisë, dhe elementët e modernizmit evropian dhe amerikan.

Në vitet 1920, Bashkimi Sovjetik ishte në ballë të avangardës evropiane në artet pamore, filmin dhe teatrin. Kur Josif Stalin konsolidoi pushtetin e tij rreth vitit 1928, ai hoqi dorë nga ëndrra e një revolucioni proletar mbarëbotëror, duke iu nënshtruar “socializmit në një vend”, por ai vazhdoi të mbështetej tek inxhinierët perëndimorë dhe teknologjia perëndimore.

Stalini ishte dyshues nga natyra për Evropë, dhe mund të ketë preferuar një “kështjellë të Bashkimit Sovjetik”. Megjithatë, gjeopolitika – në formën e projekteve të Gjermanisë naziste në territorin sovjetik – e lidhi atë me Evropën. Deri në vitin 1945, një Bashkimi Sovjetik fitimtar pati një marrëveshje me aleatët. Ajo i mbajti vendet e Evropës Lindore të izoluara nga pjesa tjetër e kontinentit, ndërsa e nguliti Bashkimin Sovjetik në politikën evropiane.

Pas vdekjes së Stalinit, lideri sovjetik Nikita Khrushchev iu kthye idesë së internacionalizmit sovjetik, një element i së cilës ishte hapja e pjesshme e Bashkimit Sovjetik ndaj Evropës në vitet 1950.

Akti Final i Helsinkit i vitit 1975 afirmoi kufijtë ekzistues të Evropës, duke lënë të pakontestueshëm kontrollin sovjetik të vendeve të Traktatit të Varshavës. Me të, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore pranuan dhe kodifikuan statusin e Bashkimit Sovjetik si fuqi evropiane.

Nga viti 1991 dhe deri të paktën në fillim të viteve 2010, Rusia u perëndimorizua me shpejtësi. Ekonomia ruse u ndërlidh thellë me tregjet evropiane dhe kultura e saj popullore u hap ndaj ndikimit perëndimor nga kuzhina, moda, argëtimi.

Interneti e bëri Perëndimin lehtësisht të aksesueshëm për rusët, përfshirë ata që nuk kishin mjete për të udhëtuar në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara. Vetë Putin deklaroi në vitin 2000 se nuk mund ta imagjinonte vendin e tij “të izoluar nga Evropa”.

Edhe pse politika e jashtme e Rusisë u bë më agresive ndaj Perëndimit pas vitit 2014, ky tranzicion pati një efekt të kufizuar në shoqërinë ruse, e cila mbeti përgjithësisht e hapur ndaj Perëndimit. Madje deri në vitin 2021, pati lidhje të panumërta akademike dhe të biznesi. Turistët udhëtonin nga Evropa në Rusi dhe nga Rusia në Evropë. Mallrat dhe idetë vazhduan të shkëmbeheshin. Putini mund të mos ketë kërkuar një shkëputje të papritur me Perëndimin në fillim të pushtimit të tij në Ukrainë. Përkundrazi, synimi i tij strategjik ishte ndoshta të arrinte një pavarësi më të madhe për Rusinë ose siç mund ta thoshte ai një “sovranitet” më të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Evropa.

I bindur se fushata do të ishte e shkurtër dhe e suksesshme, ai mund të ketë parashikuar një marrëdhënie me Perëndimin të dëmtuar nga lufta, por jo në mënyrë të pariparueshme. Por në kohën e pushtimit, Putin synoi gjithashtu të ndërtonte një Rusi që ishte gjithnjë e më shumë anti-perëndimore në formë politike, dhe që mund të ekzistonte veçmas Perëndimit dhe në konflikt me Perëndimin.

Ai e militarizoi konservatorizmin kulturor që kishte ushqyer prej kohësh. Dhe e bëri anti-perëndimorizimin një pikëmbështetje të politikës së tij të brendshme, duke e paraqitur Perëndimin si rrezikshmërisht dekadent dhe qeveritë perëndimore si agresive të pamëshirshme në vullnetin e tyre për të shfuqizuar Rusinë.

Në këto kushte, që Rusia e Putinit të rimendojë lidhjet e saj me Perëndimin, Perëndimit do t’i duhej të hiqte dorë nga mbështetja e tij ushtarake për Ukrainën dhe të binte dakord për një Ukrainë neutrale ose një Ukrainë të ndarë, në të cilën Rusia do të ketë dominim mbi të paktën gjysmën e vendit.

Por kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë. Që Perëndimi të ri-mendojë lidhjet e tij me Rusinë, Rusisë do t’i duhet t’i japë fund luftës, të marrë pjesë në gjyqet e krimeve të luftës, ta dorëzojë Putinin në Hagë dhe t’i paguajë Ukrainës dëmshpërblimet e luftës. Edhe kjo ka  gjithashtu pak gjasa të ndodhë.

Pavarësisht se sa do të vazhdojë lufta dhe si do të përfundojë, ajo do të krijojë thuajse me siguri një realitet të ri vendimtar të marrëdhënieve ndërkombëtare të shekullit XXI. Rusisë do t’i mungojë Perëndimi dhe Perëndimit do t’i mungojë Rusia, dhe midis tyre do të ketë një hendek shumë të madh.

Shënim: Michael Kimmage, profesor i historisë në Universitetin Katolik të Amerikës. Në vitet 2014-2016, ka qenë pjesë e Stafit të Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit në lidhje me raportet Rusi-Ukrainë. Maria Lipman, anëtare e Institutit për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike të Universitetit Xhorxh Uashington.

Back to top button