Nga Rachel Sanderson
“Bloomberg”
Kryeministri italian Mario Draghi po shpallet që tani si udhëheqës i ri i Evropës në epokën post-Angela Merkel. Me politikën gjermane aktualisht në një ngërç të thellë, dhe me Emmanuel Macron të Francës përballë zgjedhjeve të reja presidenciale, Draghi, që ka meritën e shpëtimit të monedhës së përbashkët evropiane me vetëm 3 fjalë të thëna, duket si një njeri të cilit mund t’i besohet.
Për ta kuptuar në thelb pse elitat e Evropës janë kaq entuziaste për idenë që Mario Draghi të nisë të ketë një rol më të madh në Bashkimin Evropian, mjafton që të shihni rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Itali, të cilat u mbajtën në fillim të këtij muaji.
Në vend se të priren drejt politikës së ekstremit të djathtë të mishëruar nga Matteo Salvini, votuesit zgjodhën burokratë kryesisht të nënvlerësuar, një lloj ushtrie me mini–Mario.
Politika italiane mbetet e paqëndrueshme, siç tregohet edhe nga përplasjet mbi përdorimin e “Green Pass”(Pasaportat e vaksinave), për të nxitur vaksinimin,si dhe nga protestat e mëdha në Milano dhe qytetin port të Triestes.
Kjo nuk po ndodh rastësisht, pasi Draghi që u emërua kryeministër këtë vit, pasi politikanët e zgjedhur të Italisë nuk arritën ta menaxhonin si duhet pandeminë – po drejton narrativën e ringjalljes ekonomike të Evropës pas Covid-19.
Italia ka vaksinuar mbi 80 për qind të popullsisë së saj mbi moshën 12 vjeç dhe infeksionet kanë rënë ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë, kur vendi ishte një nga më të prekurit jashtë Kinës. Draghi e ka vazhduar kursin e tij, duke refuzuar që të luhatet në qasjen e tij nga protestat.
Qëndrueshmëria e tij po jep më shumë nxitje dhe mbështetje për të moderuarit në Itali. Për një Evropë që shpreson të zbehë ekstremizmin, Italia mund të bëhet një shembull shumëinkurajues. Vendi ka një histori të çuditshme të të qenit një ogur i zi:Fashizmi që solli më pas nazizmin, Silvio Berlusconi që ishte një parafytyrim i Donald Trump.
Rritja e populizmit në Itali u pa po ashtu si një paralajmërim për gjithë Evropën. Tani zbehja e tij, sidomos në një vend, ekonomia e të cilit është në rënie prej 2 dekadash, është një lajm i mirëpritur. Dhe kjo falë humorit të ri që ka sjellë Mario Draghi në Itali.
Italia ka marrë pjesën më të madhe të fondeve të NextGenEU, më shumë se 200 miliardë euro. Suksesi ose dështimi i projektit, varet nga fakti nëse Draghi i shpenzon mirë këto fonde. Deri tani shenjat janë inkurajuese. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve synon që ta bëjë ekonominë italiane më dixhitale dhe më të qëndrueshme.
Rreth 40miliardë euro të ndihmës, do të shkojnë për kompanitë e reja që do të merren me prodhimin e energjisë së rinovueshme apo për industritë që kanë qenë më miqësore me mjedisin. Edhe gazeta franceze Les Echos e ka përshëndetur transformimin e dukshëm të Italisë nga “e sëmura e Evropës”, në një shembull për kontinentin e vjetër:“Tani të gjitha rrugët të çojnë në Romë!”.
Statura dhe përvoja ndërkombëtare e Draghit, e bëjnë atë një kandidat të dukshëm për ta udhëhequr Evropën. Fjalimi i tij i famshëm “Çfarëdo që të duhet” mbajtur në Londër në vitin 2012, u pasua nga masa që e nxorën nga kriza financiare Evropën.
Teksa premton më shumë gjëra pozitive, ai është pragmatist dhe i aftë në balancimin e pikëpamjeve konkurruese. Ai është gjithashtu, sipas fjalëve të dikujt që negocioi me të në BQE, “i aftë për të joshur ata që përpiqet t’i bindë në heshtje”.
Por do të ishte gabim që evropianët t’i lidhnin shpresat e tyre me idenë se Draghi është njëzëvendësues i Merkel apo Macron. Më e rëndësishmja:ai ka të ngjarë të jetë një aleat më i ngushtë i SHBA-së, për shkak të së kaluarës së tij në Massachusetts Institute of Technology, Bankën Botërore dhe Goldman Sachs Group Inc.
Brunello Rosa, që drejton një kompani të konsulencës dhe kërkimore bashkë me ekonomistin Nouriel Roubini, më tha kohët e fundit se edhe pse Draghi beson shumë tek multilateralizmi, ai është një nga aleatët kryesorë të SHBA-së.
Vlerësim të lartë për të shprehu edhe Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen,për revistën “Time”të këtij muaji. Në fakt, që kur u bë kryeministër i Italisë, Mario Draghiudhëhoqi një qasje kundërshtuese ndaj sjelljes së butë të BE-së në raport me Kinën, duke arritur deri aty sa të bllokonte në fillim të këtij viti shitjen tek një kompani kineze tek një kompanie italiane të gjysmëpërçuesve.
Ndërkohë kryeministri italian heshti mbi debatin e ashpër SHBA-Francë lidhur me paktin AUKUS. Brenda BE-së, ai e bëri të qartë se nëse Evropa dëshiron të jetë një lojtare kryesore në ekonominë globale, ajo duhet të jetë më shumë ambicioze në lidhje me integrimin. Si një ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, ai është i gatshëm të ushtrojë presion në Bruksel për dobësimin e rregullave fiskale.
Një ndryshim në këtë aspekt, do t’i jepte mundësi Evropës të përshpejtonte kalimin e saj nga kursimi tek shpenzime publike më miqësore ndaj rritjes ekonomike. Ka të ngjarë që Evropa të përqafojë vizionin e Draghit. Gjithsesi, ka ende një pikëpyetje që e vendos këtë pritshmëri në një terren të lëkundshëm:legjitimiteti.
Draghi është një teknokrat i pazgjedhur që e udhëheq Italinë me urdhër të presidentit të saj, dhe në bazë të mbështetjes ndërpartiake nga politikanët e shqetësuar të Italisë. Merkel ishte me ndikim për shkak të atributeve të saj personale, por ndikimi i saj në Evropë u bazua në gati 16 vitet e saj të qëndrimit në pushtet.
Sado i talentuar dhe i jashtëzakonshëm që të jetë, ndikimi i Draghit do të burojë në fund nga mbështetja e votuesve italianë, e cila është fluide edhe në kohët më të mira. Vlen të kihet parasysh gjithashtu, se çështjet e vështira në thelbin e së ardhmes së Evropës – mbrojtja dhe autonomia strategjike – nuk janë një domen natyror i Draghit.
Që nga periudha e pasluftës, Italia ka qenë në një aleancë të ngushtë me SHBA-në, dhe Draghi mund të mos jetë personi që do të nxisë distancimin nga Uashingtoni. Megjithatë, Draghi ka të gjitha tiparet e një udhëheqësi të ri të Evropës. Evropa duhet të jetë e vetëdijshme për këtë gjë.