Bota

A do të shndërrohet Coronavirusi në Pandemi? Në pritje për ta mësuar, ja cilat kanë qenë shtatë më të rëndat e historisë

Organizata Botërore e Shëndetit ka bërë të ditur tashmë se koronavirusi është një “emergjencë publike me rëndësi ndërkombëtare”. Në këtë drejtim, Uashington Post ka ngritur pyetjen, nëse koronavirusi do të bëhet një pandemi, domethënë “përhapja globale e një sëmundje të re”, sipas përkufizimit të ofruar nga vetë Organizata Botërore e Shëndetit.

Nëse ende nuk mund të japim një përgjigje të caktuar për këtë pyetje, mund t’i përafrohemi me një përmbledhje të pandemive më të famshme dhe vdekjeprurëse që raportohen – së bashku me datat, numrin e viktimave, origjinën dhe përhapjen – nga shumë media si CNBC, CNN, Histori dhe MPhonline:

Ethet e Athinës (430 para Krishtit). Kjo pandemi u shkaktua nga lija dhe u përhap përmes kontaktit lëkurë me lëkurë ose lëngjeve të trupit. Lija ishte një goditje e fortë për qytetin e Athinës dhe ishte ndoshta një nga shkaqet e humbjes së saj në luftën e famshme Peloponeziane, e rrëfyer nga Tuqididi. Kjo pandemi vrau 20% të popullsisë athinase, përfshirë edhe qytetarin e parë Perikliun.

Ethet Antonine ose e Galenit, sipas mjekut Grek që e përshkroi atë (165-180 pas Krishtit). Kjo lloj murtaje duket se ka origjinën midis Hunëve. Pasi arriti në Perandorinë Romake, ajo do të prekte territore të shumta, nga Egjipti në Greqi dhe Itali. Për të qenë më të saktë, ky lloj i pandemisë mendohej se ishte një formë e lisë ose fruthit. Do të linte pas gjithsej 5 milion të vdekur, përfshirë ndoshta një personalitet të shquar: perandorin Marcus Aurelius.

Ethet e Justinianit (shek. 541-VIII pas Krishtit). Murtaja do të vazhdonte për dy shekuj të gjatë dhe do të çonte në vdekjen e 50 milion njerëzve, të shpërndarë në Lindjen e Mesme, Azinë dhe Detin Mesdhe, ose rreth 26% të popullsisë së botës. Shkaku i saj ndoshta mund të gjendet tek minjtë. Emri i kësaj pandemie i referohet faktit që murtaja ishte manifestuar veçanërisht dhunshëm në Kostandinopojë, nën sundimin e Justinianit: rrëfimet e kohës madje flasin për 5,000 vdekje në ditë dhe një zvogëlim të vazhdueshëm të popullsisë së Kostandinopojës, me 40%.

Murtaja e zezë (1343-1353). Kjo pandemi u përhap në pothuajse të gjitha kontinentet e botës: Evropë, Afrikë dhe Azi. Në fund të udhëtimit të saj, murtaja e zezë vlerësohet të ketë shkaktuar vdekje midis 75 dhe 200 milion. Me një farë pasaktësie, mund të thuhet se çoi në vdekjen e rreth 30% të evropianëve dhe 50% të popullsisë kineze. Sa për Evropën, Italia ka qenë në qendër të këtyre ngjarjeve tragjike. Murtaja, në të vërtetë, u përhap së pari në portin e Mesinës dhe prej andej në të gjithë Evropën. Disa vjet më vonë, qyteti i Firences do të regjistronte ndoshta efektet më serioze të kësaj murtaje, pasi gati 100,000 e fiorentinëve vdiqën në gjashtë muajt e parë.

“Shkëmbimi kolumbian” (rreth 1492-1600). Kur Kristofor Kolombi dhe ekuipazhi i tij zbuluan Amerikën, në një mënyrë të pashmangshme dhe të pavetëdijshme, ata sollën me vete sëmundje të shumta, të tilla si, lija, fruthi dhe ethet bubonike. Sidoqoftë, popullsia vendase e Amerikës së Jugut nuk u “imunizua” kundër këtyre sëmundjeve, pasi ata kurrë nuk ranë në kontakt me ta, gjë që i bëri ato veçanërisht vdekjeprurëse. Shifrat flasin qartë. Meksika kishte 25 milion banorë me ardhjen e Cortes në viin 1519; midis 5 dhe 8 milion do të vdisnin në dy vitet e ardhshme; në fund të shekullit vetëm 2 milion do të mbijetonin.

Gripi spanjoll (1918-19). Origjina e kësaj pandemie është e paqartë: sipas disave, ky lloj gripi filloi në Kinë dhe më pas u përhap nga atje në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Emri i dhënë kësaj pandemie, “Spanjolle”, rrjedh nga fakti se Spanja, si një vend neutral, ishte e vetmja që bëri publike lajmet për këtë sëmundje; vendet e tjera evropiane, nga ana tjetër, preferuan heshtjen, në mënyrë që të mos krijonin panik midis popullatës dhe forcave të armatosura të angazhuara në front. Ky lloj gripi ka qenë veçanërisht vdekjeprurës duke lënë pas 50 milion viktima.

HIV / AIDS (1981-në vazhdim). Kjo sëmundje kishte një përhapje dhe origjinë mjaft të veçantë. Rastet e para të HIV u vërejtën në komunitetin homoseksual të Nju Jorkut dhe San Franciscos në fillim të viteve 1980. Megjithatë spekulohet se gjeneza e saj nuk është në Amerikën e Veriut, por përkundrazi në Afrikën Lindore dhe më saktësisht midis shimpanzeve. Që nga shfaqja e parë e deri më sot, HIV ka shkaktuar midis 25 dhe 30 milion të vdekur. / bota.al

Back to top button