ShkenceSpeciale

A e rrezikon inteligjenca artificiale njerëzimin?

Programe në gjendje të mësojnë dhe të marrin vendime: një burim për të gjithë. Por disa shkencëtarë, mes të cilëve Stefen Hoking, druhen se…

Screen Shot 2015-06-30 at 10.49.06

Në filmin “Her”, të regjisorit Spajk Xhonz, protagonisti dashurohet me të. Tek “Unë, Roboti” i regjisorit Aleks Projas, dhe në filmin “Ndëryjor” të Kristofer Nolan, është aleati ynë më besnik. Por më shpesh, ka luajtur rolin e armikut më të madh të njerëzimit: mendoni “2001: Odise në Hapësirë” të Stenli Kubrikut, apo “Terminatorin” e Kemëronit.

Bëhet fjalë për Inteligjencën artificiale, një prej temave klasike të fantashkencës, që sot është bërë më aktuale se kurrë, për arsye se jeta jonë e përditshme është e mbushur me makina apo programe kompjuterikë, në gjendje që të njohin mjedisin ku punojnë, të mësojnë prej tij dhe të marrin vendime të pavarur, me qëllim arritjen e rezultateve maksimalë. Edhe pse, nuk janë ende në gjendje të konkurojnë me inteligjencën njerëzore në tërësinë e saj.

Në këtë kategori, të shfaqur fillimisht në vitet Pesëdhjetë të shekullit që kaloi, bëjnë pjesë automjetet pa shofer, si prototipi i Google, i cili pritet të futet në përdorim në vitin 2020, programet kompjuterikë të njohjes së zërit, si ai që përdorni në celularin tuaj, që janë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve, apo edhe si përkthimi i çastit, si ai që Skype ka nisur të testojë për telefonatat.

Në këtë kategori bëjnë gjithashtu pjesë programet që rendisin fotografitë, duke përfshirë sistemin e Facebookut, i cili është në gjendje të njohë fytyrat, si dhe ata që analizojnë sjelljen e tregjeve ekonomike, apo të njerëzve dhe që, nisur prej këtyre informacioneve, bëjnë parashikime.

Pavarësisht gjithë këtyre dobive, ka nga ata që druhen se një zhvillim i pakontrolluar i këtyre teknologjive, mund të jetë i rrezikshëm. Mes tyre është edhe astro-fizikani anglez Stefën Hoking, një prej firmëtarëve të parë të një apeli në Internet, i cili bën thirrje që kërkimet në këtë fushë të ndjekin rregulla dhe prioritete të mirëpërcaktuar.

“Inteligjenca Artificiale është rreziku më i madh për specien njerëzore”, thotë Stefën Hoking. Mes arsyeve që sjellin këtë shqetësim, është fakti që Inteligjenca Artificiale, duke u zhvilluar shumë më shpejt se sa ajo biologjike njerëzore, mund ta parakalojë këtë të fundit. Dhe pas kësaj, mund të mësojë të vetëprogramohet në mënyrë të pavarur. Por, edhe sikur të mos ndodhte kjo, ekziston megjithatë frika se mund të përfundojë nën kontrollin e pak njerëzve, të cilët do të përfitonin për të nënshtruar shumicën.

Por, ka dhe nga ata që janë pro këtij zhvillimi. Reu Kurzveil, Drejtori i zhvillimit të Inteligjencës Artificiale në kompaninë gjigande Google, thotë se “nuk është hera e parë që rrezikohemi nga një krijesë e sona: bioteknologjitë, që sot janë të rregulluara shumë mirë, janë një shembull. Shumë filma parashikojnë një luftë mes njerëzve për kontrollin e Inteligjencës Artificiale, por e vërteta është që kjo teknologji, qoftë edhe në fazën embrionale ku ndodhet, është tashmë në duart e 2 miliard njerëzve. Dhe zbatimi i saj ka sjellë përfitime në çdo cep të globit”./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button