Analiza

A e shkaktoi luftën në Ukrainë dështimi i SHBA-së në Afganistan?

Nga Carld Bildt

“Project Syndicate”

Pse dështoi në një mënyrë aq spektakolare politika e Perëndimit ndaj Afganistanit? A ishte ajo e dënuar që në fillim të dështonte, dhe a është nxjerrë ndonjë mësim prej këtij dështimi? Mbi të gjithë: A mos fundi i një lufte 20-vjeçare i hapi rrugën fillimit të një lufte tjetër?

Një vit pas rënies së Kabulit dhe rikthimit të talebanëve në pushtet, këto dhe pyetje të tjera mbeten ende pa përgjigje. Dhe kjo pjesërisht për shkak se pushtimi rus i Ukrainës dhe tensionet e ripërtërira Kinë-SHBA kanë konsumuar shumë energji, por edhe sepse janë dështime shumë të dhimbshme për t’u marrë në konsideratë.

Për komunitetin ndërkombëtar ka qenë më e lehtë që ta harrojë fare Afganistanin. Në dallim nga argumentet e thjeshtëzuara që dëgjohen në Shtetet e Bashkuara, arsyeja kryesore e rënies së regjimit afgan, nuk ishte se ushtarët afganë nuk donin të luftonin për vendin e tyre.

Në fakt, dhjetëra mijëra prej tyre kishin luftuar dhe kishin vdekur në përpjekje për të ndaluar revanshin e talebanëve, teksa SHBA-ja vendosi të tërhiqte papritur të gjithë mbështetjen politike dhe materiale për luftën e tyre. Regjimi afgan u shemb sepse Amerika kishte vendosur të ikte prej andej, pavarësisht se cilat do të ishin pasojat.

Siç kemi mësuar që atëherë në Ukrainë, aftësia e një ushtrie për të luftuar, varet nga besimi se fitorja është me të vërtetë e mundur, edhe nëse shanset janë kundër saj. Pasi SHBA-ja sinjalizoi synimin e saj për t’u tërhequr plotësisht nga Afganistani, nisi një evakuim të nxituar.

Pra ushtria afgane e humbi qasjen tek logjistika që i nevojitej për të mirëmbajtur sistemet e ndërlikuara të armëve, me të cilat e kishte furnizuar Uashingtoni. Ndaj nuk është çudi që morali midis trupave afgane ra menjëherë. Kur amerikanët u larguan me shpejtësi, ushtarët afganë e interpretuan atë si një sinjal se duhet të bënin të njëjtën gjë.

Konteksti për tërheqjen e SHBA-së ishte krijuar që nga marrëveshja e turpshme që arriti presidenti Donald Trump në shkurtin e vitit 2020. Përmes atij pakti, Amerika tregoi se nuk i interesonte më nëse do të kishte një paqe të qëndrueshme apo marrëveshje politike në Afganistan.

Ajo do të largohej prej andej pa marrë parasysh pasojat, duke braktisur qeverinë afgane.

Kur presidenti aktual amerikan Joe Biden mori detyrën, ai vendosi të ndiqte politikën e administratës Trump, përkundër këshillave të shumë ekspertëve. Sistemi politik amerikan ishte ngopur me dështimet e veta në Afganistan. Siç vuri në dukje Inspektori i Përgjithshëm Special i SHBA për Rindërtimin e Afganistanit në një raport të zymtë të vitit të kaluar, nuk kishte pasur kurrë një plan 20-vjeçar për vendin.

Përkundrazi kishte pasur 20 plane 1-vjeçare. Çdo vit që kalonte, SHBA do të shpallte shtimin e trupave atje ose ndonjë taktikë tjetër që supozohej të sillte një pikë kthese të gjërave. Vetëm rrallëherë politikë-bërësit amerikanë e pranuan se ndërtimi i kombit dhe vendosja e paqes, varen më shumë nga një sasi e madhe durimi, sesa nga një dominim i fuqisë së armëve të zjarrit.

Natyrisht, ne nuk do ta mësojmë asnjëherë nëse një qasje më koherente ndaj Afganistanit do të kishte sjellë një rezultat më të mirë. Për vite me radhë, mendimi për të hyrë në bisedime me talebanët ishte i paimagjinueshëm.

Kur qasja nisi të ndryshonte, SHBA-ja e kishte humbur durimin e saj strategjik, dhe ishte e gatshme të pranonte kërkesën thelbësore të talebanëve, atë që forcat perëndimore të tërhiqeshin nga vendi, pavarësisht nëse do të kishte apo jo një marrëveshje politike.

Fundloja e palavdishme ishte e parashikueshme. Talibanët janë rikthyer në kontrollin e vendit, dhe është shuar çdo lloj shprese se ata do të qeverisin në një mënyrë më pragmatike se në të kaluarën. Edhe pse udhëheqësit talebanë premtuan një qasje më të moderuar pas rikthimit të tyre në Kabul, shumë shpejt u bë e qartë se ata nuk e donin këtë.

Vajzave afgane po u mohohet sërish shkollimi. Ekonomia është në kolaps, pasiguria ushqimore po rritet ndjeshëm, dhe vendi ia ka kaluar Jemenit për krizën më të rëndë humanitare në botë. Më e keqja nga të gjitha: Shumë pak njerëzve jashtë rajonit duket se u interesojnë këto zhvillime.

Por kujdes, rënia e Kabulit vitin e kaluar pati pasoja që nuk janë vlerësuar ende plotësisht. Ajo tregoi se SHB-jaA mund të mos ketë fuqinë e qëndrueshme ose durimin strategjik që është i nevojshëm për të arritur një fitore ushtarake, ose për të siguruar një paqe të qëndrueshme në vendet ku ka ndërhyrë.

Po ashtu, ajo tregoi se çdo vend apo rajon tjetër relativisht i parëndësishëm, mund të braktiset në interes të fokusimit të burimeve të SHBA-së përkundrejt përballjes me Kinën. Sigurisht, Kremlini i vuri re këto gjëra. Menjëherë pas marrjes së pushtetit nga talebanët, këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin për sigurinë kombëtare, deklaroi publikisht se ukrainasit nuk mund të mbështeteshin tek SHBA-ja për një periudhë afatgjatë.

Brenda disa javësh nga rënia e Kabulit, trenat e ngarkuara me trupa dhe tanket ruse nisën udhëtimin e tyre drejt kufirit ukrainas. Me mbarimin e një lufte, filloi një tjetër.

Shënim:Carl Bildt, ish-Ministër i Jashtëm i Suedisë në vitet 2006- 2014 dhe kryeministër në vitet 1991-1994. Ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi, dhe si i dërguar i posaçëm i OKB-së në Ballkan.

Back to top button