Nga Irani e deri në Kili, operacionet e fshehtë të CIA-s amerikane kanë rrëzuar nga pushteti dhe kanë ngjitur në pushtet me dhjetëra udhëheqës e diktatorë, shkruan Kerëlin Bejlon në të përjavshmen amerikane, Njuzuik. Dhe në fakt, me sa duket, Rusia ka marrë një prej faqeve të librit të udhëzimeve të agjencisë amerikane të zbulimit, dhe e ka vënë në zbatim.
Në fakt, komuniteti amerikan i zbulimit kishte drejtuar gishtin nga hacker-at e mbështetur prej Kremlinit në disa raste, gjatë fushatës zgjedhore amerikane, ndërhyrje të cilat kanë nxjerrë zbuluar edhe emailet e Hillary Clintonit si dhe të pjesëtarëve të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk e ka fshehur në asnjë rast admirimin e tij për Donald Trumpin, të cilin madje një herë e ka quajtur edhe “lideri absolut” në garën presidenciale në SHBA. Nuk ka vonuar përgjigja e këtij të fundit, i cili i ndjerë edhe pakëz i përkëdhelur, nuk ka kursyer lavdet për presidentin rus, duke shtuar madje se do të “konsideronte njohjen e aneksimit të Krimesë” nga Rusia dhe do të hiqte sanksionet, raporton www.bota.al. Deklarata që me siguri e kanë bërë t’i hyjë edhe më shumë në zemër udhëheqësit të Kremlinit.
E vërteta është që emailet e nxjerrë shkaktuan jo pak probleme për fushatën e Clintonit. Në disa prej tyre dilte qartë se Komiteti Kombëtar Demokrat kishte sabotuar fushatën e BErnie Sendërsit në favor të Clintonit. Një tjetër grup emailesh që u nxorrën në tetor, nxorrën zbuluar para publikut fjalimet që Clintoni kishte mbajtur tek Goldman Sachs.
Në të vërtetë, e gjithë kjo është për t’u besuar, po të kesh parasysh veprimtarinë e Rusisë në hapësirën kibernetike. Dikur, KGB ishte sofistikuar në luftën propagandistike, dhe pasardhësja e saj, është persosur në po këtë luftë, por këtë herë në terrenin digjital. E ka bërë përmes përdorimit të grupeve ‘të pavarur” të hackerave, duke siguruar që, nëse veprime të tillë të shpinin në Rusi, qeveria të pretendonte se prapa tyre qëndronin thjeshtë hackera të pavarur patriotë.
Ajo që është e qartë, sidomos sot pas zgjedhjeve, është se në një garë shumë të ngushtë, 48 me 47%, veprime të tilla bëhen vendimtare dhe e përmbusin balancën. Dhe në fakt i krijuan një disavantazh Klintonit. Roli i Rusisë në këto zgjedhje ishte domethënës, për arsye se, duke parë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë më të tensionuarat që nga Lufta e Ftohtë, Rusia dha një dorë për t’u siguruar që në Shtëpinë e Bardhë do të vinte kandidati që do të ishte më miqësor ndaj Rusisë. E para bën që të ketë më pak gjasa për një përshkallëzim, dhe e dyta, e bën presidentin e SHBA që të ndjejë një farë borxhi mirënjohjeje ndaj Kremlinit.
E gjithë kjo situatë mund të ketë dy pasoja të mëdha: Të bëjë Trumpin më të pajtueshëm me Rusinë, dhe mbi të gjitha, Rusia, pasi ka parë suksesin e këtyre metodave në zgjedhjet e SHBA, të shtojë dhe forcojë përdorimin e tyre edhe gjetkë nëpër botë. / www.bota.al