Magazine

A ishte një skllave nëna e Leonardo da Vinçit?

Nga David Abulafia

Italia është përfshirë nga ethet e një zbulimi të bujshëm, të cilat janë përhapur edhe në median britanike: Karlo Veçe, një profesor nga Napoli, ka zbuluar dokumente në arkivat e Firences që tregojnë se Katerina, nëna e Leonardo da Vinçit, ishte një skllave e pagëzuar, e cila ishte sjellë deri në Toskanë nga Deti i Zi.

Pra ajo nuk ishte, siç është supozuar shpesh, një grua vendase me një origjinë modeste. Leonardo lindi në prillin e vitit 1452, dhe disa muaj më vonë një skllaveje që ishte nën pronësinë e babait të Leonardos, e quajtur gjithashtu Katerina, iu dha liria.

Dokumentet nuk zënë një hapësirë ​​të madhe, prandaj ai e ka plotësuar historinë me një romancë imagjinative për jetën e nënës së Leonardos, duke i zbuluar faktet në fund të një romani energjik dhe imagjinativ prej 500 faqesh të titulluar me shumë zgjuarsi “Buzëqeshja e Katerinës”. (Edhe bashkëshorti i Mona Lizës ishte një tregtar skllevërish).

Kjo nuk është mënyra e zakonshme se si historianët i publikojnë zbulimet e tyre. Por libri, i botuar javën e shkuar, është tashmë një bestseller në Itali. Veçse ka zbuluar një dokument që tregon se ajo ishte nga komuniteti etnik çerkez, nga territoret në anën lindore të Detit të Zi.

Lind pyetja nëse ky detaj ka ende ndonjë lloj rëndësie. Sepse ajo ishte një epokë kur shumë princa italianë kishin fëmijë të lindur jashtë martese, megjithëse në përgjithësi nënat e tyre nuk ishin skllave. Në rast se ky libër ngre vetëdijen se historia e skllavërisë nuk është ashtu siç këmbëngulin përkrahësit e teorisë kritike të racës, kryesisht në lidhje me tregtinë e tmerrshme të skllevërve afrikanë të transportuar përtej Atlantikut me anije skllevërish dhe të dënuar të kenë një jetë të shkurtër dhe plot dhunë dhe strese në plantacionet e kallamit të sheqerit, atëherë do të ketë arritur diçka shumë me vlerë.

Për më tepër, Katerina dhe bashkëkohësit e saj çerkezë nuk ishin skllevër zezakë, por të bardhë. Ngjyra e lëkurës është përmendur shpesh në dokumentet mesjetare që regjistronin shitjen e skllevërve: Skllevërit me lëkurë të errët nuk ishin aq të dëshirueshëm sa të bardhët. Por, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, është një histori e pakëndshme. Tregtarët italianë nga Venecia dhe Xhenova po eksportonin tashmë mijëra skllevër nga Deti i Zi që 2 shekuj përpara se Kolombi të shkonte në Amerikë.

Ata ishin meshkuj dhe femra, të rritur dhe fëmijë, rusë, tartarë, bullgarë, gjeorgjianë. Por skllevërit më të çmuar ishin çerkezët me lëkurë të bardhë, të cilët u transportuan në Egjipt dhe Siri me anije gjenoveze dhe u rekrutuan si roje mamlukë, nëse ishin të fortë dhe meshkuj; dhe nëse ishin të bukur dhe femra rekrutoheshin në haremin e sulltanit dhe oborrtarëve të tij.

Shumë nga këta robër ishin kapur në luftërat civile dhe konflikte të tjera që shkatërruan territoret në kufi me Detin e Zi. Ata u skllavëruan përpara se t’u shiteshin tregtarëve italianë me bazë në Krime. Një shkrimtar i shekullit XV i quajtur Piero Tafur përshkruan se si tregtarët e skllevërve i zhvishnin robërit e tyre, qofshin ata meshkuj apo femra, shpallnin një çmim dhe i detyronin skllevërit të parakalonin para klientëve të mundshëm, të cilët kishin mundësinë të inspektonin trupin e tyre për defektet e mundshme.

Shitja e fëmijëve nga prindërit ishte një dukuri e shpeshtë. Në shekullin XIV, poeti i madh italian Petrarka shkruante se tregtia e famshme e drithit nga Ukraina, aktive edhe në atë kohë, ishte zëvendësuar nga tregtia e skllevërve. Shpeshherë në kontratat e shitjes shënohej mosha e fëmijëve, ndonjëherë 11-12 vjeç, por ndonjëherë më të vegjël.

Megjithatë, prindërit mund të ishin ambiciozë për fëmijët e tyre kur i shisnin, sidomos nëse ata ishin djem të fortë dhe të shëndetshëm dhe kishin shansin të rekrutoheshin në gardën elitare të Mamlukëve në Egjipt, të përbërë nga skllevërit e Detit të Zi. Disa nga këta fëmijë ëndërruan të bëheshin sulltanë të Egjiptit dhe kjo ndodhi në fakt.

Kjo nënkuptonte se tregtarët gjenovezë po furnizonin me trupa elitare armiqtë myslimanë të kryqtarëve të krishterë. Për tregtarët, ashtu si për të gjithë tregtarët e skllevërve, fitimi ishte në plan të parë. Katerina ishte me fat që u lirua dhe më pas u martua me një zejtar vendas në fshatin toskan.

Në qytetet italiane si Firence dhe Xhenova kishte qindra skllevër, të dënuar të bënin një jetë të lodhshme në shtëpinë e padronëve të tyre apo edhe të keqpërdorur seksualisht. Edhe fakti që ata u pagëzuan nga zotërinjtë e tyre nuk i çliroi automatikisht nga skllavëria. Ligji i kishës i ndalonte jo të krishterët të mbanin skllevër të krishterë, por nuk i ndalonte të krishterët që ta bënin këtë.

Shënim:David Abulafia, profesor i historisë së Mesdheut në Universitetin e Kembrixhit, Angli. / “The Spectator” – Bota.al

Back to top button