Një person vërtet i lumtur nuk e gjen lumturinë në rrethanat plot ndryshime të përditshmërisë së vet. Ky është një problem mbi mënyrën se si njerëzit e konceptojnë jetën, sidomos kohët e fundit. Ne po e kërkojmë lumturinë në çdo eksperiencë të përkohshme që shpesh nuk është as nën kontrollin tonë.
Lumturia e vërtetë nuk ka pse varet nga rrethanat e jashtme, por nga gjendja e mendjes sonë. Lumturia është vetëdije, është diçka brenda nesh. Joga do të thotë harmoni. Joga sjell lumturi, ndaj dhe mund të pohojmë se lumturia është një formë harmonie midis trupit dhe mendjes sonë, si dhe midis gjithë forcave që përcaktojnë se kush jemi në të vërtetë. Lumturia është edhe një harmoni midis nesh dhe gjithë natyrës që na rrethon.
Është pikërisht në këto forma harmonish ku ne e gjejmë lumturinë e vërtetë, sepse këto harmoni janë të përjetshme, të pandryshueshme, e mbi të gjitha, janë gjendje që varet drejtpërdrejt nga brendësia jonë. Këto harmoni i japin edhe shpjegim diversitetit dhe shumëllojshmërisë. Shumëllojshmëria është e pafund dhe e bukur, pasi lejon mundësi të shumta për ta njohur veten tonë sa më mirë. Shumëllojshmëria na siguron mundësi për marrëdhënie, mundësi për punë, mundësi për arsimin e për çdo gjë tjetër që na ndihmon të rritemi.
Vetëm kur ne arrijmë ta ndiejmë një harmonizim të tillë, si dhe gjithë negativitetin që arrijmë ta shohim me sy, mund ta kuptojmë qartë se çfarë po na mban larg lumturisë së vërtetë. Nuk ka rëndësi se sa të pasur jemi, apo se sa të sëmurë jemi për të gjetur harmoninë në zemrën tonë. Unë kam parë njerëz të vdesin, por sërish të vdesin të lumtur, sepse kanë bërë gjithçka që të arrinin atë lumturi. Por kam parë dhe vazhdoj të shoh njerëz që po jetojnë, por sërish nuk e njohin fytyrën e vërtetë të lumturisë…