Shkence

A ka nën shtresën e akullit, një minë me sahat të paparashikueshme?

Përpjekja për të ngulur një shkop në shtresën e akullit në Siberi ose në veri të Kanadasë të shpie shumë pranë katastrofës. Sepse aty, nën akullin e pafund fshihet rreziku më i madh për klimën e botës – një kërcënim shumë më serioz se emetimet e të gjitha makinave në botë, bashkë me çdo fabrikë qymyrguri në planet. Prova: nëse mbani një fije shkrepëseje të ndezur në njërën nga vrimat në akull, do të ndizet menjëherë një flakë një metër e lartë. Por çfarë ka këtu kaq shpërthyese?

Substanca që shumë ekspertë po paralajmërojnë është metani, një gaz me 22 herë më shumë potencial për ngrohje globale, se sa dioksidi i karbonit (CO2). Dhe Arktiku mund të lëshojë sasi të mëdha prej tij në atmosferë: “Ekuivalenti i dyfishimit të CO2 në atmosferën e Tokës është i pranishëm këtu nën tokë. Dhe është duke u shkrirë – tani!”, shpjegon eksperti i klimës Daniel Miller. Por sa i rrezikshëm është ky gaz? Dhe pse po del tani në sipërfaqe?

Saga ka kohë që zhvillohet: për mijëvjeçarë të tërë, shtrirja e pafundme e Arktikut është karakterizuar nga toka përgjithmonë të ngrira, deri në 1.7 kilometra thellë në disa vende. Shtresat e sipërme të këtyre tokave shkrihen vetëm në muajt e verës. Kushtet ekstremisht të ftohta dhe të lagështa të Arktikut parandalojnë që bimët e vdekura dhe kafshët e ngordhura të dekompozohen. Kjo do të thotë se shtresa e materialit organik në tokë është rritur vazhdimisht për miliona vjet; Vlerësohet se nën tokë ka 1.8 miliardë tonë karbon me lidhje organike – rreth gjysma e të gjithë karbonit organik të depozituar në okë. Problemi është se, kur nis shkrirja, tërësia e kësaj mase të thellë të ngrirë fillon të dekompozohet, pak a shumë si një kazan gjigant plehrash. Kjo gjë prodhon dioksid karboni – si dhe sasi të mëdha metani. Dhe në varësi të modelit të klimës së studiuar, pasojat e këtij procesi për planetin variojnë nga fatale në ekstremisht fatale.

Ndryshimet në temperaturë nënkuptojnë që gjerësitë në veri të Rrethit Arktik janë tashmë diçka e ngjashme me një tenxhere gjigante: “Arktiku po ngrohet dramatikisht, dy deri në tre herë më shpejt se rajonet e gjerësisë së mesme”, thotë shkencëtari i NASA Charles Miller. “Tokat përherë të ngrira janë duke u ngrohur edhe më shpejt se sa temperaturat e ajrit të Arktikut – deri në 1.5 deri në 2.5 gradë Celsius gjatë 30 viteve të fundit”. Në të njëjtën kohë, temperatura e planetit është ngrohur me ‘vetëm’ një gradë.

Se sa shpejt po shkon Toka drejt një apokalipsi klimatik, kjo varet nga forma në të cilën lirohen këto gazra: nëse klima në Arktik bëhet më e thatë në të ardhmen, karboni i ruajtur do të çlirohet kryesisht si CO2. Por nëse bëhet e lagësht, atëherë nëntoka do të dekompozohet dhe do të prodhohet metani. Dallimi midis këtyre dy skenarëve është i madh: sipas llogaritjeve të NASA-s, nëse vetëm 1% e karbonit të lëshuar gjatë një periudhe të shkurtër kohore do të jetë metan, atëherë do të ketë të njëjtën efekt serrë, sa 99% që çlirohet si dioksid karboni. Por rreziqet që paraqiten nga shkrirja e akullit nuk janë vetëm materiali i vdekur dhe gazet që shkaktohen prej efektit serë: ka edhe rreziqe të tjera nën tokën e ngrirë të Arktikut. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button