Magazine

A ka punë që e “helmojnë” trurin?

Gjyqtari, drejtues i një auto-shkolle, mjek. Ka profesione që kërkojnë një përqendrim të madh dhe të vazhdueshëm. Dhe shkenca ka vërtetuar edhe njëherë, se lodhja mendore ka efekte reale mbi trurin tonë. Një studim i fundit nga Instituti i Trurit në Paris, që kreu skanime të trurit të 40 njerëzve në periudha të ndryshme të ditës së tyre të punës, zbuloi se detyrat që zgjasin në kohë, dhe që kërkojnë kryerjen e disa veprimeve njëkohësisht, shumë përqendrim, një kujtesë të fortë dhe angazhim për zgjidhjen e problemeve, favorizojnë grumbullimin në tru të glutamatit.

Kjo është një substancë kimike potencialisht toksike, e cila zakonisht eliminohet gjatë orëve të gjumit. Por në sasi të mëdha, ky neurotransmetues i dobishëm për dërgimin e sinjaleve nga qelizat nervore bëhet toksik, sepse e ndryshon korteksin parafrontal anësor (LPFC), rajonin e trurit të përfshirë në procesin e marrjes së vendimeve.

Sipas studimit të institutit parizien, drejtuesit e autobusëve, mjekët, pilotët, dhe të gjithë ata që ushtrojnë profesione shumë kërkuese, duhet të marrin periudha pushimi të rregullta dhe të detyrueshme për t’i dhënë mundësi trurit të tyre të “detoksifikohet”, duke shmangur kështu rrezikun që qarku vendimmarrës të pësojë një goditje të rëndë në fund të një dite pune të gjatë dhe të ngarkuar.

Ashtu si kontrollorët e trafikut ajror që i orientojnë avionët për maksimumi 2 orë, pasuar nga gjysmë ore pushim. Në fakt, studime të tjera kanë treguar se shumë vendime të vështira që merren nga gjyqtarët ose mjekët, ndikohen nga lodhja e tepërt e grumbulluar.

Kështu mund të ndodhë që një dënim i dhënë të jetë i padrejtë, apo që një mjek të rekomandojë një antibiotik të panevojshëm. Pra trurit i ka mbaruar energjia, ndaj zgjedh veprime që kërkojnë pak përpjekje dhe që ofrojnë shpërblime afatshkurtra.

Back to top button