Nga Sebnem Arsu & Maximilian Popp
“Der Spiegel”
Për vite me radhë, karriera e Hasan Karavus eci vetëm në një drejtim:lart. Ashtu si miliona turq të tjerë, ai u zhvendos me banim në Stamboll nga Anadolli Juglindor në vitet 1990, kur vëllai i gjeti një punë tek një tregtar tekstilesh. Më vonë, Karvus hapi një biznes më vete, duke shitur rroba me çmime të lira në Stamboll, Izmir dhe Antalia.
Ishte fillimi i viteve 2000, dhe Turqia po përjetonte një bum të madh ekonomik nën drejtimin e kryeministrit të saj të ri, Recep Tayyip Erdoğan. Karavus e zgjeroi aktivitetin jashtë vendit dhe kompania e tij, të cilës ai u vuri emrin e vajzës së tij, Sima, u rrit duke punësuar mbi 20 e ca punonjës.
Sot Karavus jeton në një apartament me një dhomë gjumi në lagjen e varfër Tarlabaşı të Stambollit. I ftohti dhe lagështia e një mbrëmjeje të vonë vjeshte në Stamboll, hyn me furi nga dritarja. Në rrugë, prostitutat presin klientët e mundshëm, ndërsa të rinjtë pinë drogë.
Karavus ndez një cigare. Në 3 vitet e fundit, tregon ai, kompania e tij falimentoi, gjë që e detyroi të shiste apartamentin dhe makinën.
Në fund e braktisi edhe gruaja. “Unë kam prekur fundin”- thotë ai. Karavus fajëson në veçanti një njeri për gjendjen e vështirë ku ndodhet:presidentin e vendit Erdogan. Edhe pse ky i fundit e forcoi ekonominë turke në fillim të mandatit të tij të parë në detyrë – duke e zhvilluar infrastrukturën dhe liberalizuar tregun e punës – ai është gjithashtu përgjegjës për shkatërrimin e saj përmes keq-menaxhimit dhe korrupsionit.
Shumë njerëz në Turqi mendojnë si Karavus. Sipas një sondazhi, 8 nga 10 turq janë të pakënaqur me politikat ekonomike të qeverisë, teksa ka rënë ndjeshëm edhe mbështetja për Erdogan. Në fakt, koalicioni midis Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdogan dhe partisë së ekstremit të djathtë MHP, renditet tani pas aleancës opozitare të socialdemokratëve dhe nacionalistëve në sondazhe.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, janë planifikuar për në vitin 2023, por në vend ka zëra në rritje se zgjedhjet mund mbahen vitin e ardhshëm, si rezultat i situatës rëndë ekonomike. Erdogan po e qeveris Turqinë prej gati 2 dekadash, dhe ai ka vendosur nën kontrollin e tij gati çdo institucioni në vend, përfshirë gjyqësorin, policinë dhe median.
Por ai nuk ka gjetur mënyrën e duhur për të zgjidhur krizën ekonomike, teksa monedha turke, lira, është në rënie të lirë, me kursin aktual të këmbimit që është në nivelin 13.68 lira për 1 euro. Në vitin 2007, 2 lira këmbeheshin me 1 euro. Ndërkohë, çmimet po vazhdojnë të rriten, ndërsa inflacioni është rritur në 20 për qind që nga muaji shtator.
Shumë produkte ushqimore kushtojnë gati 1/3 më shumë në krahasim me një vit më parë. Ditët e fundit, mijëra kompani zhvilluan një grevë në shenjë proteste kundër çmimeve të çimentos, të cilat janë 3-fishuar që nga fillimi i këtij vitit. Në Stamboll, studentët dolën të protestonin në rrugë për shkak të qirave shumë të larta të banesave.
Megjithëse Produkti i Brendshëm Bruto i Turqisë është rritur ndjeshëm këtë vit, shumica e njerëzve të zakonshëm nuk i kanë ndjerë ende efektet. Ndërkohë, dobësia e lirës, e kombinuar me një inflacionin në rritje, po zhytin në varfëri gjithnjë e më shumë njerëz.
Një studim i Bankës Botërore, zbuloi se 1 në 10 turq tani jeton aktualisht nën kufirin e varfërisë. Instituti i Statistikave në Turqi, thotë se papunësia është 13 për qind. Por sindikatat besojnë se numri i rasteve të pa raportuara është shumë më i lartë, pasi shumë njerëz të papunë prej kohësh apo punëtorë sezonalë, nuk regjistrohen tek zyrat e punës.
Sipas një studimi të partisë opozitare CHP, gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, të paktën 150 njerëz kryen vetëvrasje nga dëshpërimi për gjendjen e tyre ekonomike. Hayrettin Bulan, drejtor i organizatës humanitare me qendër në Stambollit, Şefkat–Der, thotë se tanimë po merr gati çdo ditë telefonata nga njerëz që nuk e dinë se si t’i mbajnë me bukë familjet e tyre. “Unë nuk kam parë kurrë një situatë të tillë”- thotë ai.
Karavus është më se i bindur se është klima e tensionuar politike, ajo që po e pengon rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Ai thotë se kompania e tij lulëzoi deri në vitin 2016, por më pas përpjekja për grusht shteti, dhe disa sulme terroriste nga Shteti Islamik dhe PKK-ja kurde, e tronditën vendin.
Erdogan u kundërpërgjigj me arrestime masive. Karavus thotë se kërkesa për veshje ka rënë ndjeshëm. Turistët, që janë edhe klientët potencialë, janë rralluar. Në fillim, Karavus mendoi se kjo ishte diçka e përkohshme, por gjërat vazhduan të përkeqësoheshin.
Biznesi i tij varej nga pëlhurat dhe metalet e importuara, të cilat shumë shpejt nuk mund t’i blinte më për shkak të kursit të këmbimit. Në vitin 2019, ai u përpoq t’ia fillonte nga e para duke hapur një kafene në bregdetin e Egjeut, por pandemia e shkatërroi edhe atë biznes.
Këto ditë, Karavus po merret në Stamboll me punë të çuditshme, duke punuar herë si portier, dhe herë si ndihmës në një agjenci imobiliare. Të ardhurat mezi i arrijnë për të paguar qiranë prej 1600 lira në muaj. Çmimet e vezëve dhe të kosit janë dyfishuar që nga viti i kaluar, ndaj Karavus detyrohet për disa ditë në muaj të jetojë vetëm me bukë dhe ujë.
Ai është 60 vjeç, dhe ka pak shpresë se situata e tij do të ndryshojë ndonjëherë. “Për njerëzit si unë nuk ka të ardhme në këtë vend”- thotë ai. Një pjesë e madhe e shoqërisë turke duket se ndodhet në të njëjtën gjendje shoku si Karavus. Në 20 vitet e qeverisjes së AKP-së, shumë turq u mësuan me faktin se standardi i tyre i jetesës vazhdoi të përmirësohej.
Madje për atë pak zhvillim shtesë, ata ishin të përgatitur të pranonin edhe shkatërrimin e demokracisë nga Erdogan. Megjithatë, tani po e kuptojnë se gjithçka ishte një mashtrim.
Presidenti e nxiti rritjen ekonomike në vitet e tij të para në detyrë, duke investuar miliarda kryesisht në industrinë e ndërtimit.
Ai ndërtoi rrugë, spitale dhe shumë godina banimi. Një nga aeroportet më të mëdhenj në botë u hap në Stamboll në vitin 2018. Kjo politikë eci mirë për sa kohë që lira ishte e qëndrueshme, dhe paratë vazhdonin të vinin nga jashtë. Pot tani duket se vendi është futur në një spirale në rënie. Në dallim nga Rusia, Turqia ka shumë pak lëndë të parë, ndaj është e varur nga investimet e huaja.
Me stilin e tij autoritar të qeverisjes, persekutimin e figurave opozitare dhe ndërhyrjet e tij në politikën e normave të interesit, Erdogan e ka shkatërruar besimin e investitorëve. Investimet e drejtpërdrejta nga jashtë, ranë nga 19 miliardë dollarë në 2009, në 5.8 miliardë dollarë vitin e kaluar, në një kohë që agjencitë e vlerësimit e kanë ulur aftësinë kreditore të Turqisë. Borxhi i jashtëm i vendit është rritur në 422 miliardë dollarë. Erdogan po refuzon që ta pranojë se ekonomia globale nuk i bindet atij, ashtu siç po bëjnë prej kohësh edhe votuesit e tij në Turqi. Ai beson se mund të vazhdojë të qeverisë si më parë, pavarësisht krizës. Për shembull, vazhdon të pretendojë se normat e ulëta të interesit do të çojnë në uljen e çmimeve. Por gati të gjithë ekonomistët thonë se është e kundërta. Në këto kushte opozita po shfaq më shumë vetëbesim dhe unitet se sa në çdo çdo kohë që kur AKP-ja u ngjit në pushtet në vitin 2002. Kreu i partisë kryesore opozita CHP, Kemal Kılıçdaroğlu, thotë se qeveria e re duhet të rivendosë shtetin e së drejtës në Turqi, se ajo duhet të forcojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, dhe të sigurojë pavarësinë e bankës qendrore.
Kılıçdaroğlu kritikohet shpesh si i butë dhe i pavendosur. Por ai në fakt është një strateg i aftë. Arritja e tij më e madhe vitet e fundit, ishte krijimi i një fronti të madh opozitar që ia doli të mposhtte AKP në Stamboll dhe Ankara në zgjedhjet lokale të vitit 2019.
Kılıçdaroğlu dëshiron ta përsërisë këtë sukses në nivel kombëtar. Brenda CHP-së, shumë zyrtarë po përgatiten për mundësinë që zgjedhjet mund të mbahen para kohe në vjeshtën e vitit 2022. Por ndoshta për të do të jetë më e vështirë të fitojë në nivel kombëtar. Pavarësisht problemeve shëndetësore, Erdogan mbetet politikani më i talentuar në Turqi. Pastaj ka jo pak pikëpyetje se sa të drejta dhe të lira do të jenë zgjedhjet.
Marrë me shkurtime