“A po e dëmtojnë burrat shëndetin e tyre riprodhues?”, pyeste një studim i vitit 2015 në Gazetën Aziatike të Andrologjisë. Sipas një studimi të vitit 2014, ka pasur një “rënie të pashpjegueshme të cilësisë së spermës së raportuar në disa vende”.
Por a mund të luajnë celularët një rol në këtë dukuri? “Rrezatimi elektromagnetik i frekuencës radiofonike (RF-EMR) nga këto pajisje mund të ndikojë potencialisht në zhvillimin dhe funksionin e spermës”- thanë studiuesit britanikë në studimin e 7 viteve më parë botuar në “Environment International’.
Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi zyrtarisht se “telefonat celularë…mund të shkaktojnë ndoshta kancer në tru”, shumë njerëz nisën të përdorin kufjet, duke i mbajtur telefonat në pantallona, dhe duke përdorur Bluetooth-in apo teknologji të tjera.
Kështu ata kanë arritur ta mbajnë telefonin larg trurit, por shumë pranë organeve gjenitale. Studiuesit në Britani analizuan të gjitha studimet e deritanishme , duke përfshirë gati 1.500 mostra sperme, dhe zbuluan se “ekspozimi ndaj telefonave celularë, ishte i lidhur me lëvizshmërinë e reduktuar të spermës … dhe qëndrueshmërinë”, edhe pse jo domosdoshmërisht me përqendrimin e saj.
Lëvizshmëria e spermës, dukej të ishte rreth 8 për qind më e ulët, por vetëm kjo nuk mund të përkthehet në një pjellori të reduktuar. Por nëse një burrë ka tashmë probleme me fertilitetin, mund të jetë më mirë që të shmangë mbajtjen e një celulari aktiv në pantallona.
Por ekspozimi ndaj valëve të celularit, mund të jetë vetëm njëri nga një sërë ekspozimesh mjedisore moderne që mund të kontribuojnë në çështjet e fertilitetit. Për shembull, Wi-Fi mund të jetë një problem.
Në një studim të botuar në revistën “The Kaohsiung Journal of Medical Sciences”, studiuesit turq morën mostra të spermës nga më shumë se 1000 burra, dhe u vu re se “numri i përgjithshëm i spermatozoideve të lëvizshme…u zvogëlua tek grupi që përdorte një internet pa tel në krahasim me ata që përdornin internetin tradicional”.
Megjithatë, ky studim ishte i natyrës vëzhguese. Mund të ketë ndodhur që burrat që përdorin më shumë Wi-Fi prireshin të pinin më shumë duhan, apo ndoshta ata kalërojnë më shumë kuajt se të tjerët, dhe kjo është arsyeja e lidhjes së dukshme.
Ndërkohë shumë nga studimet mbi këtë çështje janë kryer tek minjtë. Ndërsa mikrovalët e emetuara nga një celular, nuk duket se ndikojnë tek testikujt e minjve, mund të argumentohet se nuk mund të nxirret domosdoshmërisht një përfundim i ngjashëm edhe për njerëzit nga këto modele kafshësh, pasi organet e tyre riprodhuese janë të ndryshme.
Nën dritën e këtyre shqetësimeve, një punim i paraqitur në Konferencën e Antenave dhe Përhapjes në vitin 2008, rekomandoi “derisa të provohet e kundërta, rekomandohet që ata që kanë probleme me nën-fertilitetin, meshkujt të mos i mbajnë celularët e tyre në xhepat e përparmë të pantallonave”.
Ndërkohë duhet të dini se edhe kur nuk janë në përdorim, telefonat celularë emetojnë periodikisht rrezatim, për të kërkuar vendndodhjen e tyre. Megjithatë, ekspozimi kryesor ndodh kur kryhen telefonata, si hyrëse dhe dalëse, dhe kur pajisja mund të mbetet ende në xhep, falë kufjeve ose Bluetooth-it.