BotaMAIN

A po afrohet një Luftë e Tretë Botërore?

Rendi botëror i bazuar në rregulla është në tërheqje dhe dhuna është në rritje, duke detyruar vendet të rishikojnë marrëdhëniet e tyre.

Nga Patrick Wintour

Dy javë pasi ish-aleatët, në një botë gjithnjë e më e ndarë, përkujtuan veçmas 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, ndjesia e një rrëshqitjeje të pandalshme drejt një Lufte të Tretë Botërore po bëhet gjithnjë e më e prekshme.

Shpërbërja e Pax Americana, ndërlidhja e konflikteve, gatishmëria e re për të përdorur dhunën shtetërore të sponsorizuar dhe mosfunksionimi i institucioneve të rendit botëror të bazuar në rregulla janë të gjitha dëshmi të një epoke brutaliteti. Nga Kashmiri te Khan Younis, nga Hodeidah te Port Sudani e Kursku, i vetmi zë është ai i shpërthimeve – dhe i vetmi mësim është se rregullat e vjetra nuk vlejnë më.

Politikania dhe këshilltarja britanike Fiona Hill, e angazhuar në rishikimin strategjik të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, argumenton se Lufta e Tretë Botërore ka nisur tashmë – vetëm se ne nuk e kemi kuptuar ende.

Frika nga një botë ku askush nuk është më në kontroll – për shkak të shkencës apo globalizimit – nuk është e re. Kjo ishte tema e dy ligjëratave Reith: njëra më 1967 nga antropologu Edmund Leach, dhe tjetra më 1999 nga filozofi politik Anthony Giddens. Por rrallëherë ka qenë më e qartë se rendi botëror i krijuar në vitin 1945 është në sprapsje të shpejtë.

Ish-ministri i jashtëm laburist David Miliband e përmblodhi qartë javën e kaluar në një fjalim në Chatham House, kur tha: “E di që njerëzit gjithmonë thonë se bota po ndryshon, por ky duket si një moment i vërtetë tronditjeje gjeopolitike – po aq domethënës sa 1989-90, kur bota kaloi nga Lufta e Ftohtë në një rend unipolar. Për mua, administrata Trump ishte si simptomë ashtu edhe shkak i këtyre ndryshimeve. Problemi është se është shumë më e qartë se nga çfarë po largohemi – nga një botë ku SHBA ishte në qendër të sistemit global – por nuk është e qartë ku po shkojmë. Shumë flasin për një botë shumëpolare që pasqyron një rishpërndarje të fuqive, por ajo ide më duket shumë e qetë, shumë e sigurt për një realitet që është shumë më i trazuar.”

Ish-mentori i tij, Tony Blair, në një fjalim në Kaliforni tha: “Të gjithë janë nxjerrë nga zona e tyre e rehatisë. Zhurma që dëgjoni nga politika është paniku për të gjetur mundësi të reja. Njerëzit po rishikojnë pozicionin e tyre në botë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo është, pa dyshim, tronditja më e madhe gjeostrategjike që mbaj mend në raport me Amerikën dhe botën.”

Sipas ish-sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, mosinteresimi i Donald Trump për të ruajtur aleancat është një “akt vandalizmi.” Ai tha se diplomatët nëpër botë po pyesnin: “Çfarë dreqin po ndodh?”

Blinken tha se Amerika ka harxhuar 80 vite duke ndërtuar besim, partneritete të forta ekonomike dhe aleanca ushtarake e politike – dhe nëse e gjitha kjo u shkatërrua brenda 100 ditësh, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të rindërtohej.

 “Kjo do të thotë që vendet po kërkojnë mënyra për të bashkëpunuar mes tyre, duke anashkaluar SHBA-në,” tha ai. “Ideja që çfarë thuhet sot do të përmbyset nesër, dhe më pas do të ndryshohet sërish, do të thotë që nuk mund të mbështeten më te Amerika. Joe Biden dikur thoshte se nuk është kurrë ide e mirë të vësh bast kundër Amerikës. Problemi sot është që njerëzit nuk vënë më bast për Amerikën.”

Pasojat e zymta të tërheqjes së Amerikës janë bërë të dukshme gjatë javëve të fundit. Ndoshta nuk jemi në një luftë botërore, por bota është në luftë.

Në Gaza, bota ka qenë dëshmitare e një bllokade mbi ushqimin, ndihmën dhe furnizimet mjekësore, në kundërshtim me urdhrat detyruese të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), që ka hyrë në muajin e tretë.

Izraeli, në kërkim të sigurisë, ka bombarduar gjatë muajit të fundit Jemenin, Libanin, Sirinë dhe Gazën. Çdo ditë, ai i kërkon SHBA-së leje për të bombarduar Iranin.

Ish-presidenti Donald Trump ka pak të drejtë të ankohet, kur Bezalel Smotrich, ministri ultra-i-djathtë i Financave i Izraelit, ndau të martën e kaluar vizionin e tij për Rripin e Gazës, duke parashikuar që brenda gjashtë muajve, popullsia e atij territori do të shtrëngohet vetëm në një zonë të ngushtë, ndërsa pjesa tjetër “do të shkatërrohet plotësisht.”

Smotrich thjesht po përsëriste një version të planit të Trumpit për ta zbrazur Gazën nga palestinezët, një plan krejtësisht në kundërshtim me kushtet e armëpushimit të cilat kishte negociuar i dërguari i tij.

Në një fjalim gjatë një “konference për vendbanimet”, Smotrich deklaroi gjithashtu se Izraeli do të “zbatojë sovranitetin” mbi Bregun Perëndimor brenda mandatit të qeverisë aktuale, që përfundon në tetor 2026.  “Brenda disa muajsh, do të mund të themi se kemi fituar. Gaza do të shkatërrohet plotësisht,” tha Smotrich. “Pas gjashtë muajsh, Hamas nuk do të ekzistojë më si ent funksional.”

Me Trumpin që heshti, u takoi evropianëve të përgjigjen. “Ka ardhur koha që Bashkimi Europian dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare të zgjohet,” tha ministri i jashtëm belg Maxime Prévot, duke e quajtur bllokadën një “turp absolut.”

“Nuk është e pranueshme që të ndalosh me qëllim ndihmën humanitare, qasjen në ushqim, kujdes shëndetësor, ujë, energji elektrike – si strategji lufte. Kjo është krejtësisht e papranueshme.”

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi: “Nëse dënojmë Rusinë për shkeljen e sovranitetit të Ukrainës, nuk mund të rrimë në heshtje kur ndodh e njëjta në Gaza. Hamas duhet të luftohet, po, por jo në kurriz të shkeljes së çdo rregulli.”

Ai kërkoi një reagim nga Evropa, por në një takim të ministrave të jashtëm në Poloni, 27 ministrat nuk arritën të bien dakord as për një deklaratë të përbashkët, e lëre më për të ndërmarrë veprime të përbashkëta si pezullimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë me Izraelin – një propozim holandez.

Ndërkohë, në Port Sudan, rruga kryesore për ndihmën humanitare në Sudan, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) shkatërruan infrastrukturën me drone, njësoj siç bombardimet izraelite kanë shkatërruar Hodeidahun, pika kryesore e hyrjes së ndihmave në Jemen.

Më 5 maj, një përpjekje e qeverisë sudaneze për të bërë përgjegjëse Emiratet e Bashkuara Arabe në Gjykatën Ndërkombëtare për drejtimin e armëve drejt RSF-së dështoi. EBA, si shumë shtete të tjera, është nënshkruese e Konventës për Gjenocidin, por ka vendosur një rezervë ligjore që thotë se respektimi i konventës prej saj, nuk është subjekt i gjykimit në ICJ.

Gjykata pranoi me ngurrim se kishte mungesë të qartë juridiksioni. Vetëm një gjykatës – Abdulqawi Ahmed Yusuf nga Somalia – votoi kundër.

Kështu, Emiratet e Bashkuara Arabe dalin me imazh pozitiv si vend që e ka nënshkruar konventën, por nuk do të gjykohen për respektimin e saj.

I është lënë Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy të bindë palët për një armëpushim, por deri tani pa sukses. SHBA-të, nga ana tjetër, e cilësojnë udhëheqjen e RSF-së si gjenocidale, por nuk ndërmarrin veprime konkrete diplomatike.

Në Kashmir, ku dy shtete me armë bërthamore javën e kaluar godisnin me raketa avionët e njëri-tjetrit, SHBA-të duket se ndërmjetësuan një armëpushim. Mbetet për t’u parë nëse marrëveshja, e ndërmjetësuar nga sekretari i shtetit amerikan Marco Rubio dhe nënkryetari JD Vance, do të mbajë – një kthesë e fortë nga qëndrimi i Vance 48 orë më parë, kur kishte thënë se SHBA nuk do të ndërhynte në konfliktin Indi-Pakistan sepse është “jashtë interesave tona.”

Në përplasjet e mëparshme mes Indisë dhe Pakistanit, ndërhyrja e SHBA-ve ka qenë vendimtare për të ulur tensionet nga të dyja palët.

Në korrik 1999, në Uashington, Bill Clinton e detyroi liderin e Pakistanit Nawaz Sharif të tërhiqej, në atë që një zyrtar e përshkroi si takimi më i rëndësishëm i presidencës Clinton me një lider të huaj. Ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo zbuloi në kujtimet e tij sa shumë i ishin afruar dy shtetet një konflikti bërthamor në shkurt 2019, diçka që ai e pengoi nga një dhomë hoteli në Hanoi.

India javën e kaluar nuk e paraqiti konfliktin si akt terrorist, por si përplasje mes dy shteteve, duke deklaruar se problemi thelbësor është që “Pakistani vepron si mburojë për terrorizmin.”

Këto konflikte mund të duken të shkëputura nga njëri-tjetri, përveçse kur flitet për një temë të përbashkët: mungesa e udhëheqjes amerikane dhe paqëndrueshmëria e përhershme.

Por në Ukrainë, sipas Fiona Hill, elementët strukturorë të një lufte botërore po bashkohen. Numri i viktimave mund të jetë ndryshe nga ai i Luftës së Dytë Botërore, por sipas ushtrisë britanike, Rusia ka pësuar rreth 900.000 viktima, shumë më tepër sesa në luftërat e saj në Çeçeni dhe Afganistan.

Për më tepër, këto luftëra janë, sipas Hill, “konflikte që ndryshojnë sistemin, me shumë vende të përfshira në mënyra të ndryshme.”

Peshkarexha me flamur kinez dhe ekuipazh rus që shkatërrojnë kabllo nënujore në Detin Baltik, janë vetëm një pjesë e luftës globale të Vladimir Putinit.

Kina, Koreja e Veriut dhe Irani janë të gjitha në mbështetje të Rusisë, disa në në mënyra më materiale, si ndërtimi i fabrikave të dronëve apo dërgimi i ushtarëve.

Shumë shtete të tjera kanë qenë të gatshme ta mbajnë ekonomikisht në këmbë Rusinë, në mënyra që vënë në pikëpyetje neutralitetin e tyre.

India, me të cilën Britania përfundoi një marrëveshje tregtie javën e kaluar, ka blerë 125 miliardë dollarë naftë nga Rusia që nga fillimi i luftës, si dhe armë ruse.

Konflikti është paraqitur nga Rusia dhe aleatët e saj si një luftë kundër hegjemonisë amerikane. Trump kishte një plan për të larguar SHBA nga vijat e zjarrit dhe për të vendosur marrëdhëniet me Rusinë mbi një bazë të re, një dëshirë që ai e ka ushqyer që nga vitet 1980.

Ai e sheh botën në mënyrë të ngjashme me Putinin – disa fuqi sovrane që ndajnë botën në zona influence. Ëndrra e tij është të rindezë Konferencën e Jaltës të vitit 1945, së bashku me Putinin dhe ndoshta Xi Jinping, me Evropën si spektatore dhe Ukrainën e copëtuar. Por organizimi i një tradhtie të tillë ka rezultuar më i vështirë se sa pritej.

Në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi i tha Zelenskyt: “Duhet të jesh mirënjohës. Nuk ke asnjë kartë në dorë.”

Por Trumpi luajti me kartat që kishte – shumë prej të cilave i hodhi poshtë me politikat e tij doganore vetëshkatërruese. Ndërkohë, doli se Zelensky kishte disa karta, të cilat i përdori me zgjuarsi: duke ofruar një armëpushim 30-ditor, një marrëveshje për mineralet me SHBA-në dhe duke e vendosur Ukrainën si një vlerë strategjike për sigurinë perëndimore.

Takimi mes Trumpit dhe Zelenskyt në funeralin e Papa Françeskut (fotografia e postuar nga shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak) kishte aromë pajtimi, por ushqente ego-n e Trump.

Një ndryshim humori në Uashington është i dallueshëm. Edhe Vance, që dikur ishte kritikuesi më i ashpër i Zelenskyt, pranoi javën e kaluar se Rusia “po kërkon shumë” dhe se Evropa dhe SHBA tani janë “në të njëjtën skuadër.”

Liderët evropianë do ta mirëprisnin këtë, por tani është e qartë në të gjithë Evropën – jo vetëm në Paris – se pavarësisht sigurisë që jep Vance, Evropa duhet të jetë e aftë të veprojë në mënyrë të pavarur nga SHBA.

Trump është qartësisht i pabesueshëm, dhe vlerësimi i tij i butë për qëllimet e Putinit nuk ndahet nga të tjerët.

Ka nisur tashmë planifikimi për një forcë sigurie evropiane në Ukrainë, ashtu sikurse edhe planifikimi për një sulm të mundshëm rus ndaj Evropës. Që nga shkurti, Franca dhe Britania, përmes një force të përbashkët, kanë formuar bërthamën e këtij planifikimi. Por tashmë kjo përfshirje është zgjeruar, me drejtues politikë të rinj që vijnë nga katër vendet e grupit Weimar+: Polonia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë për herë të parë shkuan së bashku në Kiev këtë fundjavë për të forcuar thirrjen për një armëpushim 30-ditor, që sipas tyre duhej të niste të hënën.

Por një postim në rrjetet sociale nga Trump, ku këmbëngulte që Ukraina duhet të niste menjëherë bisedimet për paqe me Rusinë, i prishi – dhe ndoshta rrezikoi – planet e kujdesshme të vendosura për të bindur SHBA-të që të vendosnin sanksione ndaj Moskës, për shkak të refuzimit të Ukrainës ndaj propozimit të Trumpit për një armëpushim 30-ditor, sipas diplomatëve evropianë.

Zelensky nuk kishte zgjidhje tjetër, përveçse të pranonte ftesën e Putinit për bisedime në Stamboll këtë javë, nga frika se mos e fyente Trumpin, sipas diplomatëve.

Putin e bëri ofertën për të mos larguar presidentin amerikan, dhe për të shmangur presionin gjithnjë e më të madh evropian ndaj Trumpit, për të vendosur sanksione më të ashpra.

Në një fjalim në Bundestagun gjerman për të shënuar Ditën e Fitores (VE Day) javën e kaluar, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier theksoi nevojën e dyfishtë që Evropa të jetë e përgatitur për luftë.

“Lufta agresive e Rusisë e ka shkatërruar rendin e sigurisë evropiane, e ushqyer nga mashtrimi imperialist se lufta në Ukrainë mund të krahasohet me luftën e madhe patriotike”.

Ai shtoi: “Fakti që tani edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat bënë kaq shumë për të krijuar dhe formësuar këtë rend, po i kthejnë shpinën atij, është një tronditje e një niveli krejtësisht të ri. Prandaj flas për një ndryshim epokal të dyfishtë – lufta e agresionit e Rusisë dhe shkëputja e SHBA nga vlerat e veta – kjo është ajo që shënon fundin e këtij shekulli të gjatë të 20-të.”

Evropa, këmbënguli ai, duhet të vendosë vetë se çfarë do të ndodhë më pas. / The Guardian – Bota.al

Back to top button