Nga Francesca Salvatore
Nëse fshati global kishte marrë pjesë – paralelisht me zhvillimin e tij – evolucionin e fenomeneve globale, i kuptuar si një reagim i barabartë dhe i kundërt ndaj ndërvarësisë së ekzagjeruar, pandemia e ka frenuar qartazi procesin e globalizimit, gati si një domosdoshmëri për të “ftohur” sistemin ndërkombëtar të “te tejnxehur” nga Covid-19.
Sindroma e rrethimit
Kjo lloj “ftohjeje” progresive ka marrë dekadën e fundit më shumë thekse ekonomike, sidomos pas krizës ekonomike e cila ashtu si një epidemi, nisi nga Shtetet e Bashkuara për t’u përhapur në pjesën tjetër të botës.
Edhe masat proteksioniste, muret e mëdha të Mijëvjeçarit të Tretë, ishin një sinjal i qartë i këtij ndryshimi të ritmit, aq sa pak para shpërthimit të pandemisë aktuale, lufta e tarifave midis SHBA-së dhe Kinës, po e dominonte axhendën gjeopolitike globale.
Pastaj pandemia imponoi një ngadalësim të mëtejshëm që bllokoi flukset e njerëzve, kapitalet, shërbimet dhe mallrat përmes rrjetave të padukshme:raftet bosh të supermarketeve na dhanë një provë tronditëse të kësaj dukurie.
Por përtej gjesteve simbolike dhe bashkëpunuese, sistemi botëror, ai i “efektit flutur”, është futur në ngërç nga një ves tjetër i së shkuarës:pashmangshmëria e efektit “kufitar”, me një aromë sovraniste. Mbajtja e maskave dhe vaksinave për vete, frenimi i njerëzve për të lëvizur, duke krijuar sindromën e rrethimit të plotë.
Së bashku me të, vendet e “rrethuara”kanë qenë shpesh dëshmitare të një rikthimi masiv të të mirë-arsimuarve që emigruan dikur jashtë vendit, të cilët pasi kanë humbur punën e tyre, ose kanë kaluar në punët inteligjente (smartworking), kanë vendosur të rikthehen në shtëpi.
Pra, emigrantët nga Evropa Lindore që rikthehen në vendet e tyre të origjinës, dhe që vaksinohen me Sputnik në San Marino. Ose fenomeni ‘south working’, që ka sjellë rikthimin e mijëra emigrantëve të kualifikuar në vendet e tyre të origjinës, duke vazhduar që të punojnë në distancë për vendet që i kishin mirëpritur.
Rezultati i këtyre vektorëve, kaq të ndryshëm në intensitet dhe drejtim, është ende në zhvillim e sipër, dhe do të duhet edhe pak kohë për të parë sesa kjo pandemi na ka bërë më pak globalë.
Efektet “sovranizuese”
Një dukuri tjetër de-globalizuese, ka qenë padyshim dështimi i qeverisjes në shumë nivele brenda organizatave kryesore rajonale dhe jo-rajonale. Koordinimi për luftën kundër pandemisë, ndarja e protokolleve dhe procedurave, hetimet mbi origjinën e Covid-19 nuk kanë qenë në thelb dukuri të bashkëpunimi.
Askush nuk mund të na thotë nëse ndërvarësia e pas Luftës së Ftohtë, e krijuar gjithashtu nga qeverisja mbi-kombëtare, vetëm është pezulluar për momentin apo nëse ajo mori fund pas Vuhanit:e sigurt që në provën e saj të parë pas Luftës së Dytë Botërore, u refuzua me vendosmëri nga shtetet.
Kësaj i shtohet edhe testi i provuar i suksesit të disa politikave të mbylljes absolute (Britania e Madhe, Australia, por edhe Kina) të cilat shënojnë një pikë në favor të mbështetësve të de-globalizimit. Efekti i dytë, me sa duket i natyrës sovraniste, peshën e të cilit nuk jemi ende në gjendje ta vlerësojmë, do të jetë pika e kthesës mbi politikat e emigracionit.
Hendeqet në drejtim të sistemeve shëndetësore, shpërndarja e vaksinave midis veriut dhe jugut të botës, rrezikon që t’i shndërrojë emigrantët në të ardhmen e afërt, në bartës të virusit në zonat që po rikthehen dalëngadalë në normalitet. Kjo mund të çojë në një shtrëngim progresiv të politikave të azilit dhe të pritjes së tyre, në të njëjtën epokë që po inkurajon presionet nativiste të fshehura për arsye pseudo-shëndetësore.
Si po ndryshon sistemi ndërkombëtar
Nga ana tjetër, duke parë aspektet teknike të një sistemi global jo të ndërvarur, duket se po lind një sistem që nuk ka shtetet në krye. Një element që nga ana tjetër, karakterizoi dikur si Luftën e Ftohtë ashtu edhe botën globale:rënien e SHBA-së, shprehja paradigmatike e së cilës ishte sulmi i një turme mbi Capitol Hill, i bashkuar me një “përbindësh” kinez që e ka shpallur veten fitues përballë pandemisë dhe si një bastion ekonomik, por jo si një model i zhvillimit dhe demokracisë që duhej ndjekur.
Në mes gjendet Bashkimi Evropian, i mbërthyer midis dëshirave dhe nevojave të tij, në mëshirën e fëmijëve mosmirënjohës që shkatërrojnë trashëgiminë e baballarëve të tyre. Në mungesë të një ose më shumë vendeve kryesore rreth të cilave mund të sillen të tjerët, bota e globalizuar shndërrohet në një plejadë të huajsh që shkëmbejnë dhe komunikojnë me njëri-tjetrin vetëm kur detyrohen ta bëjnë këtë, por pa krijuar ndonjë varësi reale.
Në një sistem të tillë, procesi i de-globalizimit nuk është vetëm një pasojë, por ai bëhet një domosdoshmëri. Dhe ashtu si lufta që farkëtoi dikur shtetin-komb, edhe pandemia duket se farkëton shtetin në një kuptim të vendosur izolacionist.
Megjithatë të besosh se de-globalizimi është vetëm një gjendje aktuale e sistemit, është naive dhe shpërfill historinë. Për këtë arsye ne flasim për globalizimin në shumës, për të përcaktuar momente të tjera të zgjerimit të ndërvarësisë ndërkombëtare, të tilla si ajo e viteve 1850-1914. Kriza ekonomike e vitit 2008 gjeneroi një valë të re të de-globalizimit, shumë kohë përpara pandemisë:përhapja e Covid-19, vetëm sa ka forcuar një proces tashmë në zhvillim e sipër.
Në vitet 1930 demokracitë e mbështetën tregtinë e lirë, dhe de-globalizimi u nxit nga vendimet autokratike për të forcuar vetë-mjaftueshmërinë e vendeve. Në vitet 2010, institucionet politike janë po aq domethënëse sa dikur. Por vendimet demokratike si zgjedhja e një presidenti ose një gjest si Brexit, janë faktorët kryesorë të ngecjes së ndërvarësisë.
Por paradoksalisht, nëse de-globalizimi duket të jetë mjeti për të reaguar ndaj krizave të sigurisë,mund të jetë gjithashtu shkaku i marrëdhënieve gjeopolitike gjithnjë e më jetike:ndërveprimi i zvogëluar ndërkombëtar dhe rritja e ulët ekonomike, stimulojnë politikat proteksioniste, të cilat nga ana tjetër, rrisin rrezikun e konfliktit. / Il Giornale – Bota.al