AnalizaBotaMAIN

A rrezikon të shembet regjimi komunist në Korenë e Veriut?

Nga Naoko Aoki

“National Interest”

Pavarësisht problemeve ekonomike serioze, Koreja e Veriut mbetet për momentin e qëndrueshme, gjë që do të thotë se vendi komunist nuk ka gjasa të kalojë në kaos ose kolaps. Kjo sepse lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un, duket se ka një kontroll të fortë të pushtetit, gjë që i jep atij mundësinë të neutralizojë në kohë çdo kërcënim të brendshëm.

Ndërsa mungesa e ushqimit dhe pasiguritë e tjera ekonomike paraqesin rreziqe për Kim, dhe nëse ato do të çojnë në një destabilitet më të gjerë për vendin e izoluar, kjo gjë mbetet të shihet. Ekzistojnë të gjitha shenjat se Kim ka aktualisht nën kontroll të gjitha institucionet shtetërore dhe shoqërinë koreano-veriore, çka është një parametër matës i rëndësishëm i stabilitetit politik të Koresë së Veriut.

Kim ka vazhduar që të drejtojë aktivitetet politike javët e fundit, përfshirë një takim 4-ditor të Partisë së Punëtorëve të Koresë se Veriut, që përfundoi në mesin e këtij muaji. Paraqitjet e tij në mediat shtetërore nuk tregojnë ndonjë zhvillim, që të sugjerojë shpërthimin e afërt të trazirave politike.

Megjithatë është fakt që Koreja e Veriut, po përballet me sfida të mëdha ekonomike. Në krye të kësaj liste është mungesa e ushqimit, e cila i detyrohet pjesërisht vendimit të Koresë së Veriut për t’i mbyllur kufijtë e saj, me synimin parandalimin  e përhapjes së madhe të koronavirusit në vend.

Kim bëri një deklaratë të pazakontë në fillim të këtij muaji, kur e pranoi vendi i tij po përballet me një situatë ushqimore “të tensionuar”, gjë që tregon seriozitetin e problemit.

Ndërsa Koreja e Veriut pretendon se nuk ka asnjë rast me koronavirus, masat ekstreme që ka marrë vendi për të parandaluar depërtimin e pandemisë, e kanë dëmtuar ekonominë e saj në aspekte që shkojnë përtej mungesës së ushqimit.

Raportet mediatike tregojnë se vendi komunist po përjeton gjithashtu prishje të zinxhirëve të furnizimit, një mungesë të theksuar të mallrave më jetikë dhe çmime shumë të luhatshme.

Nëse probleme të tilla ekonomike do të përkeqësohen më tej apo jo, kjo gjë do të varet pjesërisht nga shkalla në të cilën Kina, partnerja më e madhe tregtare e Koresë së Veriut dhe aleati politik tradicional, do ta ndihmojë Korenë e Veriut përmes ndihmës zyrtare dhe jozyrtare.

Gjithashtu, kjo do të varet nëse Koreja e Veriut, e cila është jashtëzakonisht e kujdesshme ndaj pandemisë së Covid-19, do të hapë kufirin e saj me Kinën, për të lejuar kalimin e produkteve ushqimore për të parandaluar kësisoj një krizë humanitare.

Një përkeqësim i situatës ushqimore dhe i ecurisë së përgjithshëm ekonomike të Koresë së Veriut, paraqesin shumë rreziqe për Kim, pasi mund të rritet pakënaqësia midis qytetarëve të Koresë së Veriut, të cilët kanë duruar për dekada pasojat e keq-menaxhimit ekonomik të regjimit.

Duke pasur parasysh kontrollin e fortë të regjimit të Kim mbi opinionin publikun, pakënaqësia në nivelin e qytetarëve të zakonshëm, nuk ka gjasa ta kërcënojë regjimin. Tek e fundit, edhe një zi buke në shkallë të gjerë në vitet 1990 që vrau miliona njerëz, nuk shkaktoi ndonjë trazirë masive.

Një rrezik më i madh për Kim Jong-un mund të vijë nga pakënaqësia në mesin e elitës drejtuese të Koresë së Veriut, që mund t’u japë më shumë pushtet grupeve brenda sistemit, si për shembull në ushtri. Edhe nëse do të ndodhë kjo, mund të mos rrezikojë domosdoshmërisht stabilitetin e regjimit.

Faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në stabilitetin e Koresë së Veriut, përfshijnë një shpërthim masiv të koronavirusit, të cilin sistemi shëndetësor i Koresë së Veriut është i pajisur shumë keq për ta menaxhuar si duhet.

Duke pasur parasysh rëndësinë e udhëheqësit në sistemin e Koresë së Veriut, çdo problem me shëndetin e Kim, për të cilin ka informacion të kufizuar, mund të përbëjë një kërcënim më të drejtpërdrejtë për stabilitetin e regjimit. Por tani për tani, Koreja e Veriut duket e qëndrueshme, dhe shumë të ngjarë të qëndrojë e tillë, të paktën për një periudhë të afërt.

Shënim: Naoko Aoki, ndihmës profesor në Universitetin Amerikan dhe bashkëpunëtor kërkimor për Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Universitetin e Merilendit, SHBA.

Back to top button