Horizonti.al

A zgjoheni shpesh natën? Një studim i fundit thotë se nuk është dhe aq problem

Të gjithë janë të prirur të mendojnë se një gjumë i mirë gjatë natës duhet të jetë i pandërprerë, që nga momenti kur vëmë kokën në jastëk dhe deri kur bie zilja e alarmit të celularit në mëngjes. Por në realitet nuk është kështu, siç konfirmohet edhe nga një studim i kryer nga Universiteti i Kopenhagës, i kryer tek minjtë, që regjistroi deri në 100 mikrozgjime të natës. Dhe ai arriti në përfundimin se ato nuk janë vetëm normale, por edhe një tregues i gjumit të qetë me një përfitim të madh për konsolidimin e kujtesës.

Çfarë ndodh gjatë gjumit

Sipas studiuesve, mikrozgjimet shkaktohen nga norepinefrina, një hormon stresi i lidhur me mekanizmin “lufto ose ik”, që ndihmon për të qëndruar të fokusuar. Ai është gjithmonë aktiv gjatë orëve kur jemi zgjuar. Por jo vetëm. “Ne kemi vënë re që norepinefrina mund të shkaktojë deri në 100 mikrozgjime gjatë natës, të cilat nuk janë zgjime të vërteta. Në aspektin neurologjik, ju jeni zgjuar sepse aktiviteti juaj i trurit është i njëjtë si gjatë ditës, por këto momente janë aq të shkurtra, dhe as që mund të vërehen”- thotë Mie Andersen, një nga autorët e studimit.

Pikërisht ato pak sekonda zgjimi janë të shoqëruara me një forcim të kujtesës dhe konsolidim të kujtimeve të ditës. “Është tamam si një rivendosje e trurit, që përgatitet të lërë mënjanë kujtimet e tjera kur të kthehet në gjumë”- shton Maiken Nedergard, autori kryesor i hulumtimit.

Studimi

Studiuesit futën fibra optike mikroskopike në trurin e disa minjve. Më pas matën nivelet e norepinefrinës kur kafshët flinin, duke i krahasuar ato me aktivitetin elektrik të trurit. Po kështu ata vëzhguan valët e neurotransmetuesit, që rriteshin dhe zvogëloheshin vazhdimisht çdo 30 sekonda ose më shumë. Një nivel i lartë i tyre, korrespondonte me një mikrozgjim.

Minjtë që kishin mikrozgjimet më të gjata, kishin më pak vështirësi në kujtesën e tyre.

Gjatë ditës, minjtë u angazhuan të nuhasnin dy objekte identike. Pas orëve të gjumit, sapo zgjoheshin, ata vendoseshin para objekteve, por njëri ishte ndryshe nga ai i mëparshmi. Minjtë me mikro-zgjimet më të gjata kishin më shumë gjasa të studionin objektin e ri, duke kujtuar se nuk ishin aty një ditë më parë.

Një mekanizëm ende i paqartë

“Dihet se mikrozgjimet më të gjata ndodhin pas një faze gjumi më të thellë dhe më të konsoliduar. Por a i sjellin ato përfitime kujtesës? Këtë gjë nuk e dimë ende me siguri”- shprehet Luixhi Ferini Strambi, neurolog dhe drejtor i Qendrës së Mjekësisë së Gjumit të spitalit “IRCCS San Raffaele në Milano”.

Gjithsesi, është vërtetuar se këto zgjime shumë të shkurtra janë normale dhe të dobishme për mekanizmin e forcimit të kujtesës. Po ashtu studimi konfirmon se gjumi është një gjendje dinamike dhe jo statike, siç mendohet zakonisht. Dhe në të ndikon jo vetëm norepinefrina, por edhe acetilkolina, një neurotransmetues tjetër, që aktivizohet në faza të caktuara të gjumit.

Zgjimet e mira

Ndodh që zgjimet e natës t`u shkaktojnë ankth disa njerëzve, sidomos nëse vuani nga pagjumësia. Por sipas Ferini Strambi, kjo është e tepruar. “Nuk keni nevojë të shqetësoheni për 3-4 zgjime të shkurtra të perceptuara gjatë natës. Mendja jonë është shumë e përqendruar më shumë rreth tyre, se sa tek të gjitha orët e gjumit që kanë ndodhur në të vërtetë.

Zgjimet e vogla janë normale, ato janë pjesë e mikrostrukturës së gjumit. Siç e kemi parë nga studimi i fundit zgjimet të tilla janë pozitive. Për shembull edhe tek të moshuarit, ato mund të parandalojnë rrahjet e parregullta të zemrës gjatë natës të shkaktuara nga ngurtësia e tepërt e sistemit vagal”- thotë ai.

Por nëse është vapa e madhe ajo që e ndërpret gjumin, zhurma në rrugës apo ndonjë agjent tjetër i jashtëm, dhe nëse qëndroni me sy hapur për një kohë të gjatë, atëherë nuk mund të flasim më për mikrozgjime, por për ndërprerje reale të gjumit, që nuk janë aspak të  dobishme.

Back to top button