Realiteti Shqiptar

Administratat doganore të CEFTA-s dakordësim teknik për një sistem elektronik

Menaxhimi i riskut doganor është aspekt kyç për identifikimin sistematik të riskut dhe zbatimin e masave të nevojshme për lehtësimin e tregtisë së ligjshme, për kufizimin e ekspozimeve ndaj riskut dhe për përmirësimin dhe optimizimin e kontrolleve. Administratat doganore në sistemet ekonomike të CEFTA-s kanë rënë dakord në nivel teknik me Draft Vendimin për krijimin e një sistemi elektronik për të lehtësuar menaxhimin e përbashkët të riskut që lidhet me tregtinë e mallrave ndërmjet tyre. Në mbledhjen e mbajtur në Budva, Mal të Zi, palët kanë përcaktuar një kuptim të përbashkët rreth aspekteve teknike të shkëmbimit të të dhënave për përfitimet e menaxhimit të riskut në rajon.

Zbatimi i Vendimit do të mundësojë përcaktimin dhe shtjellimin në praktikë të një qasje rajonale për një menaxhim të përbashkët të riskut. Këto sisteme të menaxhimit të riskut që rezultojnë të përmirësuara do të sjellin përparësi në shënjestrimin e riskut të lartë dhe do të përshpejtojnë zhdoganimin duke rritur cilësinë e kontrollit doganor. Menaxhimi i përmirësuar i riskut kërkon forcimin e bashkëpunimit me autoritetet e tjera që operojnë në pika kufitare në mënyrë që formalitetet në kufi të përshpejtohen në dobi të bizneseve.

Ndërsa administratat doganore të shumicës së vendeve Palë të CEFTA-s kanë arritur një nivel të caktuar të menaxhimit të riskut, autoritetet dhe agjencitë e tjera kufitare shfaqin ende boshllëqe për sa i përket kapaciteteve dhe mjeteve të disponueshme, të cilat shpesh sjellin inspektime më të gjata, të tepërta dhe të njëpasnjëshme. Gjithashtu, shkëmbimi i informacionit lidhur me riskun ndërmjet administratave doganore të CEFTA-s është ende në një fazë fillestare. Pas miratimit të Vendimit, do të hidhen hapat e nevojshme për krijimin e një Baze të Dhënash për Parregullsitë në funksion të menaxhimit të riskut dhe shkëmbimit të të dhënave për Profilet e Riskut brenda CEFTA-s, si dhe prodhimin e Sinjalizimeve Doganore të Shpejta dhe Raporteve të Inspektimit brenda CEFTA-s.

Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH është autorizuar nga Komisioni Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) për zbatimin e projektit “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”. Projekti synon të ofrojë mbështetje për Strukturat e CEFTA-s në përpjekjet e tyre për të thelluar më tej integrimin ekonomik rajonal dhe përafrimin me acquis të BE-së. Lidhur me “Menaxhimin e Integruar të Riskut”, projekti do të ofrojë mbështetje për Strukturat e CEFTA-s për zbatimin e angazhimeve që rrjedhin nga Strategjia e Menaxhimit të Riskut Doganor 2020-2024 dhe Udhërrëfyesi i Strategjisë.

Back to top button