Realiteti Shqiptar

Ata jetojnë për të na treguar sa të varfër jemi. Go to Karavasta!

Nga Ben Blushi

Karavastaja duket si një plazh në  të cilin kohët nuk janë ndërruar.

Mos ishte për makinat dhe celularët do dukej sikur aty ishte viti 1982.

Gratë e shtrira në natyrë lëshojnë gjurmët e tuleve, rrudhave dhe barrave ciklike, si vula të autoritetit të tyre mbi rërë.

Burrat luajnë tavëll apo flenë poshtë çadrave duke i shtyrë gratë në diell. Në darkë me siguri grinden me gratë kush është nxirë më shumë.

Pleqtë kanë ftohtë dhe mbulohen gjithë kohën me peshqirët e lagur të nipërve dhe mbesave.

Fëmijët nxjerrin kokat mbi dallgë duke e kthyer gjithë plazhin e Karavastasë në një kamp fushor, ku duket sikur ca njerëz nga e shekulli i kaluar kanë qëndruar aty për tu freskuar.

Karavastaja jeton në shekullin e kaluar.

Aty nuk ka asnjë gjurmë të ditëve tona, të plazheve me pagesë, me ushqim në çadër, me muzikë apo me vajza të lyera me rimel dhe të djemve të qethur shkurt që ngjajnë të gjithë si binjakë të Noizit.

Në Karavasta nuk ka energji elektrike.

Nuk ka asfalt.

Nuk ka muzikë me zë të lartë.

Nuk ka parking.

Makinën mund ta lesh ku të duash, në çadër, poshtë çadrës, afër çadrës, në rërë, në det, në lagunë, mund ta përdorësh si varkë për ti bërë shëtitje gruas apo si rrjetë për të kapur peshq.

Në Karavasta nuk ka asnjë shezlong.

Çadrat janë bashkimi i katër shkopave me një çarçaf.

Lodrat e fëmijëve janë bashkimi i një shkopi me një gropë.

Plazh quhet bashkimi natyral i diellit, rërës dhe detit.

Në Karavasta ka ujë.

Po nuk ka çezëm.

Ka pije.

Por nuk ka kamarier.

Nuk ka polic.

Nuk ka roje plazhi.

Nuk ka tualet.

Çdo burrë është kamarieri i familjes së vet dhe çdo grua është kuzhinierja e barkut të vet.

Karavastaja është një wild beach.

Diku në fund të plazhit një karavastajas nevojtar ka ndërtuar një tualet me perde, që duket si një dhomë zhveshjeje në një sfilatë vintage.

Laguna ka rregullat e veta që i bëjnë ballë grykësisë së njeriut për të ndërtuar aty ku nuk mundet.

Në 30 vite ujërat e Adiatikut i kanë marrë Karavastasë më shumë se 500 metra tokë.

Konkurrenca e specieve funksionon me përpikmëri duke provuar teoritë natyraliste të Charles Darwin.

Kohët e fundit gaforret blu kanë filluar të zhdukin çdo specie tjetër përfshi karkalecat, peshqit dhe sidomos ngjalat.

Këto gaforre quhen blu sepse me këtë ngjyrë dalin nga deti, por kur përfundojnë në pjatë ato bëhen të kuqe.

Pa dyshim kjo është një specie inteligjente që duke jetuar në det, ndjek modën e ngjyrave në tokë.

Pak para se të shkosh në plazh është Sektori 1 Adriatik.

Sektori 1 përbëhet nga katër pallate parafabrikat të zeza nga dielli që i rreh gjithë  vitin dhe të mbushura me nishane të bardha, nga tarraca në themel.

Janë depozitat e ujit dhe pjatat satelitore.

Ne Sektorin 1, kanë jetuar të internuarit.

Tani nuk ka mbetur më asnjë prej tyre.

Njëlloj si gaforret blu, gramshiotë, librazhdas dhe skraparllinj i përzunë të përndjekturit nga shtëpitë, ua morrën dhe u vendosën aty.

Ata qëlluan të gjithë blegtorë.

Nuk e duan detin sepse kanë ardhur nga toka.

Sektori 1 është një fermë kolektive.

Patat, lopët dhe dhitë jetojnë bashkë me njerëzit.

Në dimër laguna kthehet në një ishull për flamengot dhe pelikanët e uritur.

Unë mezi po pres të shkoj në tetor për të fotografuar të gjitha mbetjet e kohës në Karavasta.

Do isha larë dhe dje nëse nuk do më dukej sikur po i bezdisja plazhistët me aparatin tim fotografik, me të folurën time sintetike dhe veshjen time të shëmtuar, si pasojë e shekullit ku jetoj.

Njerëzit në Karavasta kanë marrë zakonet e gaforres blu.

Ata zbojnë të gjithë ata që vijnë nga ky shekull për të parë si kanë jetuar njerëzit e shekullit të shkuar.

Kontrasti me ne është lumturia e tyre më e madhe.

Natyra është pasuria e tyre e vetme.

Ata jetojnë për të na treguar sa të varfër jemi.

Go to Karavasta

Hasta la Vista

Vista la Hasta

Back to top button