Motivuese

“Ai abuzoi me mua në mënyra që askush s’mund t’i imagjinonte”. Historia e trishtë dhe frymëzuese e Najwa Zebian

“Ai abuzoi me mua në mënyra që askush s’mund t’i imagjinonte. Më ofendonte se isha tepër e ndjeshme, e sjellshme dhe e sinqertë. Kështu që fillova të ndërtoja mure rreth vetes duke mos i lejuar shumë njerëz të hynin në jetën time, jo sepse mendoja se do të më lëndonin, por sepse nuk mendoja se kisha mjaftueshëm vlera sa për të qenë pjesë e jetës së tyre.

Unë arrita të njihja dikë që më bëri të kuptoja vlerat e mia. Deri në atë moment doja vetëm të njihja dikë që të mund të më kuptonte dhe ai arriti të më dëgjonte e të më kuptonte derisa një ditë, edhe ai si çdokush e si çdo gjë në jetë, vendosi të largohej prej meje. Në atë moment unë u ktheva në vitet e adoleshencës sime, kur e fajësoja veten për gjithçka. Mendoja se çdo gjë që kisha bërë, e kisha bërë gabim, sepse nuk kisha asnjë vlerë si person.

Një natë, gjatë kohërave më të vështira të jetës sime, babai im hyri në dhomën time dhe më tregoi një foto ku ishim të dy dhe unë kisha shtrënguar dorën e tij. Fjalët e tij ishin: “Ndërsa më shtrëngoje dorën në këtë foto, unë të shihja në sy dhe mendoja me vete: “Kjo vajzë do të ecë shumë larg në jetë””. Ajo fjali më bëri të reflektoja gjatë dhe pasi shkova përballë pasqyrës, e pashë veten time më qartë se kurrë ndonjëherë më parë dhe më dukej sikur personi në pasqyrë nuk më përfaqësonte mua në të vërtetë. Ai person ishte si një qiell me re, i cili nuk e dintë nëse duhet të sillte shi apo diell në tokë. Kjo gjë më shtyu të shkruaja për dhimbjet e mia. S’e keni idenë se sa më ka ndihmuar kjo gjë. Sa më shumë që shkruaja për dhimbjen time, aq më shumë fitoja guxim…

Kjo botë ka nevojë për njerëz, të cilët nuk kanë frikë që janë njerëz, që janë të ndjeshëm, që e tregojnë hapur se kush janë, apo që nuk kanë frikë të ndërmarrin rreziqe. Mbi të gjitha, bota ka nevojë për njerëz që e ngrejnë zërin e tyre dhe thonë: “Kjo gjë më ndodhi mua dhe kështu arrita t’ia dal mbanë”. Mirëpo gjëja më e guximshme që unë kam bërë ndonjëherë, ishte të qëndroja përballë personit që më keqtrajtoi, ndërkohë që të gjithë i jepnin të drejtë, dhe t’ia thoja në sy: “Unë nuk e meritoja atë që më bëre. Ajo gjë nuk duhet të më ndodhte kurrë”. Këtë gjë duhet të bësh edhe ti që lexon historinë time. Edhe kur gjithë të tjerët të thonë se je në gabim, je ti që e ke jetuar historinë tënde, ndaj mos i jep askujt të drejtë të tregojë nëse je në gabim apo jo.

Dua ta mbyll me diçka akoma më të rëndësishme. Ai burrë më thoshte përherë: “Kush mendon ti se je?”. Sot, unë atij i them me plot guxim: “Unë jam Najëa Zebian. Unë jam një heroinë, një luftëtare dhe një fitimtare”. Ndaj, nëse edhe juve jua bëjnë pyetjen: “Kush mendoni se jeni?”, a e dini tani se çfarë të thoni?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close