Keaton lindi me sindromin Down. Nëna e tij, Paula, tregon eksperiencën e saj në rritjen e një djali me këtë sindrom. Ajo përshkruan se si Keaton ndihet i lumtur, kur i bën të tjerët të lumtur përmes ndihmës apo shërbimit për ta.
“Im shoq dhe unë ishim të dy rreth 40 vjeç. Kishim tri vajza të bukura, të cilat po hynin me nxitim në adoleshencë, por diçka na shtynte të mendonim se nëse do të bënim dhe një fëmijë të katërt, ndoshta do ta shtynim periudhën kur ndihesh vërtet “i plakur” në jetë. Kështu që bëmë çfarë menduam. Planifikuam ardhjen në jetë të një fëmije të katërt.
Pas 36 orësh të lodhshme në maternitet, u kthyem në shtëpi me djalin tonë. Bashkëshorti im ishte i bindur se ai kishte lindur me sindromin “Down”, ndërkohë unë thjesht mendoja se ai kishte vetëm njërën këmbë të shtrembër, të kthyer brenda, por isha e sigurtë në vete se kjo gjë mund të rregullohej përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, apo fizioterapisë. Dy anëtarë të kishës ku ne shkonim, si dhe një mjek familje, na siguruan se kurrsesi nuk mund të kishte sindromin Down, pasi kishte tkurrje të mira muskulare, si dhe qante me zë.
Pas 7 muajsh mohimi, vendosëm t’i bënim një test gjenetik, i cili konfirmoi se djali ynë i bukur, vuante prej sindromit “Down”, ose trizomisë së 21-të siç njihet në gjuhën mjekësore. Ishim me fat që kishim një mjek gjenetist, i cili na motivoi pamasë dhe më këshilloi ta rrisnim djalin, njësoj si vajzat tona.
Mbaj mend që e pyeta: “Çfarë mendon për të?” dhe ai ma ktheu: “Mendoj se është një djalë i mrekullueshëm”.
Unë këmbëngula: “Jo, dua të pyes, çfarë mendon se është i aftë të bëjë?” dhe ai m’u përgjigj: “Vetëm ai do ta tregojë këtë gjë, por ai do të jetë i aftë të bëjë çdo gjë që bëjnë edhe të tjerët, vetëm se do i duhet më tepër kohë”.
Keaton iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për problemin me këmbën, por edhe një tjetre për një defekt të lindur në zemrën. Të dyja këto përpara moshës 2 vjeçare. Në atë kohë vrisja mendjen nëse ai do të mund të fliste apo të ecte ndonjëherë, ndërkohë që tashmë ai flet, këndon dhe kërcen. Më lumturon pamasë kur e shoh të gëzuar, teksa ndihmon të tjerët.
Çdo fazë e jetës së Keaton na ka sjellë sfida të reja dhe Zoti na ka ndihmuar duke na dhënë durim për ta kaluar çdo fazë. Shpresoj që çdo prind të mos dekurajohet nga lindja e një fëmije të tillë, me kohën do ta kuptoni se sa jeni gabuar, pasi do t’ju lumturojnë pamasë”.