Personazhe

Al Pacino, për Al Pacinon. Rrëfimi i një legjende

Screen Shot 2016-05-21 at 07.10.57Kur kalojnë të shtatëdhjetat, shumë divë të kinemasë punësojnë një shkrimtar, i cili shkruan në emër të tyre një libër me kujtime pak a shumë pikante, pak a shumë interesante. Herë pas here shfaqen në një film apo ndonjë aktivitet bamirësie. Disa krijojnë iluzionin se mund të ndalin kohën, me ndihmën – gjithmonë të kotë – të kirurgëve estetikë, dhe vazhdojnë të provojnë role ku shndërrohen në karikatura të vetvetes.

Al Pacino ka ndjekur një rrugë të ndryshme. Nuk ka pushuar asnjëherë së bëri teatër: shumë pjesë të Shekspirit, por edhe të Juxhin Onillit, Oskar Uajlldit dhe Dejvid Mamet, nga i cili po përgatit një shfaqje të re në Brouduej. Ashtu si shumë kolegë, ka patur betejat e tij kundër alkoolizmit dhe depresionit. Gjatë viteve, ka patur edhe faza kur as nuk ka vënë këmbë në sheshxhirimet e kinemasë. Por, pak a shumë si Majkëll Korleone, i cili i kish premtuar vetes të linte “biznesin e familjes”, por pa ia dalë mbanë kurrë, ka patur gjithmonë diçka për ta “rithithur brenda”, si një dashuri e vjetër që nuk perëndon asnjëherë. Dhe tani që ka kapërcyer pragun e tre çerek shekujve, Alfred James Pacino, i quajtur Al, duket se e ka përqafuar me shije moshën e tij. I është futur eksplorimit të domethënies së të qënurit një burrë 75 vjeç, me një seri filmash të përqëndruar në temën e moshës, në të cilët është pothuajse gjithmonë e pamundur të bësh dallimin mes tij dhe personazheve të tij, të kuptosh se ku mbaron i pari dhe ku fillon i dyti. Në vitin 2008, tek filmi “Sfidë pa rregulla”, ishte një polic i moshuar. Tre vjet më parë, tek “Burra të fjalës” u shndërrua në një gangster të moshuar. Vitin që kaloi erdhi “The Humbling”, i bazuar në një roman të Filip Rothit, ku luan rolin e një aktori të moshuar që nuk i kujton më batutat. Dhe tani është “Deni Kollins”, ku është një rrok star i moshuar që ka shitur shpirtin për të arritur famën, paratë dhe vajzat 50 vjeç më të reja se ai, dhe që kërkon çlirimin e shpirtit.
Thua Al Pacino, dhe të vijnë menjëherë në mendje një seri rolesh të paharrueshëm, disa prej të cilëve të interpretuar kur ishte vetëm 30vjeç: Majkëlli i “Kumbarit”, kur ishte një gjysmë i panjohur dhe Frensis Ford Kopolës iu desh të përplaset fort me Paramount Pictures, që në gjysmën e xhirimeve të filmit të parë donte ta dëbonte (nuk ishte bukurosh sa duhej); Soni Vorcik, tek “Pasdite e një dite prej qensh”; Toni Montana tek “Njeriu me shenjë”; Lefti, tek “Doni Brasko”. Filmat e rinj mund të prodhojnë një imazh të ri, po aq të paharrueshëm të Al Pacinos, përveç se aktin e tretë të një karriere që përfshin një Oscar, tetë kandidime, pesë Golden Globes, dy Tony dhe një Emmy. Janë filma që eksplorojnë çështje të cilave Hollivudi zakonisht u rri larg: çfarë ndodh kur ke qenë dikushi, dhe krejt papritur nuk je më? Kur ti, brenda teje, ndihesh njësoj, por të gjithë të thonë që jo, nuk je? Kur ke mbi shpatulla shumë vite suksese dhe kaq shumë përvoja njerëzore dhe profesionale, çfarë ka me të vërtetë rëndësi?

Ashtu si shumë njerëz të druajtur, Al mund të shfaqet arrogant. Ashtu si shumë aktorë, reciton edhe atëherë kur nuk e di. Ka krijuar përreth vetes një mur mbrojtës. Por në këtë fazë të tretë të jetës së tij shumë të jashtëzakonshme dhe publike është më i hapur, më i prekshëm, më shumë autoironik. Dhe më reflektues.

Kanë kaluar 45 vjet që kur debutuat në Brouduej duke fituar menjëherë një Tony me “Panik në Nidëll Park”, filmi i parë. Ju jep ende kënaqësi recitimi?

Unë jam bërë i famshëm krejt papritur, dhe për vite të tërë ka qenë si të jetoje brenda një Big Bangu, shpesh herë në gjendje ndryshimesh mendore. Pa hyrë në shumë detaje, le të themi që kujtimet e mia të atyre ditëve janë pak të mjegullta dhe që gjithçka ishte shumë e çuditshme. Sot më pëlqen të recitoj, edhe sepse vihem në kërkim të gjërave me të cilat kam një lidhje të thellë, me të cilat mund të shpreh atë që ndiej. Kërkoj histori të lidhura me jetën time, me përvojat e mia: duke lexuar romane dhe poezi, duke u shfaqur në teatër, duke punuar me Shekspirin apo me orkestra sinfonike. Mund t’i lejoja vetes të mos punoja, jam një njeri me fat, por sa kohë që do të ketë sfida dhe mundësu, sa kohë që të mbahem në këmbë, unë këtu do të jem.

Me të njëjtin pasion si gjithmonë…
Jam në këtë profesion prej 50 vitesh. Atëherë aktorët duhej të ishin bukuroshë, por më pas erdha unë… Kam patur ulje- ngritjet e mia, madje kam bërë edhe gjëra vetëm për të mbijetuar: mund të ndodhë, kur bëhesh i famshëm është e lehtë të harrosh përse e bën atë që bën, prej ku je nisur. Me kalimin e viteve kam mësuar që në jetë ekzistojnë ciklet, dhe duke u plakur kam hyrë në atë cikël ku dua të bëj punë me të cilat ndiej një lidhje të thellë: si “The Humbling” dhe tani “Deni Kollins”. Më ndodh edhe me teatrin: për t’u ngjitur në një skenë tetë herë në javë duhet të kesh vërtetë dëshirë, më besoni. Ndonjëherë ndihesh i lodhur, ndonjëherë ke fjetur keq një natë më parë, apo ke diçka në kokë që të shqetëson. Ndonjëherë i harron batutat, apo i përsërit ato. Ndonjëherë – dhe kjo më ka ndodhur – je në skenë për Hamletin dhe fillon të recitosh Jul Cezarin. Duhet të kesh diçka vërtetë të fortë, brenda, që të të shtyjë përpara. Të recitosh është ndryshe nga sa është t’i biesh një vegle muzikore. Kur reciton ti je vetë instrumenti.

Recitimi tashmë është pjesë e identitetit tuaj.
Nëse je aktor, është e pashmangshme që historia jote, fëmijëria jote, të hyjnë në atë që reciton. Po, bëhet pjesë e identitetit tënd. Por pasi e ke bërë për pak kohë, sidomos nëse ke një familje, fëmijë, interesa të tjerë, mësonq ë t’i ndash gjërat: nga njëra anë është profesioni, nga ana tjetër jeta. Të paktën kështu besoj.

Vitet nuk kanë kaluar vetëm për ju. Ka ndryshuar edhe e gjithë industria e kinemasë.
Filma si “Panik në NIdëll Park” dhe “Pasdite prej qensh” sot do të konsideroheshin produksione të pavarur, por kur kam filluar unë, ishin studiot që i prodhonin. Sot ka rëndësi mbi të gjitha marketingu: nëse nuk ke prapa një ekip që beson në filmin dhe ta promovojë, askush nuk shkon ta shohë. Kanë ndryshuar shumë gjëra në kinema: një herë e një kohë, për shembull, ishte periudha e provave, kur mësoje të lidheshe me njerëzit me të cilët do të punoje. Shërbente për t’i dhënë filmit një lloj të caktuar energjie. Sot nuk bëhet më. Ishte koha e aktorëve. Sot kemi hyrë në epokën e të famshmëve.
Unë nisa të recitoj sepse doja të interpretoja sa më shumë role të ishte e mundur, jo sepse doja të bëhesha i famshëm: madje kur u bëra i famshëm, gjëja më e vështirë ishte pikërisht që të dalloja dhe kuptoja marrëdhëniet. Jo vetëm me gratë në jetën time, por me burrat, me miqtë, me të gjithë. Më duhej të kuptoja çfarë ishte origjinale dhe reale, isha i shastisur, bota po më ndryshonte nën këmbë. Një ditë fola me Li Stresbërg (themeluesi i Arcos Studios) dhe ai më dha një këshillë që nuk e kam harruar asnjëherë: duhet të përshtatesh, më tha. E vërtetë, duhet të përshtatemi. Edhe me privilegjet, e pafundëm, me të gjithë gjërat që mund të kesh kur je i famshëm, siç më ndodh çdo herë që hyj në një restorant apo hipi në një avion. Duhet të kuptosh që në faktin që të njohin ka edhe besim tek ti, vlerësim, dhe kjo është e bukur. Njerëzit vijnë tek ti, duan të të flasin, mendojnë që të njohin, edhe pse nuk i ke takuar asnjëherë. Eshtë gjithmonë e çuditshme: del nga shtëpia, dhe gjen para teje autobusë plot me turistë që bëjnë fotografi me celularë. Eshtë e shëmtuar dhe e bukur. Shpesh herë jam kurioz të di se çfarë kanë për të më thënë njerëzit, çfarë mendojnë.

Nuk ke asnjëherë dëshirë të tërhiqesh, të fshihesh?
Ndonjëherë fëmijët e mi më thonë: baba, ti sot do të rrish në shtëpi. E përse, u them unë? Ti sot do të rrish në shtëpi dhe pikë. Eshtë fakt që, kur jam edhe unë, për ata ndryshon gjithçka. Pra, unë i kuptoj, kështu që ndonjëherë fshihem, edhe pse nuk më pëlqen ta bëj. Vë kapele, një palë syze të errëta. Por nuk funksionon shpesh. Një herë e një kohë po, sot jo më.

Meqë po flasim për fëmijë dhe familje, kur shihni pas, sa mendoni se ka patur rëndësi fakti që jeni rritur në një familje italo- amerikane?

Vij nga një familje e jugut të Bronksit, e cila i përkiste padyshim gjysmës së poshtme të klasës së mesme. Nuk kishim para në shtëpi. Ishin gjyshërit dhe nëna ime, babai mungonte. Jam rritur rrugëve, jeta ime ishte në rrugë dhe aty i kam bërë miqësitë e para. Që më pas kanë mbetur më të mëdhatë e jetës sime. Në moshën 16 vjec u martova në Village dhe nisa të luaj rolet e parë: bënim 16 në javë. Jetonim me aq pak, por unë e doja shumë atë që bëja, e dija që ishte ajo që doja të bëja dhe që në një pikë të caktuar gjërat do të fillonin të funksiononin. Teatri u bë familja ime dhe në një farë kuptimi është ende. Po ku e kishim fjalën?

Tek rrënjët tuaja italiane.
Në shtëpi, të vetmet herë që flitej italisht ishte kur nuk donin që unë të kuptoja! Do të më kish pëlqyer ta mësoja, dhe do të më kish pëlqyer të mësoja gjuhë të tjera. Më kujtohet që një herë shkuam në Spoleto. Ishte hera e parë që vizitoja Italinë, ishte shumë emocionuese të recitoja përballë një publiku italian. Jam kthyer dhe herë të tjera, deri kur xhiruam “Kumbarin” në Sicili. Dhe pikërisht aty nisa t’u rekomandoja të gjithëve që të ktheheshin në vendin ku e ka origjinën familja. Eshtë një përvojë e jashtëzakonshme, mund ta përjetojë vetëm kush ka patur prindër imigrantë. Nuk mendoja që do të ishte kështu: një emocion shumë i fortë. U ndjeva në shtëpi. Dhe e njëjta gjë i ndodhi tim biri, që sot është 14 vjec. Ishte 10 vjec kur shkuam bashkë në Itali, ishte e bukur dhe prekëse: nuk donte të ikte më prej aty. Ndihem në shtëpi, më përsëriste. Jemi në shtëpi, baba! / 
L’Espresso / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button