Hetimet për masakrën vazhdojnë më shpejtësi të lartë. Pesë terroristë të identifikuar, të paktën një prej atentatorëve është në arrati. Përse kamikazët dështuan në Stade de France? Dhe përse atentatori i tetë ka mbijetuar? CIA ndërkohë është e sigurtë: “Do të ketë sulme të tjerë”
- Terroristët
Komando operative përbëhej nga tetë elementë. Deri sot janë identifikuar me siguri pesë prej tyre. Nga këta, katër kanë vdekur, ndërsa Salah Abdeslam është në arrati. Pastaj është misteri i Ahmad al Mohammad, siriani që mendohet se është përzierë me refugjatët dhe ka ardhur përmes Greqisë. Ka një ide që buron prej gjurmëve të gishtave, por asgjë definitive. E sigurtë është që tre prej vrasësve kanë qenë në Siri. Për autoritetet, është e mundur që rrjeti është formuar nga rreth njëzetë persona, bashkë me bashkëpunëtorë dhe lehtësues. Versione që bien ndesh mes tyre, për organizuesin: për disa është Salah, burime franceze flasin ndërkohë për një 27-vjeçar të kapur në Belgjikë.
2. Truri
Abdelhamid Abaaoud, belg nga Moleenbeku, anëtar i ISIS-it në Raqqa, Siri. I përfshirë në shumë prej sulmeve që kanë ndodhur mes Francës dhe Belgjikës, shumë aktiv në internet me ndërhyrje propagandistike. Eshtë qartësisht frymëzuesi për shumë xhihadistë europianë. Emri i tij ka dalë në mënyrë të qartë pas betejës së Verviers, dhe një celulë muxhahedinësh. Kontrollon grupe të tjerë në Europë? CIA është e bindur që priten të tjerë aksione.
3. Kamikazët në stadium
Gjatë operacionit terrorist, kamikazët janë ata që, për fat, dështuan pë të hyrë në Stade de France. Të tre nuk arritën të futen brenda, ndoshta për shkak të planifikimit të keq. Kontrollet e jashtëm i kanë ngadalësuar. Kjo tregon që nuk ka patur një veprimtari rikonjicioni që përpara, për të parë situatën përreth impiantit të madh? Duket se edhe rripat shpërthyes nuk kanë qenë shumë të sofistikuar dhe të fuqishëm.
4. Dyshimet e njeriut të tetë
Salah Abdeslam i mbijetoi operacionit. Ishte parashikuar që në planin fillestar? Eshtë ky personi që i dërgoi të tjerët për të vdekur? Apo ka diçka që nuk ka funksionuar? Apo mos e ka rimenduar të gjithën, në momentin e fundit?
5. Komunikimi mes celulave të terrorit
Si kanë komunikuar mes tyre terroristët? SHBA kanë thënë se kanë pikasur kontakte mes celulës dhe qendrës në Siri. Burime franceze të hetimit kanë pohuar se militantët kanë mbrojtur komunikimet mes tyre, me sisteme të kriptuar. Nga Belgjika kanë shtuar se terroristët mund të kenë përdorur edhe lojërat online për të kaluar urdhërat. Gjatë sulmit, celulat flisnin mes tyre? Kishin celularë, apo radiotransmetues? Për momentin, hetuesit nuk e kanë zbuluar.
6. Armët e përdorura nga komando
Terroristët, a kanë patur pika mbështetjeje pranë objektivave? Dhe mbi kë rrjet logjistik janë mbështetur? Ku i kanë marrë armët? Një skenar thotë se mund të jenë furnizuar në tregun e zi në Belgjikë, dhe një arrestim në Gjermani i një trafikanti malazez që po shkonte në Francë, me një ngarkesë armësh, hap një linjë interesante hetimi. Eshtë gjithashtu e vërtetë se në Francë nuk është e vështirë të sigurosh armë automatike në tregun e paligjshëm. Në Marsejë, malavita i lan hesapet me kallashnikovë. Sa për eksplizivin, ai prodhohet në shtëpi me produkte kimikë që mund t’i blesh në supermarket.
7. Alarmet në vesh të shurdhët
Zakonisht, pas asaj që ndodh, shumëkush thotë se ka patur “sinjalizime”. Irakenët thuhet se i kanë dërguar Parisit detaje mbi planin e ideuar nga Kalifi personalisht. Turqia thotë se ka paralajmëruar dy herë francezët, por që nuk ka marrë përgjigje. Nju Jork Tajms ka shtuar se shërbimet amerikane kishin ndezur alarmin për kolegët në Francë, mbi rrezikun e atentateve, edhe pse nuk kishin të dhëna specifike. Eshtë e mundur që lajmërimet të kenë qenë të turbullt, apo që nuk janë vlerësuar me vëmendje. Megjithatë, është herët ta thuash dhe të nisësh gjyqin për gabimet, edhe pse është e qartë që rrjeti i sigurisë nuk ka funksionuar, pasi disa prej vrasësve ishin të njohur./Guido Olimpio/Corriere della Sera
Bota.al