Jean-Marie Colombani
Nga Gaza në Libi, duket se politika e jashtme e Obamës përjeton momente sigurie. Shenjë e një rënieje rrënuese të Amerikës? Jo, përkundrazi
Një prej aspekteve të situatës në Lindjen e Mesme dhe të luftës pa fund që luftojnë Izraeli dhe armiqtë e tij, ka të bëjë me politikën amerikane, duke nxitur kritikat që disa i bëjnë politikës së jashtme të Obamës. Nëse thuhet se situata në Gaza varet prej paralizës së dossier-it palestinez – me që ra fjalë, kujt i shërben ndërmjetësimi që i është besuar prej kohësh një farë Tony Blairi? – duhet pranuar se Obama nuk ka arritur asnjë rezultat.
Linja e tij ka qenë gjithmonë ajo e vendosjes së frenave për kolonët – jo vetëm që Netanjahu nuk ek a bërë, por ai i ka zhvilluar më tej madje, aq shumë sa thjeshtë e ka bërë më të ndërlikuar funksionimin e Autoritetit Palestinez në Cisjordani. Sekretari i Shtetit, John Kerry ka punuar shumë për të nisur një negociatë për paqen. Netanjahu është përgjigjur në mënyrë të qartë, duke thënë se nuk beson në një shtet palestinez, dhe as nuk e do. Duke vepruar kështu, ua bën të qartë të gjithëve se e dënon Izraelin me një luftë që s’ka fund, duke parë që refuzon të negociokë për shkakun parësor të pasigurisë në të cilën jeton vendi i tij, ose më saktë, mungesa e zgjidhjeve për problemin palestinez.
Nuk ka dyshim që në pafuqinë amerikane luan një rol pesha e Izraelit në politikën e Uashingtonit, mbi të gjitha në brendësi të Partisë Republikane, që bllokon çdo lloj presioni real ndaj Tel Avivit. I vetmi përjashtim është vënë re në periudhën e Bushit të madh dhe James Bakerit, të cilët kishin vendosur të ecnin në rrugën e tyre. Por ngjarjet tragjike të Gazës dhe haraçi i madh që Izraeli i ka vendosur popullsisë palestineze po e ndryshojnë ndoshta edhe pikëvështrimin e amerikanëve. Pastaj, nëse shohim pjesën tjetër të rajonit – Iraku, Siria, Libia – edhe në këtë rast politika e jashtme amerikane përfundon në “gjyq”. Në Irak, Obama nuk donte më as edhe një ushtar amerikan, ndërkohë që gjeneralët e tij i kërkonin që të qëndronin të paktën 15 mijë vetë. Sot, Bagdadi është i rrethuar prej xhihadistëve të llojit më të keq.
Raporte force
Në Libi, është e vërtetë që dërgesa franko-britanike është ndalur papritur, sigurisht për shkak se nuk ka përgatitur në mënyrën e duhur skenën post Gedafit, por nuk duhet të harrojmë që SHBA nuk donin vërtetë të bënin pjesën e tyre për ndërtimin e një ushtrie libiane. Dhe është rikthyer kaosi.
Por mbi të gjitha, faji i madh në politikën e jashtme do të mbetet mosndërhyrja në Siri. Nuk bëhej fjalë për dërgimin e trupave, por për të ndihmuar, në mënyrë të shënjestruar, siç rekomandonte Franca, opozitën demokratike në një moment kur Assadi ishte veçanërisht i dobët.
Obama, në fund nuk deshi dhe i la fushë të lirë Putinit, i cili ndërmjetësoi që Assadi të dorëzonte armët kimike. Situata në Damask dhe në Siri nuk ka nevojë për komente. Nga e gjithë kjo, mund të krijojmë idenë për një rënie fatkeqe të Amerikës. Asgjë nuk është më e pavërtetë.
Mbi të gjitha sepse, nën atë që quhet “fuqia e butë”, dominimi amerikan nuk ka patur asnjëherë shtrirje më të madhe. Jetojmë, edhe përmes veprimeve tanë të përditshëm, nën kontrollin e Google, Facebook, Tëitter, si edhe të MIcrosoft dhe Apple. Kësaj i shtohet një aspekt veçanërisht shqetësues: aplikimi në ekonomi i ligjit amerikan, edhe jashtë territorit të SHBA. E dëshmon gjoba gjigande ndaj BNP, një prej bankave më të fuqishme europiane, e cila kishte respektuar legjislacionin europian, por jo atë amerikan, në lidhje me embargon ndaj Iranit dhe Kubës. Kjo politikë juridiksionale agresive e bën shumë të vështirë që të arrihet në firmosjen e një marrëveshje të tregtisë së lirë mes BE dhe SHBA, e cila nga këndvështrimi strategjik do të ishte e nevojshme.
Por, në përgjithësi duhet të pranojmë, sic ka pohuar ish ministri i Jashtëm i Francës, Hubert Vedrine, se “ekziston një mospërputhje e madhe mes emocioneve që provon opinioni publik perëndimor, ideja që krijon për përgjegjësitë tona, dhe instrumentet e presionit që kemi praktikisht në dispozicion”. Dhe kështu SHBA, jo ndryshe nga vendet e tjerë, sot janë në gjendje të imponojnë këndvështrimin e tyre tek pjesa tjetër e botës. Eshtë ëndrra e një bote në transformim, në brendësi të të cilës raportet e forcës janë në lëvizje të vazhdueshme, me fuqi të ndryshme që mund të qëndrojnë në të njëjtin nivel. Kështu që duhet të punojmë papushim që të rritet pesha jonë relative, në këtë botë që po rimodelohet. /Sette/
3 minutes read