Analiza

Amerika Latine, kufiri i ri i ambicieve turke

Nga Jean-Jacques Kurliandsky

Studjues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Screen Shot 2015-03-17 at 2.38.18 PMPresidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, në muajin shkurt 2015 bëri një vizitë trefishe në Amerikën Latine. Pas Kolumbisë, vizitoi Kubën dhe më pas Meksikën. Vizita të tjera janë njoftuar se do të realizohen gjatë vitit në Argjentinë, Brazil dhe në Kili.

Turqia përfiton në Amerikën Latine një imazh paradoksal, frut i një trashëgimie të largët. Me mijëra imigrantë arabë, të pajisur me një pasaportë otomane, zbarkuan më shumë se një shekull më parë, nga Meksika në Argjentinë, duke kaluar nga Amerika qendrore dhe Brazili.

Të gjithë nga fakti i dokumentit të tyre të identitetit, i quanin “Turqit”. Për një kohë të gjatë, njohjet e ndërsjellta kanë ruajtur këtë karakter primar dhe sipërfaqësor. Kishte aty-këtu në Argjentinë dhe në Uruguaj disa turq, që vinin të blenin lesh dhe lëkurë (…) por në këto vënde ruhej një mosbesim i qëndrueshëm nga prania e komuniteteve të rëndësishme me origjinë armene.

Turqia dhe Amerika latine, për një kohë të gjatë kanë jetuar shpinë më shpinë, të ndarë nga deti dhe oqeani. Vetëm një marrëdhënie e privilegjuar dhe nganjëherë e vështirë me Shtetet e Bashkuara krijonte eventualisht ndarjen e një përvoje. Heqja e pengesave të Luftës së Ftohtë dhe një konjukturë ekonomike e favorshme, forcuan gjatë mijëvjeçarit mundësitë e shkëmbimeve të ndërsjellta fitimprurëse. Lindja paralelisht e Turqisë dhe e shumicës së vendeve latino-amerikane ngjalli kuriozitete dhe interesa të kryqëzuara. Hyrja në vendet e G20 lehtësoi shkëmbimet me Argjentinën, Brazilin dhe Meksikën.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) ka lejuar sinergji të tjera. Kontaktet e para dypalëshe njohëse kanë marrë ngjyrim qartësisht më afirmativ në vitin 2010. Turqia dhe Brazili, në fakt, kanë bashkuar forcat për të fituar kohë dhe hapësirë mbi një dosje ndërkombëtare madhore, mosmarrëveshjen iraniane për çështjen bërthamore. Inisiativa e shpërfillur nga grupi “pesë + një” ishte një tregues i një lëvizje të re tektonike të pllakave gjeopolitike.

Brazili synon forcimin e grupit të BRICS-it. Turqia ka kërkuar t’i asociohet vënde të tjera, për të gjetur aleatët e saj në një rreth ambicjoz në vendet e MIST-it (Meksika-Indonezia-Korea e jugut-Turqia) që u bënë në vitin 2013 MICTA (Meksikë-Indonezi-Kore e Jugut-Turqi-Australi). Meksika, “M” e MICTA-s, u bë në Amerikën Latine, pika e saj e hedhjes së spirancës. Dhe me Meksikën, partnerët meksikanë të Aleancës së Paqësorit, Kolumbia, Kili dhe Peruja. Ekonomia luajti rolin e saj. Lehtësia konjukturale e partnerëve ishte karburanti fillestar. Politikat e reja të jashtme, si meksikane dhe turke, ishin bashkëpunuese në qëndrime diplomatike.

Në imazhin e fuqive të mëdha emergjente, Turqia ka përpunuar planin e saj në Amerikën Latine. Plani i parë u hartua në vitin 1998, dhe u quajt “Plani i veprimit për Amerikën Latine”. Më vonë u dekretua në vitin 2006 nga Turqia, “Viti i Amerikës Latine dhe i Karaibeve”. Më vonë, zëvendës sekretari i shtetit për tregtinë e jashtme zbatoi një “Strategji zhvillimi tregtar të Turqisë në drejtim të vendeve të Amerikës”. Gjashtë vende ishin në shënjestër, veçanërisht: Argjentina, Brazili, Kili, Kuba, Meksika dhe Venezuela.

Vizitat zyrtare kanë konfirmuar ambicjen. Carlos Saul Menem, kryetari i shtetit argjentinas vizitoi Ankaranë në vitin 1992. Presidenti Sulejman Demirel e hapi ballon nga ana turke në vitin 1995 duke vizituar Argjentinën, Brazilin dhe Kilin. Kiliani Ricardo Lagos në vitin 2004, për mirësjellje ktheu vizitën. Homologët e tij braziliani Lula da Silva, dhe kostarikani Oscar Arias vizituan Ankaranë në vitin 2009. Rexhep Tajip Erdogan, si kryeministër, shkoi në Brazil dhe në Kili në vitin 2010. Më vonë, muajin shkurt të këtij viti, në tre vende të tjera: Kolumbi, Kubë dhe Meksikë. Argjentina u përfshi në vijim në këtë grup për kapur dështimin e vitit 2010, si rezultat i një presioni të madh të komunitetit lokal armen, mbi autoritetet argjentinase. Ndërkohë presidentja e Barzilit Dilma Rusef, ajo argjentinase Kristina Kirshner dhe kolumbiani Manuel Santos, bënë vizita zyrtare në Turqi në vitin 2011, presidenti kilian Sebastian Piñera në vitin 2012 dhe ai meksikan Enrique Peña Nieto, në vitin 2013.

A sollën këto takime frutet e tyre? Shtatë ambasada turke u hapën. Një numër marrëveshjesh u nënshkruan. Këto traktate janë ekonomike dhe kulturore, nganjëherë tregtare si në rastin me Kilin. Por ato shumë shpejt patën një dimension më ambicioz. Mekanizma konsultimi të përhershëm u vendosën me Argjentinën, Bolivinë, Kilin, Kosta-Rikën dhe Perunë. Turqia është anëtarësuar si vend vëzhgues në Organizatën e shteteve amerikane (OEA), në Komunitetin karaibian (Caricom), në Aleancën e Paqësorit, në Tregun e përbashkët të Jugut (Mercosur) dhe në sistemin e integrimit të Amerikës qëndrore (SICA).

Parlamentet kanë ndihmuar që marrëdhëniet të bëhen më të shpeshta. Grupe miqësie u ngritën me Argjentinën dhe Venezuelën. Marrëdhëniet tregtare u rritën mjaft, por mbetën modeste. Një ndërmarrje si shoqëria e prodhimit të radarëve dhe sistemeve të komunikimit satelitor Aselsan negocioi me sukses shitjen e produkteve në Brazil dhe në Uruguaj. Ajo është në negocim me forcat ushtarake kiliane, kolumbiane dhe peruane. Megjithëse kanë bërë një kapërcim rreth 800% brënda dhjetë viteve, eksportet turke në drejtim të Amerikës latine në vitin 2010 përfaqësonin vetëm 1 % të totalit të shkëmbimeve turke. Njohja e ndërsjellët ka përparuar pak. Universiteti i Ankarasë hapi në vitin 2009 një qendër studimesh latino-amerikane. Filmat turq të kanalit televiziv ITV-Inter Medya nga viti 2011 filluan të shfaqen në ekranet televizive latino-amerikane.

Amerika Latine padyshim është më shumë një tribunë që i lejon autoriteteve turke të shprehin një ambicje sovrane më të gjerë. Ajo i ofron asaj me afrimin e njëqind vjetorit të genocidit armen, mundësinë e një kundër zjarri. Recip Tayyeb Erdogan në shkurt të këtij viti hapi në Bogota një simpozium të titulluar “1915, viti më i gjatë i perandorisë otomane”. Mesazhet synonin në vënien në dukje të qëndrueshmërisë së urave kulturore ndërkontinentale.

Në nëntor të vitit 2014, udhëheqës myslimanë të Amerikës Latine janë ftuar në Stamboll. Presidenti Erdogan dha një mesazh të dyfishtë. Turqia për ju është më e afërt pasi ishte një navigator mysliman, u shpreh ai, i cili shumë përpara Kristofor Kolombit, në vitin 1178, ka zbuluar Amerikën. Mesazhi tjetër i drejtohej Perëndimit i cili “u ngrit në favor të qytetit Kobane, por nuk shqetësohet për qytetin e Alepit”. Turqia ka njoftuar ndërtimin e xhamive në Kubë, të paraqitura si të ndryshme nga ato që mund të financojë Arabia. Presidenti Erdogan në shkurt të këtij viti kritikoi autoritetet e Uashingtonit. Në Meksikë, i shqetsuar nga gjendja e imigrantëve të saj në Shtetet e Bashkuara, ai e qortoi presidentin Obama për heshtjen pas vrasjes së tre myslimanëve në Karolinën e veriut.

Në Meksiko ai vendosi një tufë me lule në monumentin e ushtarëve të rinj të rënë në mbrojtje të kryeqytetit të Meksikës, e pushtuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1848. Në Kubë ai shprehu keqardhje për embargon e gjatë të SHBA-së kundrejt Kubës. Dhe në vende të ndryshme ai tregoi me gisht mungesën e përfaqësimit dhe rolit të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button