Magazine

Anonymous, në strofullën e piratëve të rinj

Një antropologe ka kryer një investigim mbi grupin misterioz të hakerave, që gjithnjë e më shpesh vendoset në qendër të gënjeshtrave të mëdha. Për t’i zbuluar ata. Dhe tregon se kush janë dhe çfarë duan

Anonymous, është emblema e një gjeografie të rezistencës, shkruan Gabriela Koleman në investigimin e saj të gjatë mbi grupimin e hakerave, që botohet së shpejti nga Shtypi Alternativ (Një mijë fytyrat e Anonymous). Lektore e antropologjisë kulturore, dhe hulumtuese në Universitetin Mekgill, Koleman rindërton historinë e grupit të famshëm të sajberaktivistëve në botë, duke ndjekur hapat e një procesi evolutiv, që shndërroi një grusht rebelësh të frymëzuar nga fryma studentore, e një argëtimi mizor dhe idiot (përmbytnin me spam-e forumet e ndryshme në internet, shpërndanin për publikun e gjerë informacione personale të sikletshme, dërgonin policinë apo një picë të papaguar në shtëpinë e dikujt), në një lëvizje të vërtetë, në gjendje të trembë pushtetin politik dhe ekonomik.

”Më duket shpresëdhënëse dhe inkurajuese”- thotë Koleman “që kaosi infernal i shkaktuar nga këta mashtrues në fillimet e tyre, u pasua nga një kapërcim tek një formë tjetër, më e angazhuar. Gjatë 5 viteve të fundit, shumica e ndërhyrjeve të Anonymous, është orientuar drejt kauzave konkrete politike:kanë luajtur një rol mbështetës gjatë protestave ‘Occupay Wall Street’, ndërsa ishte në zhvillim e sipër Pranvera Arabe; denoncuan publikisht disa episode përdhunimesh dhe rasteve të dhunës nga ana e policisë amerikane.

Xheremi Hemond, haker dhe aktivist, u dënua me 10 vjet burg, pasi u tregoi të gjithëve anën e errët të shërbimeve inteligjente dhe kompanive që merren me çështjet e sigurisë në Amerikë”.  Nëse fillimet u karakterizuan nga ndjesia e të bërit humor, pika e vërtetë e fillimit të lëvizjes, shpjegon investigimi, daton në vitin 2008, kur ‘Scientology’ u përpoq të fshihte një video të dobët propagandistike të Tom Kruizit, duke e ekspozuar këtë të fundit ndaj reagimit të anëtarëve të një uebsajti, 4chan, që tuboi gjithë të tjerët në një betejë online në internet:”E filluar si një shaka, ajo u shndërrua në një fushatë të gjatë proteste”, raporton Bota.al.

Perspektiva nga e cila Koleman vëzhgon operacionet e Anonymous, është gjithmonë e brendshme:ajo rrëfen se ka patur qasje tek struktura e funksionimit të grupeve, duke marrë pjesë në diskutimet nëpër kanalet e komunikimit, përfshirë chat-room sekrete; portretizimi që i bën lëvizjes është ai i “një Hidre me shumë kokë” (edhe pse duket se ka një bërthamë), me më shumë grupe në garë dhe anonimitetin si një shtyllë e rëndësishme, në mënyrë që secili prej tyre mund të përdorë lirshëm siglën; së fundmi grindjet e brendshme apo abuzimet tek ndërhyrjet kompjuterike (“që për hir të së vërtetës i kam trajtuar në një mënyrë diplomatike, por gjithmonë duke i lënë lexuesit të lirë të nxjerrin vetë përfundimet e tyre”).

Autorja pretendon se e ka shkruar librin mbi Anonymous për të provomuar atë lloj aktivizmi politik, që ndëshkon cinikët dhe apatikët: “Edhe pse Anonymous nuk janë të përsosur, një rrezik më i madh politik vjen aktualisht nga ata që shmangin angazhimin, ose kanë një qasje vetëm me fjalë në jetën politike. Apatia politike merr formën e një procesi demokratik, me besimin naiv që vetëm publiciteti mund të jetë shkëndija e një ndryshimi domethënës shoqëror”.

Në thelbin e Anonymous duket se qëndron kënaqësia e sabotimit, e argëtimit të fëmijës që hyn në dhomën e të mëdhenjve dhe bën rrëmujë, dhe ruajtur anonimitetin përmes maskimit për të mos u zbuluar dhe kapur, ndonëse qëllimi nuk është pasurimi personal:maksimumi është kënaqësia e të qenit të jashtëligjshëm, apo burgosja për aksione alla Robin Hud.

Kjo është në përputhje me kohët në të cilat jetojmë, siç është prania, gjithaq e çuditshme, e një elementi të fortë të pafuqisë, pavarësisht asaj që pretendon Koleman, pasi maksimumi që mund të arrihet është diçka e vogël, së paku një vizion më cinik i luftës politike:ata ecin përpara për të luftuar, por e tyrja nuk është një luftë, dhe ndoshta nuk kanë as edhe një strukturë ideologjike për ta mbështetur atë, për shkak të fleksibilitetit, diferencimit të brendshëm dhe fluiditetit të lëvizjes.

Ky element ajror apo ujor që i dallon, i pakapshmërisë, si retë që shkaktojnë një stuhi dhe pastaj shpërndahen, shenjohet nga mungesa e një lideri, dhe ndryshimet e vazhdueshme të grupeve në operacionet e piraterisë informatike (ekzistojnë edhe komisione që monitorojnë aksionet, dhe garatojnë procese gjykimi kundër anëtarëve të ndryshëm); çka shmang hierarkizimin e tyre dhe kësisoj edhe një pasjen e një tipizimi politik dhe organizativ.

Dhënia jetë e një gjesti fëminor, shndërrohet në një moment festiv në krizën e sistemit, dhe ndjek modelin e Davidit me Golian:zbulon brishtësinë e gjigantëve. Rregulli i pashkruar, është që çdo formë e anëtarësimit në pushtet bëhet e dëmshme, kësisoj në grup ka një anarki të vazhdueshme, raporton Bota.al.

Koleman shpjegon me të drejtë që Anonymous nuk mund të kategorizohet në një ideologji të saktë,. Kjo është në thelb panorama që përshkruan, duke kujtuar atë të piratëve që bëjnë aleancë me njëri-tjetrin për t’u mbrojtur nga sulmet, siç ndodhte dikur me paraardhësit e tyre, që qenë tmerri i detrave:”Krahasuar me lëvizjet revolucionare të shekullit të kaluar, Anonymous është një fenomen i çuditshëm dhe i komplikuar. Pas viteve aktivizëm, ata njihen gjithnjë e më shumë si mbrojtës të drejtësisë sociale dhe të drejtave civile; angazhohen drejtpërdrejt dhe përdorin një numër mjetesh dhe veprimesh, duke përfshirë errësimin e faqeve të ndryshme në internet, bërjen publike të të dhënave tejet personale, ndërhyrjen në sistemet e qeverive dhe kompanive, vjedhjen dhe publikimin e dokumentave sekrete, apo shkaktimin e një stuhie reagimesh në rrjetet sociale”.

Antropologia amerikane i kushton rëndësi edhe hetimeve të FBI-së, dhe arrestimeve të shumta në rradhët e Anonymous apo simpatizantëve të tij, por mesazhi i mosbindjes civile që është baza e operacioneve të “kësaj bande hakerash dhe gjenijsh të informatikës”, në mbrojtje të lirisë së fjalës, apo për transparencën e institucioneve, vlen për brezat e ardhshëm.

Në skenat e fundit të filmit kult “H për Hakmarrje”, hidhet në erë pallati i pushtetit:por çfarë kuptimi ka një gjest i tillë, në rast se do të ndërtohet një tjetër i ngjashëm? Është një akt simbolik që dëshmon një naivitet të madh, dhe ky aspekt ka zënë shumë rrënjë tek ata:për shembull bllokojnë Paypal-in, që e cilësojnë fajtor pse i është nënshtruar urdhrave të qeverisë amerikane, duke refuzuar të pranojë donacione për ËikiLeaks-in, më pas çdo gjë kthehet të funksionojë normalisht.

Ka një aspekt patetik dhe një implikim etik të veprimeve të tyre, por vetëm e dyta trajtohet nga Koleman, edhe pse ajo ka të drejtë kur thotë se “mënyra e veprimit e Anonymous, është provuar të jetë e suksesshme dhe origjinale:në vend se të merreshin me të dhënat private të njerëzve, ata preferuan të ndërhyjnë në rrjetet e qeverive dhe kompanive të mëdha shumëkombëshe, duke nxjerrë informacione, të cilat janë siç e dimë nafta e re’.

“Ata kanë frymëzuar tashmë të tjerët të ndjekin hapat e tyre, dhe kujton OpNimir, protestën që lindi pas arrestimit të Muhamed Ali Al-Nimr në Arabinë Saudite, i cili rrezikonte dënimin me vdekje:”Dhe më së fundmi, kundër serisë të tmerrshme të ekzekutimeve, Anonymous kreu një seri sulmesh, duke paralizuar shumë sajte të institucioneve shtetërore të Arabisë Saudite.

A do të ndryshojë kjo situatën? Ndoshta jo. Por është e rëndësishme të shohim njerëz të shprehin kundërshtimin e tyre”. Kufizimi i investigimit, qëndron në faktin se ai që e kryen nuk është një haker, prandaj e saja është një pjesëmarrje dashamirësie:ashtu si ajo edhe ne jemi paksa të përjashtuar nga sistemi, nga një sistem në të cilin ca komandojnë ose janë të iluminuar dhe u japin udhëzime të tjerëve. Megjithatë, nëse do të qemë të gjithë në gjendje për hynim në sistemet bankares regjistrat elektronikë të shkollave apo të depërtonim në dosjet sekrete të njerëzve, do të kishte një kaos, një çmenduri totale:kuptohet pra që kufiri ligjor aktual, bëhet një pengesë e pashmangshme.

Karakteristika e Anonymous është që qënit paksa jashtë lojës së spiunazhit zyrtar (pavarësisht se janë infiltruar), dhe t’i përkasin plotësisht, të paktën tani për tani, mitit të Robin Hudit: i dallojmë pasi janë të jashtëligjshëm të mirë, sipas simpatisë që ngjallin tek ne dhe deri kur ndikojnë tek ajo që na intereson, por kjo është ndoshta pjesë e hipokrizisë sonë.

Gjendemi ende në një dimension të fragmentuar dhe të pakapshëm:nga një këndvështrim, haker-aktivistët mund të na ndriçojnë vetëdijen mbi gjëra që imagjinojmë apo ndjejmë, dhe prej të cilave furnizohemi me prova. Veprimet e tyre dhe informacionet që ata zbulojnë, thyejnë një xham, dhe të bëjnë të kuptosh që aty kishte një mashtrim, se ajo që supozonim qe në fakt një pasqyrë dhe për një moment, nëpërmjet tyre, ne shohim pasqyrës: kjo është ndoshta pasuria më e madhe e grupit. / “Net” – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button