Roberto Saviano është një ndër autorët më të njohur në Itali dhe jo vetëm. Edhe në Shqipëri është i përkthyer romani i tij i famshëm “Gomorra”, në të cilin ai denoncon hapur mafien italiane, nga Napoli e duke përfshirë të gjithë jugun. Që nga viti 2006, në të cilin u botua ky libër, Roberto Saviano mbrohet nga një eskortë e veçantë, pasi kuptohet që shumë veta i janë vënë nga pas për ta vrarë lidhur me rrëfimet e tij. Dhe jo vetëm autorit, por edhe gazetares Rosaria Capaçhione që e ka mbrojtur në rrëfimet e tij. Më poshtë do të lexoni një rrëfim aktual të shkrimtarit, i cili nuk dëshiron gjë tjetër veçse të jetojë i lirë dhe pa presionin e kërcënimeve të vazhdueshme nga mafia dhe nga persona publikë në Itali.
“Ndoshta do të ishte më mirë, nëse do të më kishin vrarë. E kam menduar dhe e mendoj ende këtë gjë. Isha 26 vjeç dhe tani jam 42 vjeç. Të jetosh me kërcënime të vazhdueshme nga të tjerët, a të bën të jetosh me frikën e vdekjes? Ndoshta. Më shumë të bën t’i urosh vetes vdekjen.
Duke lexuar mbrojtjen që ka shkruar shefi Bidognetti dhe avokati Santonastaso ndaj padisë sime për kërcënime mafioze, më vjen të ulëras me të madhe. Dua t’i them të gjithë atyre që mendojnë se kam spekuluar, se kam dashur të njollos imazhin e Campanisë (regjion në Napoli), apo të jugut, se çdo gjëështë e vërtetë. Nuk ka pasur nevojë për trillime, unë nuk kam shkruar ndonjëherë për të qenë i suksesshëm dhe as për të synuar të ble ndonjë kullë në New York me të ardhurat që do të fitoja.
Mbaj mend çdo herë që unë dhe Rosaria Capaçhione (gazetare në Itali) kemi dëgjuar të thuhej: “Kush do të të vrasë, të vret menjëherë, ndaj mjaft folët budallalliqe”. Ne ndërkohë duhet të kërkonim falje se po jetonim, të kërkonim falje se nuk kishte plasur në asfalt gjaku ynë. Duhet vetëm të kaloni një muaj duke ndenjur pranë Rosarias për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh e përndjekur, se çfarë do të thotë qëmafia të të hyjë në shtëpi, ta shkatërrojë shtëpinë, të largohet kur nuk gjen asgjë. Pastaj të rikthehet sërish kur i teket. Por çfarë dreqin dini ju? Ju dini vetëm të thoni se gjithçka është e trilluar, pa e kuptuar realitetin e vërtetë të Napolit dhe gjithë jugut të Italisë.
Por më duhet të rrëfej, pas kaq vitesh, naivitetin tim. Naiviteti i të besuarit se mund të ndryshoni duke folur, duke i bashkuar fjalët; dhe se njerëzit mund të vendosin të shtojnë fjalët e tyre në fjalët e mia dhe të fillojnë një transformim të vërtetë të së tashmes. Sa naivitet i brishtë.
Unë as nuk mund t’i them vetes nëse gjithçka ia ka vlejtur. E di se ajo që më është marrë, nuk kthehet kurrë. Asgjë nuk kthehet përsëri. Isha vetëm 26 vjeç dhe tani, nëse mundem, do të kërkoja vetëm të ecja i lirë. Asgjë tjetër. “