Nga Ettore Sequi
Zgjatja e luftës në Gaza dhe bilanci i përditshëm i viktimave civile, në sfidë të hapur ndaj thirrjeve të Papës Leoni XIV, ndaj rezolutave të OKB-së dhe ndaj presioneve ndërkombëtare mbi Netanyahun, befason dhe shqetëson. Sipas Axios, në Uashington po rritet zhgënjimi për sjelljen “jashtë kontrollit” të kryeministrit izraelit, i akuzuar nga Shtëpia e Bardhë se po rrezikon strategjinë amerikane në rajon.
Pas kaosit të dukshëm, fshihet një strategji e qëllimshme. Netanyahu nuk vepron me impuls, por shfrytëzon çdo çarje në sistemin ndërkombëtar dhe përshpejton ofensivën në Gaza, para se presionet amerikane për një armëpushim të bëhen të papërballueshme. Çdo javë pa armëpushim, lodhet Hamasi, zhvlerësohet diplomacia dhe konsolidohen faktet e kryera në terren. Dëshpërimi në rritje i popullsisë palestineze shërben si instrument presioni për një eksod drejt shteteve fqinje që megjithatë refuzojnë t’i presin. Arsyet e strategjisë izraelite ndahen në katër boshte.
Së pari, mbijetesa politike: nën proces gjyqësor dhe i braktisur nga disa aleatë, Netanyahu përdor luftën për të forcuar pozicionin e tij.
Së dyti, presioni ideologjik: ministrat e tij, eksponentë të së djathtës mesianike, Smotrich, Ben-Gvir dhe kolonët më radikalë, e shohin një armëpushim si të papranueshëm dhe shtyjnë për “pushtimin total” të Gazës dhe Bregut Perëndimor.
Së treti, llogaritje negociatash: çdo ditë lufte e lodh Hamasin, shkatërron infrastrukturën civile dhe shtyn popullsinë palestineze drejt kolapsit, duke forcuar pozitat e Izraelit në negociata dhe duke ushqyer dëshpërimin në Gaza.
Së katërti, mburoja gjeopolitike: Netanyahu e di që vetë SHBA e mbron nga sanksionet dhe se Trump, edhe pse i irrituar, nuk do të prishë boshtin strategjik. Mbështetja e bazës evangjelike amerikane, besnike ndaj Trumpit, forcon pandëshkueshmërinë e tij.
Në përmbledhje: lufta për Netanyahun është mjet pushteti dhe qeverisjeje, jo një emergjencë për t’u zgjidhur. Ofensiva në Rripin e Gazës nuk synon më thjesht neutralizimin e Hamasit, por shpërbërjen përfundimtare të Gazës si një njësi politike, civile, infrastrukturore dhe demografike autonome. Goditja ndaj qendrave humanitare dhe objekteve të kultit, segmentimi i territorit në zona të evakuueshme dhe bllokimi i ndihmave bëjnë pjesë në një doktrinë të shpërbërjes së qëllimshme.
Izraeli ka kthyer urinë dhe frikën në mjete të qëllimshme: një “armatim i vërtetë” i vuajtjes, për të thyer qëndrueshmërinë e popullsisë dhe për të detyruar një eksod nga Gaza.
Mesazhi është i qartë: asnjë ent palestinez nuk do të kontrollojë Gazën pa miratimin e Izraelit. Lufta është kthyer në një instrument të inxhinierisë gjeopolitike. Vuajtja civile, e shkaktuar në mënyrë metodike, nuk është një efekt anësor, por një zgjedhje e qëllimshme.
Ky skenar konfirmon kolapsin e çdo përpjekjeje etike për ta ndalur: Kufizimet që, në të kaluarën, ndalonin përdorimin e forcës nga demokracitë, po zhduken. Sot mbrojtja e civilëve është e negociueshme. Lufta është menaxhim. Etika është llogari.
Pasojat janë potencialisht shkatërruese. Gaza mund të shndërrohet në një inkubator të një radikalizimi të ri xhihadist. Një brez i rraskapitur do të gjejë në dhunë dhe në vdekje të vetmen gjuhë të mundshme.
Perëndimi rrezikon një delegjitimim të thellë, duke u shfaqur i painteresuar, bashkëfajtor dhe selektiv. Presioni mbi Jordaninë, Egjiptin dhe Libanin, të paaftë për të pranuar refugjatë të rinj, rrezikon ta kthejë krizën në një gjendje të përhershme.
Numri i papërballueshëm i viktimave civile në Gaza nuk është thjesht një tragjedi humanitare: është prova që dhuna sistemike ka zëvendësuar rregullin. Vuajtja është kthyer në një instrument strukturor. Terrori është një operacion strategjik.
Në Gaza kemi hyrë në epokën e “paqes së zhveshur”: paqe e shkatërruar, jo më rregull, jo më përjashtim. Konfliktet zgjidhen me mjete ushtarake, ekonomike, teknologjike, pa kufij dhe pa të drejta.
Në këtë fazë, Gaza është epiqendra, Netanyahu është pararendësi cinik, heshtja globale është sinjali më alarmues. Gaza zbulon krizën e rendit ndërkombëtar, të etikës dhe të besueshmërisë ndërkombëtare. / La Stampa – Bota.al