Bota

Atje ku mund të nisë Lufta e Tretë Botërore

Screen Shot 2015-11-09 at 17.36.57

Fuçia e barutit në prag të shpërthimit gjendet në Azi në mes të detit. Disa ishuj mikroskopikë mund të ishin fitili për shpërthimin e një vatre të re konflikti, flakët e së cilës do të shkonin tej Azisë e do të fusnin në lojë superfuqitë me të gjitha arsenalet e tyre.

Në grinë e mëngjesit, torpedot çajnë mes përmes ujin e oqeanit ose më konkretisht të detit të Kinës Jugore. Jo larg nga një ishull artificial kinez, tri anije kineze mbyten nga sulmi i njësive të Marinës vietnameze. Pekini ia kthen menjëherë me një kundërpërgjigje të pamëshirshme: betejë detare, plus goditje të Hanoit me raketa.

Më në veri, para brigjeve të Okinawa-s, aeroplanmbajtëse kineze përballë njësive të Marinës japoneze. Këtu bëhet fjalë për ishujt Senkaku apo Diaoyu, siç i quajnë ndryshe kinezët. Një anije kineze e drejton periskopin e saj mbi një helikopter japonez që po afrohet me shpejtësi. Ky i fundit tërhiqet.

Helikopteri bie në ujërat e detit të Kinës Juglindore. Një sulm direkt mbi Japoninë: kjo shkakton futjen në lojë të SHBA-së. Uashingtoni dërgon aeroplanmbajtëse, bombardues, marinsa. Një marrëveshje sigurie e nënshkruar në vitin 1960, përcakton fare qartë se: Amerika është e detyruar të ndërhyjë, pashmangshmërisht, në mbrojtje të Japonisë. Dhe kjo do të thotë realisht, një skenar nga ata më të këqijtë në rang global: luftë mes SHBA-së dhe Republikës Popullore të Kinës.

Fuçia e barutit, e cila mund ta hidhte në erë pra mbarë establishmentin ku ne sot jetojmë, mbarë njerëzimin, ndodhet pra në Azi, në mes të detit. Janë vetëm disa ishuj të vegjël, banka ranore, që ndoshta as që duken fare në hartë.

Një shkëndijë mungon që të shpërthejë një vatër zjarri, flakët e së cilës do të shkonin pastaj përtej Azisë – dhe që sigurisht se do të fusnin në lojë të gjitha fuqitë e mëdha, me të gjitha arsenalet që kanë, duke luajtur kësisoj lehtësisht me zjarrin, sikur e nesërmja të mos ekzistonte.

Ata luftojnë për territore e pasuri natyrore, zotërim rrugësh tregtare, sipërfaqesh peshkimi dhe para së gjithash, për të treguar fuqinë. Kush e ka fjalën i pari? Kush humbet fytyrën? Kush tregon dhëmbët i pari. Synime e objektiva luftarakë, që nga një moment në tjetrin mund të bëheshin shumë të hidhur.

Skenat e përshkruara më sipër nuk janë lojë e fantazisë njerëzore, por pjesë e një realiteti që prej kohësh mëton të vihet tërësisht në lojë.

Tregim dhëmbësh në detet e Azisë 

Një konflikt ushtarak mes Kinës dhe Vietnamit do të ishte i tejkalueshëm shpejt. Ushtria Popullore kineze sigurisht se e kalon disa herë fuqinë ushtarake vietnameze. Por qerthulli rreth ishujve Paracel është vetëm një nga shumë konfliktet që ziejnë nën sipërfaqen e rreth 2 740 000 miljeve katrorë ujëra të detit të Kinës Jugore. Vendet që lagen prej tij, disa të fuqishëm e me ndikim, por të tjerë të vegjël e me rol honorifik, po ndeshen për të si qentë kur vihen para një cope sallami e nuk e kapin dot.

Veç tyre, janë edhe ishujt Spratly, të pretenduara nga Kina, Tajvani, Vietnami, Brunei, Malajzia dhe Filipinet. Ose dhe i ashtuquajturi Scarborough-Riff, një ishull masiv shkëmbor koralor, që Pekini, Taipei dhe Manila po ashtu duan ta citojnë si të tyrin.

Ian Storey, ekspert i sigurisë në Institutin për Studimet mbi Azinë Juglindore (ISEAS) në Singapor, e sheh real rrezikun që mbart ndeshja për territore në ujërat e detit të Kinës Jugore. “Ka gjithnjë e më shumë raste incidentesh tashmë në det.” Në fakt, të gjitha vendet e përfshira në këtë mes, janë të interesuara që qarkullimi detar për të gjithë, të mbetet në fuqi, sepse kështu kultivohet e ardhmja e tyre ekonomike.

“Asnjëri prej tyre nuk e dëshiron destabilitetin. Mirëpo, një përplasje e paparashikuar mund të precipitonte në një konflikt diplomatik e pastaj në një ushtarak. Është vetëm çështje kohe derisa situata të kalojë jashtë kontrollit e të vriten njerëz.”

Por ajo që e bën edhe më të mprehtë situatën, është fakti se në kundërshtim nga rasti i Luftës së Ftohtë, kur fuqitë kundërshtare me gjithë armiqësitë, kishin vendosur një rregull për masat antikonfliktuale, sot ato nuk disponohen më në Azi. “Në atë kohë, për shembull, marrëveshja INCSEA e vitit 1972 (që parashihte incidentet detare) mes Rusisë dhe SHBA, ripërtërihet çdo vit”, thotë Storey. “Mirëpo, për shtetet aziatike, nuk ka një kod të tillë rregullash.”

A do të hyjnë në luftë superfuqitë për një grusht dhé?

E rrezikshme para së gjithash bëhet situata pastaj, kur konfliktet e vogla bëjnë që të futen në lojë të mëdhenjtë e kësaj bote. Vietnami nuk ka asnjë aleancë sigurie me një shtet tjetër, vendi ndodhet në konflikt permanent me Kinën, ashtu i vetëm. Filipinet dhe SHBA-ja, përkundrazi, janë pjesë e një aleance si pasojë e një marrëveshjeje të vitit 1951. Pretendimi i Manilas mbi ishujt Spratly, rrjedh megjithatë duke u nisur nga vitet tetëdhjetë, e kësisoj, thotë Uashingtoni, marrëveshja nuk e mbulon këtë konflikt.

Amerika po qëndron e ndërgjegjshme disi e pavendosur në këtë çështje, duke mos përcaktuar saktësisht se kur do të ndërhynin forcat e saj, mendon eksperti i sigurisë, Storey. “Po nëse SHBA-ja në fund të ditës do të ishte e gatshme të bënte një luftë për një copë ishull apo bankë rëre? Përgjigjja është një ‘Jo’ e qartë”. Mirëpo Kina luan me durimin e Uashingtonit për të arritur objektivat e veta: Pekini dëshiron të minojë aleancat dhe besueshmërinë e amerikanëve te partnerët në mënyrë të hapur. “Një strategji e rrezikshme, por deri kur do të funksionojë kjo, nuk e dimë.”

Prezenca amerikane në Azi është masive. Mirëpo vetëm në rastin e disa shteteve, si Koreja e Jugut, Tajvani dhe Japonia, SHBA-ja do të ndërhynte menjëherë. Për këtë arsye, zënka mes Kinës dhe Japonisë për ishujt Senkaku/Diaoyu, do të shkonte përtej suazave të incidenteve në detin e Kinës Jugore. “Një luftë mes SHBA-së dhe Kinës nuk do të ishte e mirë për askënd”, thotë me vendosmëri Ian Storey.

“Dhe kjo është shumë e ekzagjeruar.” Ai, megjithatë, nuk beson se “ndonjë analist që mund të merrej shumë seriozisht, të parashikonte nisjen e një lufte të tretë botërore”.

Por dikur, dikush do ta thyejë kërrabën nga tendosja e fortë që i ka bërë. Njëqind vjet më parë përjetuam Luftën e Parë. “Edhe në atë kohë, shtetet e përfshira në konflikt kishin kontradikta ekonomike me njëri-tjetrin dhe pati varësi të ndryshme, megjithatë, ata i deklaruan njëri-tjetrit luftë. A janë burrat e shtetit të sotëm, më inteligjentë se atëherë? Kam dyshim për këtë”./ Die Welt/ Gazeta Shqip

Leave a Reply

Back to top button