Histori

Ato çfarë nuk dinit për REVOLUCIONIN RUS

Lenini kishte lindur në një familje fisnike

Ndonëse i shfaqej kombit si njeriu i popullit, origjina e vërtetë e Leninit ishte shumë më e pasur nga sa i pëlqente të tregonte. Ai përdori makinën e fuqishme të propagandës bolshevike për të krijuar imazhin e një udhëheqësi revolucionar dhe një heroi të klasës punëtore. Por, prindërit e Leninit ishin të dy monarkistë konservatorë. Ky fakt, si dhe prejardhja e tij fisnike, u zhdukën nga biografia e tij publike që u rishkruar me kujdes.

Stalini kish punuar për policinë e fshehtë të Carit

Kish patur akuza se Stalini dikur kishte punuar për Okhrana-n, policinë sekrete të Perandorisë Ruse. Stalini i ri, me emrin Koba, ishte në gjendje të udhëtonte lirshëm pavarësisht prirjeve të tij të njohura revolucionare, dhe nuk i nënshtrohej të njëjtave kufizime si bashkëmoshatarët e tij.

Dëshmitarë okularë pohonin se Stalini takonte rregullisht përfaqësuesit e Okhrana-s dhe gjithmonë e dinte se kush do të arrestohej, por vetë i shpëtonte arrestimit. Stalini e kuptoi se paratë, ndikimi dhe pushteti ishin të gjitha të vlefshme, pavarësisht se nga cila anë vinin.

Pasuria e Romanovëve

Kur Nikolla II abdikoi nga froni në shkurt 1917, Shtëpia e Romanovëve kishte sunduar Rusinë për 303 vite rresht. Ata ishin një nga familjet më të pasura në botë, me pasuri rreth 45 miliardë dollarë, afërsisht 300 miliardë dollarë sot. Çuditërisht, më shumë se 1 miliard dollarë flori i familjes perandorake mbetet i pagjetur edhe sot. Çfarë ndodhi me atë pasuri ka qenë objekt pyetjesh dhe teorish konspirative.

Revolucioni ishte një shkollë e lartë propagande

Bolshevikët e dinin vlerën e propagandës dhe e përdorën me efekte shkatërruese. Nga popullarizimi i imazhit të borgjezit si armik i njeriut punëtor, e deri te shpallja e udhëheqësve të kryengritjes si heronj të klasës punëtore, propaganda luajti një rol jetik në suksesin e Revolucionit Rus. Propaganda sovjetike mbante gjithmonë një mesazh të qartë dhe të padiskutueshëm nga maja e regjimit, që kërkonte pak ose aspak zbërthim nga audienca.

Carin nuk e përmbysi Revolucioni

Edhe pse shumë njerëz ende besojnë se Revolucioni i Tetorit ishte kryengritja që rrëzoi carin nga froni, në fakt nuk është kështu. Nikolla abdikoi menjëherë pas Revolucionit të Shkurtit. Ai hoqi dorë nga froni më 2 mars 1917 dhe planifikoi të shkonte në mërgim jashtë vendit, megjithëse ky plan nuk do të realizohej kurrë. Ndërsa fillimisht ia dorëzoi pushtetin djalit të tij, Alexeit, mjekët e këshilluan se djali i vogël nuk pritej të jetonte gjatë. As vëllai nuk pranoi. Kështu, Dinastia Romanov dorëzoi kontrollin e Rusisë. Duma formoi një qeveri të përkohshme, e cila zgjati 6 muaj, por ajo urrehej për angazhimin në Luftën e Parë Botërore, duke nxitur mbështetjen publike për bolshevikët.

Orët u ndalën në Pallatin e Dimrit

Në orën 2.10 të mëngjesit të 25 tetorit 1917, bolshevikët marshuan në dhomën e vogël të ngrënies në Pallatin e Dimrit dhe arrestuan qeverinë e përkohshme të Rusisë, duke marrë pushtetin njëherë e përgjithmonë. Pikërisht këtu Alexander Kerensky, i cili kishte udhëhequr qeverinë e përkohshme që nga shkurti, u rrëzua nga forcat bolshevike.

Anëtarët e kabinetit u arrestuan dhe shteti rus bëri hapat e parë në epokën komuniste. Në orën 2.10 të mëngjesit, momenti në të cilin u hodhën këto hapa që po ndryshonin botën, dikush ndali orën e në kabinën e dhomës së ngrënies. Sot ajo mbetet si 100 vjet më parë, me akrepin e ngecur në sekondën kur qeveria ruse ra në duart e revolucionit bolshevik.

Back to top button