BotaMAIN

Basti i Macron, që mund t’i sjellë fundin politik

“Do të bëj gjithçka që të mos ketë më arsye për të votuar ekstremet”, premtonte Emmanuel Macron teksa festonte zgjedhjet e tij të para në Elysee. Presidenti më i ri i Republikës së Pestë donte të dilte mbi të majtën dhe të djathtën, en même temps. Një super-qendër që supozohej të thyente bipolarizmin. Dhe të ndalonte kërcënimin e populistëve që tashmë po përhapej në të gjithë kontinentin. Shtatë vjet më vonë, Evropa po pret me frymë të ndalur për të parë nëse partia e Marine Le Pen do të ketë një shumicë absolute dhe pretenduar qeverisjen.

“Njeriu që mburrej se kishte eleminuar ekstremistët, në fakt i favorizoi ata, duke dobësuar të djathtën dhe të majtën. Ky ishte gabimi i tij”, vëren filozofi Pascal Bruckner, i cili edhe pse ka votuar dy herë për Macronin, nuk e ka kuptuar bastin e hedhur nga kreu i shtetit një muaj më parë. Bruckner e sheh si një gjest të ngjashëm me atë të David Cameron me referendumin për Brexit të cilin ai ishte i bindur se do ta fitonte. “Macron mendoi se mund të vendoste francezët në një zgjedhje të detyruar, por është ai që e gjen veten në këtë situatë.

Atë 7 maj të vitit 2017, udhëheqësi kishte ecur i vetëm deri në skenën e ngritur para Piramidës së Luvrit. Dhe këtë mbrëmje ai do të gjendet sërish i vetëm përballë rezultateve të zgjedhjeve që caktoi, duke u konsultuar me një grusht bashkëpunëtorësh, pa e informuar as kreun e qeverisë, Gabriel Attal, i cili filloi një fushatë të çmendur për të parandaluar që e djathta ekstreme të vijë në pushtet. “Macron – vazhdon Bruckner – besonte se ishte i gjithëfuqishëm, se ai qeveriste kohën dhe diktonte axhendën. Ai mendonte se inteligjenca e tij do të joshte masat. Në realitet, ai ishte një burim acarimi”.
Kreu i shtetit luajti poker me demokracinë, vijon filozofi. “Shkoi keq për të, por ndoshta dëmi mund të kufizohet nëse Le Pen pengohet të marrë një shumicë absolute. Sigurisht që Franca do të bëhet e paqeverisshme dhe do ta fusim Evropën në telashe. Liderët e tjerë e shikojnë Macronin sikur të ishte i çmendur”.

Edhe shtatë vite më parë, pakkush besonte në llogaritë e ministrit të atëhershëm të Ekonomisë që arriti të bënte “grushtin e shtetit të shekullit”. Ishte imazhi që ai përdori, duke e krahasuar ngritjen e tij në pushtet me një plan të mirëmenduar. Një ish-bankier investimesh, i rritur në shkollat ​​e elitës dhe më pas në prapaskenat e pushtetit, pa u përballur më parë me një fushatë elektorale, kishte pushtuar Elysee-ë, që sot duket si një kështjellë e rrethuar. Dje u përhap lajmi se zona e kuqe rreth pallatit presidencial është zgjeruar për arsye sigurie. Shumë kriza më vonë – nga jelekëverdhët, te pandemia – Presidenti ndoshta shpresonte të rizbulonte atë frymë që e solli në pushtet. Fjala “guxim” përmendet shpesh ndër besnikët e tij të fundit për të përcaktuar se çfarë mbetet nga makronizmi. “Ne jemi bërë borgjezë, por nuk jemi të tillë. Ne dolëm nga hiçi, filluam nga e para”, deklaroi kreu i shtetit disa javë më parë, duke u folur trupave të tij dyshues dhe të frikësuar.

“Ka një dimension çmendurie tek Presidenti, i pëlqen të shkelë kufijtë. Shkelja e tij e parë ishte Brigitte”, kujton Bruckner duke aluduar për marrëdhënien e studentit të ri me mësuesen e tij në shkollën e mesme katolike në Amiens. Gruaja e tij mbetet pika e vetme e stabilitetit në një kontekst që ndryshon me shpejtësi. Në vitin 2017, Macron kishte marrë 350 deputetë në Assemblée Nationale, më pas 250 në 2022. Sonte ai mund të humbasë edhe njëqind të tjerë, sipas parashikimeve të fundit që i japin Rassemblement National si blloku i parë, midis 200 dhe 230 deputetë. Bruckner e quan partinë e Marine Le Pen “Resentiment National”. Një mllef kombëtar që vjen nga larg dhe i ka dhënë Macronit etiketën e Presidentit të të pasurve. “Ne jemi në thelb një popull i njerëzve ziliqarë. Amerikanët kanë një tabu: seksin. Për ne francezët është paraja”, shpjegon filozofi. “Pejga e djallit”, për të parafrazuar Papa Françeskun. “Në Francë çdo person i suksesshëm shihet me dyshim dhe zili”. Nga ana tjetër, Bruckner ishte joshur nga ajo qasje liberale aq pak e përhapur në Francë. “Këtu është padyshim një recetë që nuk funksionon nëse nuk shoqërohet me një dozë autoritarizmi dhe ndonjë gjest rishpërndarjeje pasurie, siç është ai patrimonial që Macron gabimisht e ndërpreu”.

Kreu i shtetit nuk ishte në gjendje t’i fliste barkut të vendit. “Ai nuk i njeh francezët,” thotë Bruckner. “Ai është shumë i zgjuar, gjithmonë i bukur, gjithmonë i ri. Të paktën Hollande po shtonte peshë, djersitej, pengohej. Ishte më e lehtë për t’u identifikuar me të”.
Në disa drejtime, kundërpesh është vetë Le Pen. “Pas dyzet vjetësh jetë politike – vëren filozofi – ende nuk ka mësuar të flasë mirë frëngjisht. Babai i saj ishte një orator i madh”. Fjala, vazhdon filozofi, nuk është më në modë. “Macron është bërë si Assourancetourix, ai personazhi i Asterix që askush nuk dëshiron ta dëgjojë më dhe sapo hap gojën të gjithë bërtasin: hesht. Rruga e arsyes është vënë përfund”. Dhe Macron quhej Méprisant de la République. “Jam dakord, duket përçmuese”, përfundon Bruckner. “Por në këtë ai është gjithashtu shumë francez”. / La Repubblica. Bota.al

Back to top button