Bota

BE e ndërvarur nga të tjerët, për zgjidhjen e problemeve të veta

eu

Nga Richard Gowan

A ka ndonjë që do të dojë ta shpëtojë Evropën nga vetvetja? Kontinenti është aktualisht duke përjëtuar një dobësi disavjeçare ekonomike, një fluks të madh refugjatësh, rritjen e nacionalizmit dhe një ndjenjë të përgjithshme pasigurie. Shumë shpesh, reagimi kolektiv i liderëve të saj ndaj këtyre kërcënimeve të shumta, nuk është marrja e një aksioni vendimtar, por kqyrja përreth për ndonjë që është i gatshëm ta bëjë këtë, duke i bërë kësisoj jehonë motos së personazhit të famshëm të shkrimtarit Çarls Dikens, ‘optimistit të përjetshëm’ zotit Mikauber:”Diçka do të dalë!”.

Gama e “diçkaje”, që mund ta nxjerrë Evropën nga vrima e saj strategjike, është e gjerë. Rusia mund të bëhet më e moderuar, duke lehtësuar frikërat mbi sigurinë. Turqia dhe shtetet afrikane mund të miratojnë politika të fuqishme për të kontrolluar refugjatët, duke reduktuar presionin mbi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për t’i integruar apo dëbuar ata.

Ndoshta Kina mund të investojë më shumë në BE, duke e shpëtuar ekonominë e saj. Dhe Irani mund të marrë disa masa për stabilizimin e Lindjes së Mesme, në prag të marrëveshjes bërthamore e vitit të kaluar, me përfitime të mëdha ekonomike dhe strategjike për të gjithë. Javën e kaluar, opsioni Iranian qe në ballë të mendimit të shumë evropianëve, pasi presidenti Hasan Ruhani vizitoi Romën dhe Parisin për t’i dhënë një shtysë të re marrëdhënieve ekonomike, pas përfundimit të sanksioneve.

Në Francë, Ruhani nënshkroi një marrëveshje për të blerë 118 aeroplanë Airbus. Ky është qartazi një lajm shumë i mirë ekonomik, me efekte strategjike anësore potencialisht pozitive, por nga ana tjetër nxjerr në pah edhe mënyrat me të cilat politikanët evropianë, janë tanimë të ndërvarur nga injektimi i parave nga Lindja e Lindore dhe partnerët aziatikë.

Në fund të fundit, Britania, Franca dhe thuajse shumica e anëtarëve të tjerë të BE-së, janë vazhdimisht në konkurrencë më njëri-tjetrin për të marrë investimet kineze. Mjerisht, kjo ndjenjë dëshpërimi nuk është e kufizuar vetëm tek çështjet financiare. Të përballura me përçarjet gjatë krizës së refugjatëve, qeveritë e BE-së kanë kërkuar ndihmë nga jashtë bllokut, duke i premtuar para dhe lëshime politike në veçanti Turqisë, në këmbim të bashkëpunimit të Ankarasë për pengimin e emigrantëve që të mbërrijnë brigjet e Evropës.

Pas sulmeve terroriste të nëntorit të shkuar në Paris, diplomatët evropianë janë bërë gjithnjë e më të hapur për zgjidhjen e luftën siriane dhe konflikteve të tjera të rënda në Lindjen e Mesme, sipas kushteve të Rusisë dhe Iranit. Dhe këto terma përbëjnë një dëshirë për t’ia kaluar problemet më urgjente fuqive të tjera, dhe një ndryshim në rritje të pikëpamjeve të këtyre fuqive.

Një studim i fundit i Këshillit Evropian për Politikën e Jashtme (ECFR), paralajmëron se BE-ja është tanimë “peng i regjimeve autoritare”, pasi është kthyer nga Moska për t’i dhënë fund luftës siriane, dhe Ankarasë për të zbutur disi krizën e refugjatëve. Vendimarrësit evropianë kanë një interes të gjerë në reduktimin e angazhimeve ndërkombëtare të kombeve të tyre.

Siç vëren edhe raporti i ECFR, për të cilin kam kontribuar edhe vetë, kjo situatë krijohet nga fakti se liderët evropianë “qenë të ngadaltë në përballjen me faktet” rreth shpërthimit të gjendjes në Lindjen e Mesme dhe pasojat e saj humanitare, dhe kjo “mund të thotë se qeveritë e BE-së tashmë duhet të funksionojë sipas kushteve të udhëheqësve të tillë si Rexhep Taip Erdogan dhe Vladimir Putin, të cilët kanë marrë një qasje më realiste (dhe ku nuk janë përfshirë në asnjë lloj mënyrë) në prirjen rajonale drejt paqëndrueshmërisë”.

Raporti gjithashtu tregon se ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në lagjen më të afërt të Evropës. “Prioritizimi i çështjeve ekonomike në marrëdhëniet e shteteve anëtare me Kinën, nënkupton se çështje të tjera të politikës së jashtme të BE-së ndaj Pekinit kanë një mbështetje të kufizuar. Mosangazhimi tek çështjet jo-ekonomike rezultoi në varfërimin de fakto të potencialit të BE-së për veprim”.

Natyrisht ekzistojnë fusha, ku interesat e BE-së dhe prioritetet kineze mbivendosen, sikurse është marrëveshja e dhjetorit të shkuar në Paris për të luftuar ndryshimin e klimës. Por politikëbërësit evropianë, kanë hequr në një masë të madhe dorë nga përpjekjet për të formësuar rrjedhën e rritjes së Kinës. Ky pasivitet i përgjithshëm, pasqyron jo vetëm problemet e brendshme të Evropës, por frustrimin e shumë anëtarëve të BE-së me liderin e tyre natyral në skenën botërore, Shtetet e Bashkuara.

Raporti i ECFR, prentendon se blloku ka “paguar një çmim për ndërvarësinë nga SHBA-ja për të mbrojtur interesat e saj në Lindjen e Mesme”, pasi administrata Obama ka shmangur veprimet vendimtare në rajon. Është e diskutueshme se në rast se SHBA-ja do të qe e gatshme dhe në gjendje të ndjekë një linjë të ashpër mbi çështje të tilla si Siria, aleatët e saj të vjetër të NATO-s, do të flirtojnë më pak me partnerët alternativë si Rusia dhe Turqia. Por kjo mund të ngjallë optimizëm:”Ka pak shenja se BE-ja ka një ndjesi të qartë, të asaj se çfarë do të bëjë politika amerikane për të avancuar interesat e saj strategjike, lëre më për të bindur Uashingtonin për të miratuar atë”.

Por gatishmëria e tyre për të nxitur fuqi të tilla si Rusia mbi çështjet kryesore të sigurisë, ose thjesht për të shmangur fjalët e vrazhda ndaj Pekinit, nuk është thjesht një efekt anësor i tërheqjes strategjike amerikane. Përkundrazi, vendimmarrësit evropianë kanë një interes të gjerë në reduktimin e angazhimeve ndërkombëtare të kombeve të tyre. Ata kanë tre argumente bazë strategjike për këtë kurs.

Së pari, ata duan të shmangin kostot politike dhe financiare të angazhimeve serioze në vendet e trazuara prej një kohë të gjatë si Siria, e cila duket po aq e rrezikshme sa edhe Afganistani. Së dyti, ata kanë zbuluar se edhe gjestet në dukje humanitare, si pranimi i refugjatëve, kanë kosto të dhimbshme në politikën e brendshme. Së treti, ato po mbrohen nga zvarritja në duele gjeopolitike, sikurse është përleshja sino-amerikane në Paqësor, apo edhe rrikthimi i tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Iranit.

Këto janë të gjitha argumente të mira, ose të paktën realiste, që evropianët të bëjnë më pak për botën. Megjithatë, është e diskutueshme nëse ka forca të thella strategjike në veprim:të demoralizuar apo të zhgënjyer nga aftësia e sistemeve të tyre kombëtare dhe rajonale për të formësuar ngjarjet globale, liderët evropianë janë duke vënë baste, se fuqitë e tjera kanë burimet financiare, ndikimin strategjik dhe inisiativës politike për të adresuar kërcënimet aktuale për ta.

Kjo tërheqje strategjike është veçanërisht mjerane, pasi evropianët mund të arrijnë ende qëllimet e rëndësishme strategjike, kur ato përpiqen fort. Vitin e kaluar, BE-ja ndihmoi në arritjen e marrëveshjes për programit bërthamor të Iranit, ruajti sanksione çuditërisht efektive ndaj Rusisë, pavarësisht tensioneve të brendshme mbi kostot e tyre, si dhe luajti një rol pionier në sigurimin marrëveshjen mbi klimën në Paris.

Arritje të tilla, duhet t’i frymëzojnë politikëbërësit për “rizbuluar vetë-besimin e tyre si evropianë”. Por ndoshta është më e lehtë të shpresohet se në vend të tyre do të jenë fuqitë e tjera, ato që sado autokratike apo jo të besueshme, mund të rregullojnë problemet e Evropës. Diçka do të dalë, apo jo?

  • Shënim: Richard Gowan është një anëtar i asociuar në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëpunëtor në Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Nju Jork.

“World Politics Review” – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button