Ligjvënësit evropianë nuk kursyen asnjë “grusht” javësh javën e kaluar, kur iu përveshën udhëheqësit gjithnjë e më autoritar të Hungarisë, Viktor Orban, shkruante Andreu Byrne në Financial Times. Kryeministri Viktor Orban shkoi në Parlamentin Evropian në Bruksel për të mbrojtur ligjin e ri drakonian të arsimit në Hungari, i cili praktikisht do të mbyllte Universitetin e Evropës Qendrore të Budapestit, bastionin e fundit të lirisë akademike në vend. Universiteti u themelua nga financieri amerikan i lindur në Hungari dhe filantropi George Soros, i cili me promovimin që u bën shoqërive të hapura dhe aktivizmit qytetar, është armiku i preferuar i Orbanit.
Guy Verhofstadt, kryetari belg i fraksionit liberal në parlamentit, e akuzoi Orbanin se po vepron si Stalini, duke petur: ”Çfarë mbetet tani, djegia e librave?” Udhëheqësi socialist i Italisë, Gianni Pittella, e quajti Orbanin një gënjeshtar që synon të shtypë”shkencën, studimet, shkollat dhe kulturën”, pretendime të cilat Orbani i hodhi poshtë duke i quajtur absurde.
Megjithatë, pavarësisht nga të gjithë retorikat e ashpra, “Orbani doli relativisht i padëmtuar”. Komisioni Evropian kërkoi ndryshime në ligjin e arsimit, por nuk kërkoi zbatimin e mekanizmit të “Nenit 7” – që do të shpallte se Hungaria është në shkelje të sundimit të ligjit dhe të pezullonte të drejtat e votimit në BE për këtë vend – sepse e di që partia konservatore në pushtet në Poloni, ”do të vinte veton ndaj këtij sanksioni”.
Çfarë spektakli qesharak, shkruante Tamas Lanczi në mozgasterblog.hu, media hungareze. Elita e Brukselit bëri deklarata “shumë të shtrembëruara dhe tejet shpifëse”, për të denoncuar Orbanin. Ata janë duke përdorur Universitetin e Europës Qendrore si një justifikim për të kritikuar kryeministrin, kur në të vërtetë janë të zemëruar prej refuzimit të tij, për të lejuar rishpërndarjen masive të emigrantëve të paligjshëm muslimanë, në tokën hungareze. Për fat të mirë, Orbani “mbeti i palëkundur, nuk u spraps as nga kërcënimet, as nga shantazhet”.
E gjithë kjo përplasje është një marifet zgjedhor i organizuar nga kryeministri, shkruante Tamas Torba në Magyar Nemzet (Hungari). Orbani është thjesht duke u përpjekur për t’u siguruar që partia e tij Fidesz të mos humbasë vota ndaj partisë më të djathtë, Jobbik në zgjedhjet kombëtare të vitit 2018. Përpjekjet e tij për të bllokuar me mure vërshimin e emigrantëve që kalojnë përmes Hungarisë, qendrat e ndalimit dhe retorika nacionaliste, nxitën mbështetjen për të, midis votuesve të ekstremit të djathtë. Por tani që fluksi i refugjatëve është ngadalësuar, kryeministri ka nevojë për një kërcënim të ri për Hungarinë dhe Evropën e krishterë, kështu që ai po i kundërvihet CEU dhe Sorosit. Dhe duke i dhënë një skenë ndërkombëtare për të promovuar axhendën e tij nacionaliste, BE-ja bëri pikërisht “atë që donte Orbani”.
Më keq akoma, ata zbutën një diktator të mundshëm, shkruante Rudolf Ungvary në Nepszava (Hungari). Ashtu si evropianët në vitin 1938 mendonin se mund të përballeshin me Hitlerin “nëpërmjet mjeteve demokratike”, edhe BE-ja i kundërvihet veprimeve fashiste të Orbanit me asgjë, përveç kërcënimeve për aksione ligjore. Natyrisht, kjo nuk është “një tragjedi e ngjashme”, pasi jeta e miliona hebrenjve nuk është në rrezik – vetëm “shpresat e demokratëve hungarezë”. BE ka gabuar që e ka trajtuar Hungarinë si një tjetër shtet demokratik. Orbani udhëhoqi një valë nacionalizmi në pushtet në vitin 2010 dhe e përdori shumicën e tij në parlament prej dy të tretat, për të ribërë kushtetutën, duke e zhdukur mbikëqyrjen gjyqësore dhe duke e shtypur median e lirë. Ne kemi pasur vetëm “dukje të demokracisë” për vite me rradhë. / Përgatiti: Bota.al