Sipas disa përfaqësuesve të BE, lista e personave të padëshiruar nga Moska nuk ndihmon aspak për të paqësuar Europën
Ka shpërthyer një krizë e vërtetë, e shkaktuar nga lista e zezë sekrete e Rusisë, kundër 89 personaliteteve politike dhe ushtarake europiane, e hartuar si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të perëndimit për krizën ukrainase.
Por ka polemikë edhe për guximin e presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, i cili ka emëruar guvernator të rajonit të Odesës, i banuar nga shumë filorusë, ish presidentin gjeorgjian Mikhail Saakashvili, “macja e zezë” e Kremlinit dhe i kërkuar në atdheun e tij për shkelje të ndryshme.
Rasti i listës së zezë shpërtheu pas refuzimit disa herë, që iu bë hyrjes së një deputeti gjerman dhe tre kolegëve të tij holandezë. E para ka reaguar qeveria gjermane, por nga dje janë dëgjuar edhe Brukseli dhe kryeqytete të ndryshëm europianë. Lista e zezë e Rusisë “është tërësisht arbitrare dhe e pajustifikuar, mbi të gjitha në mungesë totale të transparencës dhe sqarimeve”, ka akuzuar një zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të POlitikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini. Nuk ka “asnjë informacion tjetër mbi bazën ligjore të saj, mbi kriteret e procesit të vendim-marrjes”, ka shpjeguar, duke thënë më tej se pas refuzimeve për hyrjen në Rusi në muajt e fundit, BE dhe shtetet anëtarë “kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur transparencë mbi përmbajtjen e kësaj liste të zezë”.
Një irritim të madh ka shprehur sidomos Berlini, që është gjendur me shtatë politikanë gjermanë në listën e zezë. “Nuk e konsideroj veprim inteligjent ngritjen e këtyre pengesave për hyrjen”, ka thënë Ministri i Jashtëm, Steinmeier. Sigurisht, ky nuk është mjeti i duhur për të shmangur një konflikt potencial të rrezikshëm në zemër të Europës. Ekzekutivi i Angela Merkelit ka hyrë tashmë në kontakt me Moskën dhe kërkon transparencë për emrat e personave të listës.