Nëse nuk e bëni vetë ju, nuk do ta bëjë askush!
Të besosh tek vetja nuk është çështje krenarie, por dinjiteti personal. Është ajo lidhje psikologjike me të cilën kapemi çdo ditë për të pasur besim në vendimet tona, për të mos u frikësuar nga keqkuptimet dhe për të na mundësuar të ngrihemi njëqind herë. Të besosh tek vetja është ta duash veten me guxim, duke ditur se meriton gjithmonë diçka më të mirë.
Është shumë e mundur që fraza “besimi në veten tuaj” për shumë ngjan me një titull librash me temë ndihmën vetiake. Megjithatë, nëse këto fjalë shihen kaq shpesh në vitrinat e librarive, në manuale dhe revista të specializuara, kjo është për një arsye shumë specifike: qeniet njerëzore luftojnë jashtëzakonisht shumë për t’u besuar aftësive të tyre, për të forcuar virtytet e tyre dhe për të besuar në mundësitë e tyre.
“Asnjëherë nuk është vonë për të qenë ai që mund të kishit qenë.”
-George Elliot-
Shkaku qëndron mbi të gjitha në mënyrën se si ne e ndërtojmë realitetin tonë të brendshëm. Që në fëmijëri, ne formojmë imazhin e vetes bazuar në stimujt që marrim dhe interpretimet që u bëjmë atyre. Në këtë mënyrë, dhe bazuar në atë që të tjerët na thonë ose projektojnë mbi ne, ndërtojmë një ndjenjë identiteti më të fortë dhe më rezistente ose, përkundrazi, një ego më të pambrojtur.
Të besosh te vetja nuk është e lehtë kur mjedisi nuk të ndihmon në këtë drejtim. Të besosh aftësitë e tua nuk është e lehtë kur fokusohesh më shumë në dështimet sesa në ndjenjën e tejkalimit. Dhe nuk është as e lehtë të projektosh një ndjenjë identiteti të fortë dhe të guximshëm nëse të kanë mësuar të përqendrohesh në atë që bëjnë të tjerët, në atë që thonë ose mendojnë ata, në vend që t’i kushtohesh vetvetes.
Të besosh në veten tënde do të thotë të pranosh që je unik, i ndryshëm nga të tjerët
Ne shpesh nuk e kuptojmë zërin e mendimeve tona, qëndrimet tona, atributet tona dhe arsyetimin tonë. Janë këto që përshkruajnë arkitekturën e qenies që jemi, që na kufizojnë ose na fuqizojnë, janë ato që në fund të fundit ndikojnë në mënyrën se si ndihemi dhe si sillemi.
Arti i të besuarit tek vetja është mbi të gjitha një ushtrim i vullnetit. Dhe vullneti është një muskul i fuqisë që ushtrohet përmes mendimeve të duhura, të përqendruara dhe të synuara drejt një qëllimi specifik: promovimi i mirëqenies dhe rritjes personale.
Megjithatë, dhe ne e dimë mirë këtë, nuk është e lehtë të orientosh busullën e mendimeve drejt pozitivizmit dhe besimit kur ai që gjen vend brenda nesh është vetëvlerësimi i ulët. Kur ndjejmë apati, zhgënjim dhe demotivim.
Sado e çuditshme të na duket, prindërit tanë dhe madje edhe sistemet arsimore harrojnë të na mësojnë të besojmë në veten tonë. Përkundrazi, na shtyjnë të jemi si shumica. Sepse “të jesh normal” do të thotë të veprosh, të mendosh dhe të sillesh si të tjerët, të zbehësh veçoritë e tua dhe të bësh të zakonshmen, në jetën e përditshme. Sepse ndonjëherë, të jesh unik do të thotë të jesh ndryshe, dhe ndryshe nuk përshtatet mirë, bie ndesh me normën. Është problemi i një bote që adhuron të parashikueshmen.
Sidoqoftë, ia vlen të kujtojmë një gjë të thjeshtë dhe elementare: ne nuk jemi qenie të prodhuara në masë, ne jemi të gjithë të ndryshëm. Të jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm. Ne kemi shenja unike të gishtërinjve, personalitetin tonë, karakteristika të ndryshme nga të tjerët. Ne kemi lindur për të lënë shenjën tonë në këtë botë, dhe për këtë ne duhet të gjejmë qëllimin tonë duke besuar në veten tonë, në fuqinë tonë. / bota.al