Më 29 dhjetor 2024, një Boeing 737-800 i kompanisë Jeju Air, duke ardhur nga Bangkoku dhe me destinacion Muanin, në Korenë e Jugut, u përplas gjatë uljes, duke shkaktuar 179 viktima dhe 2 të plagosur. Një nga shkaqet e mundshme të këtij aksidenti tragjik, sipas hetimeve të para, është fenomeni i quajtur “bird strike” (sulm zogjsh), përplasja e një grupi shpendësh me një nga motorët e aeroplanit.
Problem i hershëm
Përplasjet midis shpendëve dhe aeroplanëve nuk janë një fenomen i ri. Ato kanë ndodhur që nga fillimi i fluturimeve, kur njeriu filloi të pushtonte një hapësirë që dikur u përkiste vetëm shpendëve. Shumica e këtyre incidenteve ndodhin gjatë fazave kritike të fluturimit, si ngritja dhe ulja, dhe kryesisht në aeroporte ose afër tyre.
Sipas një raporti të fundit të ENAC (Enti Kombëtar për Aviacionin Civil) mbi këtë çështje, shpendët zakonisht fluturojnë nën lartësinë 152 metra kur nuk janë në migrim aktiv. Fenomeni është rritur ndjeshëm vitet e fundit, për shkak të rritjes së madhe të trafikut ajror dhe shtimit të popullatave të disa llojeve të shpendëve. Në Itali, për shembull, numri i përplasjeve të tilla u rrit nga 348 raste në vitin 2002 në 1,084 raste në vitin 2014. Po ashtu, popullata e disa prej tyre është më shumë se dyfishuar që nga vitet 1980.
Shpendët më të rrezikshëm
Ndër shpendët më të rrezikshëm për përplasjet me aeroplanë janë ocat kanadeze (Branta canadensis), të cilat janë përshtatur të jetojnë pranë aeroporteve. Gjithashtu, fenikotë dhe madje edhe kafshë tokësore si lepujt mund të afrohen te motori i një aeroplani, duke krijuar rreziqe serioze.
Pasojat
Edhe pse avionët janë projektuar për t’i përballuar këto përplasje, ndikimi i përplasjes midis një shpendi dhe një aeroplani në shpejtësi të lartë mund të shkaktojë dëme të mëdha. Për shembull, një përplasje me një shpend 5 kg në një shpejtësi prej 240 km/h është ekuivalente me një peshë prej gjysmë ton që bie nga një lartësi prej 3 metrash.
Në shumicën e rasteve, shpendët janë ata që pësojnë më shumë: kur përthithen nga motori, ata shpesh shkatërrohen plotësisht. Megjithatë, në rastet kur përplasen me një grup shpendësh, mund të ndodhë që motori të dëmtohet seriozisht, duke sjellë humbje të fuqisë dhe rrezik për sigurinë e fluturimit. Fatmirësisht, avionët modernë janë të aftë të ulen edhe me një motor të vetëm funksional.
Për të zvogëluar rrezikun, aeroportet po investojnë gjithnjë e më shumë në teknologji dhe praktika të menaxhimit të faunës së egër, si përdorimi i radarëve të specializuar dhe trajnimi i stafit për të parandaluar shpendët të afrohen në pistat e uljes. Por, siç tregon rasti i Boeing 737-800, bird strike mbetet një kërcënim real që kërkon vëmendje të vazhdueshme. / bota.al