Motivuese

Biseda e këtij babai me djalin e tij do t’ju emocionojë pamasë. Çdo prind duhet ta lexojë e të reflektojë…

Shpesh ne tregohemi të ashpër me fëmijët, duke mos u lënë hapësira për të gabuar. Kërkojmë më të mirën prej tyre, thjesht duke menduar sakrificat tona. Mendojmë se pikërisht për mundimet tona, ata duhet të na e shpërblejnë gjithçka me arritje dhe suksese. Mirëpo harrojmë se dhe ne kemi gabuar, kur edhe prindërit tanë mundoheshin me aq sa mundeshin, të na e plotësonin gjithçka. Biseda e mëposhtme mes një babai dhe djalit të tij, duhet të na bëjë të reflektojmë gjatë për t’u lënë fëmijëve hapësirë edhe për të gabuar. Në fund të fundit, janë gabimet ato që nxjerrin mësimet më të mëdha. Ndonjëherë nuk mjafton t’u themi se çfarë është e mirë apo e gabuar, duhet t’i lëmë ata të gabojmë për t’i kuptuar vetë disa mesazhe.

“Ba, më premton se nuk do të nevrikosesh nëse të them diçka?”
“Çfarë?”
“Jo, më parë duhet të ma premtosh”.
“Në rregull, nuk do të nevrikosem, ta premtoj”.
“Sot kam qarë përpara gjithë klasës”.
“E pse?”
“Sepse mësuesja më tha që nuk i kisha bërë mirë detyrat dhe më bëri të ndihesha aq keq, saqë më ranë lotë nga sytë”.
“Dhe sipas teje, duhet të nevrikosem me diçka të tillë?”
“Epo shoqët e mi thonë se të qash është budallallik dhe se vetëm fëmijët e dobët qajnë”.
“Po ti a e dije se i kishe bërë gabim detyrat?”
“Jo, mendoja se ishin të sakta. I bëra me mamin mbrëmë”.
“Atëherë më dëgjo me vëmendje. Do të të them dy gjëra dhe duhet t’i mbash mend përgjithmonë. Më premto se nuk do t’i harrosh”.
“Në rregull, ba, të premtoj”.
“Gjëja e parë është se jam krenar për ty. Të dish se mund të qash, është një bekim. Lotët nuk janë diçka e keqe, janë diçka e mrekullueshme. Më beso, të qash nuk është budallallik. Nëse qan, do të thotë se je duke përjetuar emocione; se je i gjallë; se nuk je një copë druri pa emocione. Ta siguroj se edhe shokët e tu kanë qarë me dhjetëra herë, edhe pse duan të të bindin për të kundërtën. Ndaj, qaj sa herë të duash dhe mos u ndje i turpëruar nga lotët e tu, ato janë pjesë e jotja. Dije se ndonjëherë lotët të bëjnë të ndihesh më mirë, kur ndihesh keq këtu, në zemër (duke treguar nga zemra e vogëlushit)”.
“Po gjëja e dytë?”
“Të gabosh është diçka normale. Të bësh disa gjëra gabim, është normale. E di se dhe unë e nëna jote kemi gabuar shumë herë? Janë pikërisht gabimet që të mësojnë, pasi nuk mëson asnjëherë nëse i bën gjithë gjërat në mënyrën e duhur. Ndihu i lirë për të gabuar. Ndaj, nuk kam pse të nevrikosem se pse ti dhe mami i bëtë detyrat gabim, dhe as do të nevrikosem se ke qarë, përkundrazi, ndihem i lumtur. I dua fëmijët që dinë ende të qajnë dhe nuk kanë frikë të gabojnë”. – Sabrina Ferri

Back to top button