Ekonomi

“Bomba” kineze e ndërtimit

Pekin

Për herë të parë në 125 vjet ekonomia kineze është më e madhja në botë. Pekini ende dyshon në këtë status të ri, që është arritur nga bumi i ndërtimit dhe shpenzimet e qeverisjes lokale, të cilat njëkohësisht po kthehen në një kërcënim serioz për rritjen e mëtejshme

Jamil Anderlini

Financial Times

Herën e fundit që Kina ishte ekonomia më e madhe në botë, Pekini kishte vetëm 700 mijë banorë, dhe distrikti i tij periferik Uangjing nuk kishte asnjë shtëpi, por ishte thjeshtë një grumbull kodrash të ndërtuara për të mbrojtur kryeqytetin nga barbarët e veriut. Ishte viti 1890. Sot, Pekini ka mbi 21 milion banorë dhe Uangjing është një hapësirë me ndërtesa luksoze gjysëm boshe për banim e zyra, brenda unazës së pestë të qytetit.

Kina ka rifituar titullin si ekonomia më e madhe në botë, pasi la pas SHBA-në për madhësinë e GDP, për herë të parë pas 125 vitesh, por kjo arritje vjen e shoqëruar me shembuj të zymtë të problemeve me të cilat përballet vendi. Kapja e kreut të renditjes vjen në një kohë kur Kina po ecën brenda atij që njihet si “kurthi i të ardhurave mesatare” dhe që thekson problemet serioze të shfaqura gjatë këtyre viteve të fundit, të cilat kërcënojnë ecjen para në të ardhmen.

Me përzierjen e blloqeve të vjetra të apartamenteve me kullat e ndritshme futuristike të ndërtuara dhjetë vitet e fundit, gjysma e të cilave bosh, Uangjing-u është rasti tipik i ndërtimit të nxitur nga një hiperkreditim, që është burimi i rritjes, por me një cmim të lartë.

Vitin e kaluar rritja e ekonomisë kineze zyrtarisht ka qenë 7,4 për qind, më e ulta që prej 1990, kur vendi u përball me sanksionet që pasuan masakrën e Sheshit Tiananmen të 1989-ës. Për këtë vit FMN e ka ulur parashikimin për rritjen e ekonomisë kineze nga 7.1 në 6.8 për qind dhe parashikon që vitin tjetër për herë të parë në këto dhjetë vjet, GDP e vendit të rritet më ngadalë se në Indi.

Vende si Uangjing-u përfaqësojnë “sasinë e madhe të stokut të pronave, mundësinë për një krizë të buxheteve lokale si dhe ndërtimet e pastudiuara në aspektin demografik që do të cojnë në krizë të tregut të pasurive të patundshme në tre vitet e ardhshme” thotë Ai Jinguei, një komentator i tregut të pronave.

Edhe pse rritja vjetore e 7,4 për qind (apo dhe 6.8 për qind) shkakton zili pasi është shumë më lart se rritja e ngadalshme e ekonomive të zhvilluara perëndimore, ajo është shumë larg nga zgjerimi dyshifror që ekonomia kineze ka patur 3 dhjetëvjecarët e fundit duke nisur që nga fundi i viteve 1970.

Edhe pas vitit 2010, ekonomia e Kinës u zgjerua me rreth 12 për qind, e nxitur nga rritja e kredisë dhe ndërtimit, e stimuluar nga Pekini si kundërvënie ndaj efekteve të krizës financiare globale të 2008-ës.

Problemi i madh me të cilin përballet Kina sot, është se si kredia edhe ndërtimi që janë nxitësit e rritjes ekonomike, janë në një ngadalësim të vazhdueshëm.

‘Çrregullimet e likuidimit’

Ndërsa periferitë e Pekinit si Uangjing-u përfaqësojnë një huamarrje e ndërtim të tejngopur, problemi është edhe më i mprehtë në qytetet më të vogla, të cilat kurrë nuk do të mund ta shohin kërkesën për pasuri të patundshme, pasi nevojat mbulohen vetëm nga kryeqyteti.

Duke marrë në konsideratë edhe industritë mbështetëse, ndërtimi dhe pasuritë e patundshme, zënë çerekun e ekonomisë 10 trilion dollarë të Kinës, një përqindje shumë më e lartë se e SHBA-së, Irlandës apo Spanjës që patën flluskat më të mëdha të pasurive të patundshme në dekadën e fundit. Një dekadë ndërtim i furishëm ka si rezultat blloqe të tëra apartamentesh bosh në qytetet kineze.

Graviteti-sfidues i katërfishimit të cmimeve të banesave në qytetet e mëdha, në vetëm 10 vjet, vitin e kaluar u ngadalësua. Në dhjetor, çmimet mesatare kombëtare të shtëpive ranë me 4.3 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, po sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar investimet e përgjithshme në ndërtim u rritën me 10,5 për qind, ndërkohë që stoku i ndërtesave të pashitura në fund të dhjetorit shkoi në 26 për qind. Shifrat e bëjnë të qartë se korrigjimi në sektorin e pasurive të patundshme në Kinë ende nuk ka filluar. Por nuk është cudi që duke nisur nga fillimi i këtij viti, kontratat të mund të mos shlyhen, dhe shumë shpejt vendi mund të përballet me një valë falimentimesh – duke mos e përjashtuar as edhe një krizë të mundshme të borxhit, paralajmërojnë ekonomistët.

“Ngadalësimi në Kinë mund të kthehet në një spirale të rrezikshme implikimesh financiare për ekonominë globale,” paralajmëroi këtë muaj Banka Botërore. Ndikimi tashmë ka filluar të ndjehet në çmimet botërore të mallrave, përfshirë naftën, por edhe në ecurinë e ekonomive në Brazil, Gjermani, Australi dhe shumë vende të Azisë, të cilat janë gjithnjë e më shumë të varura nga kërkesa kineze.

Çmimet e mallrave, të tilla si hekuri dhe bakri, faktorë kyç në bumin e ndërtimit, kanë rënë afër niveleve të ulta të fillmit të krizës globale, dhe duket se jemi para korrigjimt të ndërtimit kinez, që ende nuk ka ndodhur siç duhet.

Dobësitë më të mëdha financiare janë përqëndruar veçanërisht në nivel lokal, ku zyrtarët e provincave kanë injoruar kufizimet buxhetore dhe ndalimin e huamarrjes e kreditimit, për të kënaqur “oreksin” e ndërtimit.

Deficitet lokale

Që nga mesi i 2013, hera e fundit që qeveria ka publikuar shifrat, borxhi i pakthyer i qeverive lokale ka shkuar mbi 18 trilion juan renminbi, duke u rritur 80 për qind në vetëm dy vjet. Kjo ka ndodhur edhe pse Pekini i ka kufizuar zyrtarët lokalë në marrjen e sasive të larta të parasë.

Por, edhe pse ekonomia është ngadalësuar gjatë vitit të kaluar, dhe zyrtarët ishin porositur të mos planifikonin më shumë investime në infrastrukturë, huamarrja e qeverisjes vendore është rritur përsëri. Statistikat e pjesshme tregojnë se sasia e obligacioneve të emetuara në 2014 ka shkuar në 1.66 trilion juan renminbi, krahasuar me 900 miliard që ishte vetëm dy vjet më parë. Por dhe pas rritjes së vazhdueshme të investimeve në ndërtim, qeveria ka deklaruar se problemet financiare ende nuk kanë filluar, që do të thotë se po të ndodhë kjo, ekonomia mund të ngadalësohet shumë më tepër. Ndërvarësia mes dy rreziqeve të mëdha të ekonomisë së Kinës—sektori i ndërtimit dhe borxhet lokale — e kanë bërë situatën alarmante. Sipas një studimi të Deutsche Bank, qeveritë lokale e kanë mbështetur 35 për qind të borxhit të tyre në shitjen e tokës, ndërkohë që praktikisht i gjithë borxhi i tyre mbulohet me kolateral nga toka e prona të vetë qeverive lokale, e që janë mbivlerësuar seriozisht.

Në një studim të fundit ku hedh dyshim për ruajtjen e normave aktuale të rritjes, Zhang Zhiuei, shefi i ekonomistëve të Deutsche Bank për Kinën, zbuloi se qeveritë lokale janë bërë blerësit më të mëdhenj të tokës në vitet e fundit. Për të shmangur problemet me deficitet, qeveritë lokale kanë ngritur mijëra “motorrë financimi”, plotësisht në pronësi të tyre, dhe mbi këtë bazë kanë huazuar të holla nga bankat shtetërore, tregjet e bonove dhe institucionet financiare më pak të rregulluara. Teknikisht ky proces është i paligjshëm, por ai është toleruar për shkak se ka shtuar stimujt e rritjes në këto vite të krizës financiare globale.

Ashtu si rënia e shitjeve të pasurive të patundshme edhe kërkesa për tokë nga ndërtuesit ka avulluar. Në këto kushte zyrtarët lokalë po e përdorin vetë “motorrin e financimit” për blerjen e tokës me anë të kredive që i marrin si nga bankat shtetërore ashtu edhe nga ata me pronësi “në hije”. Zyrtarët dhe analistët shprehin shqetësim se kjo përpjekje vetëm sa nxit një rritje afat- shkurtër dhe mund të shkaktojë paqëndrueshmeri fiskale. “Në 2015, Kina mund të përballet me sfidën më të rëndë fiskale që nga 1981 (kur nisi rritja e shpejtë ekonomike),” shkruan në raportin e tij zyrtari i Deutsche Bank. “Rënia fiskale si dhe rënia e të ardhurave përbëjnë një rrezik kryesor për ekonominë kineze, dhe këtë fakt tregjet nuk e njohin mirë”, thuhet në të njëjtin raport.

Pas një çerek shekulli rritje të shpejtë, ulja e ritmeve në 2014 bëri që për here të pare, objektivat e Partisë Komuniste në pushtet të mos realizohen, gjë që kishte ndodhur vetëm në kulmin e krizës financiare aziatike të vitit 1998. Zyrtarët dhe analistët argumentuan se objektivi i vitit të kaluar për rritje “rreth 7,5 për qind”, është realizuar, pasi në të vërtetë qeveria, kishte pritur një ritëm më të ulët, duke bërë edhe një zbutje të objektivit me futjen për herë të parë të fjalës “rreth”. Ndërkaq për këtë vit qeveria pritet të vendosë një objektiv të rritjes “rreth 7 për qind”.

Ndërkohë ministri kinez i financave Lou Jiuei, u ka thënë personaliteteve që kanë vizituar Pekinin, se ata do të jenë të kënaqur edhe me 6 për qind rritje në vitet e ardhshme. Në biseda informale, ai e ka bërë të qartë se për të ruajtur ritmet e rritjes kërkohet një nivel shumë i lartë i investimeve qeveritare në infrastrukturë.

Me një mal problemesh në ekonominë e brendshme, nuk është çudi që udhëheqësit e Kinës ta shoh “titullin” e ekonomisë më të madhe në botë si barrë që sjell vëmendje të padëshiruar. Në fakt, Pekini deri tani ka refuzuar t’i njohë vlerësimet e reja, dhe po përpiqet ti rregullojë shifrat duke relativizuar vlerat e mallrave dhe shërbimeve të pa tregtueshme me ekoniomitë e tjera.

Pekini mohon

“Kohët e fundit ka patur studiues dhe disa media që kanë vlerësuar se GDP e Kinës ka tejkaluar atë të SHBA në terma tregtare, por Kina dhe Zyra Kombëtare e Statistikave nuk i njohin këto vlerësime,” tha i qeshur, javën e kaluar, kryestaticieni i Kinës, teksa publikoi shifrat më të fundit të rritjes ekonomike të vendit. “Problemi vjen ngaqë në shportat komplekse të mallrave ushqimore nuk përfshihen mallra të njëtë, në ekonomi të ndryshme. Shporta kineze e mallrave të konsumit ka si produkt kryesor ushqimor orizin, ndërsa miqtë evropianë në shportën e tyre i kushtojnë më shumë vend bukës. Ju e kuptoni se këtu nuk është e njëta gjë.”

Argumentin e vlerës relative të karbohidrateve zyrtarët mund ta mënjanojnë, mjafto të përmendin faktin se Kina renditet e 89 në botë në treguesin e GDB-së për frymë, tregues kryesor i zhvillimit, duke qenë në një nivel me Maldivet apo Perunë. Ata gjithashtu mund të përdorin edhe argumentin se sipas studimeve të fundit ka një mbivlerësim serioz të artikujve që shiten në tregun kinez. “Kina vetëm sapo hyn në radhën e ekonomive me të ardhura mesatare, dhe nuk do të përplaset me ballin e erërave duke pranuar përgjegjësinë globale. . . për të qenë ekonomia numër një në botë “, thotë një ekspert i përfshirë në diskutimet e nxehta për vlerësimin e ri.

Nëse vlerësimin e bëjmë duke krahasuar shpenzimet korente, ekonomia e ngadalësuar e Kinës u ngjit në 10 trilion dollarë, për herë të parë vitin e kaluar, ndërsa ekonomia amerikane që po përshpejtohet është 17,5 trilion dollarë.

Sipas kërkimeve të ekonomistit britanik Angus Maddison, Kina ka patur ekonominë më të madhe në botë për gati dy mijëvjeçarë, dhe në vitin 1820 ekonomia e saj përbënte 33 për qind të PBB-së së botës, të njëjtin raport që SHBA kishte në vitin 2000. Por që nga 1890, pas dekadash rebelimi të brendshëm dhe pushtimeve të huaja, Kina e ka humbur kryesimin në raport me SHBA- në në shumë tregues ekonomikë.

Por sot Kina është prodhuesja dhe tregtuesja më e madhe e mallrave në botë, si edhe konsumatorja më e madhe e tyre duke filluar nga hekuri e deri tek qumështi pluhur. Ndryshe nga 1890, kur kishte një ekonomi që punonte për vete dhe pa ndikim global, sot pjesa tjetër e botës duhet tu kushtojë shumë më tepër vëmendje ndërtesave lukzoze gjysëm bosh, në periferi të Pekinit. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button