Analiza

Bota arabe: Pretekstet “e bukur” për represion

Bissan Al-Cheikh

Screen Shot 2015-02-18 at 16.29.16Shteti islamik është sot ai që gjatë dekadave ka qenë “kauza palestineze”, domethënë një ngarkesë që është përdorur për të justifikuar të gjitha gabimet dhe të gjitha teprimet represive të regjimeve arabe, regjime që paraqiten si aleatët e paevitueshëm të perëndimorëve.

Por ndërsa kauza palestineze ushqehej nga simpatia e popujve për një kauzë, ajo e shtetit islamik ushqehet nga frika që shkakton kapaciteti i kësaj organizate për t’u imponuar nëpërmejt dhunës.

Lëvizjet palestineze kërkonin që të kujdeseshin për imazhin e tyre. Kur ato kryenin mizori, i bënin me dyer të mbyllura.

Shteti Islamik përkundrazi, jo vetëm që merr përsipër vrasjet makabër, por dhe i përhap nëpër botë fotot e krimeve. Në të kaluarën, nën pretekstin që asnjë votë nuk duhej të prishte unanimitetin nëqoftëse dëshirohej të fitohej beteja e Palestinës, regjimet arabe shpallnin gjëndjen e jashtëzakonshme, për të ndaluar kundërshtarët dhe për t’i bërë të heshtin deri në kërkesat politike dhe ekonomike më elementare.

E njëjta gjë riprodhohet sot me thirrjen e “gogolit” të shtetit islamik.

Në të kaluarën, regjimet besonin që ato luftonin Izraelin me të gjithë energjinë e tyre, dhe që së shpejti do të mund të shkohej për t’u falur në Jeruzalem. Dhe gjeneratat e baballarëve tanë kanë jetuar dyzet vjet pritje, poshtërime dhe dështime. Sot, trashëgimtarët e këtyre regjimeve kërkojnë të bindin gjeneratën tonë se një luftë e pamëshirshme ka filluar kundër shtetit islamik, dhe do të mjaftonte pak përpjekje nga gjithësecili për ta fituar.

“Pak përpjekje nga gjithësecili” të thotë të heqësh dorë nga të drejtat dhe të mbash zi për kërkesat për të cilat qindra-mijëra persona janë mobilizuar [gjatë ngjarjeve të pranverave arabe], dhe në emër të të cilave shumë persona kanë dhënë jetën e tyre. Në Egjipt, qindra militantë laikë, paqësorë dhe në lule të moshës janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Megjithatë ishin ata, të cilët bënë revolucionin e 25 janarit të vitit 2011, qenë të parët për të luftuar pushtetin e Vëllezërve Myslimanë nën presidencën e Mohamed Morsit. Gjithashtu, qindra persona u dënuan me vdekje për përkatësinë në “grupet ekstremiste”, apo si partizanë të një islami politik, i moderuar në celula [realisht të lidhura me shtetin islamik]. Kësaj i shtohen arrestimet e studentëve, të akuzuar për “përhapjen e lajmeve të rreme”, pa folur për faktin që mjetet e sigurisë mund të vazhdojë të goditasin pa u ndëshkuar.

Atentatet [në Janar] në Sinai dhe gjetkë duket se i ligjërojnë këto metoda, autoritetet nuk mund të pretendojë se kanë marrë një mandat nga populli për të vepruar sipas dëshirës tyre. Në realitet, ajo që ndodh nuk është veçse pasojë e një politike që konsiston në përjashtimin e një pjese të popullsisë, dhe pra ta dënosh atë në klandestinitet.

Rrëshqitjet terroriste që rrjedhin prej saj ishin në mënyrë të përsosur të parashikueshme.

Në Liban, situata është më pak e rëndë, por jo më pak shpërthyese. Vendi jeton në një gjëndje emergjence të pashpallur. Në jug të vendit, Hezbollahu rrezikon në çdo çast të hapë një front lufte me Izraelin. Në lindje në kufirin sirian, ushtarët vdesin në një luftë të pashpallur [me lëvizjet islamiste] që ka shkaktuar një numër të vrarësh. Madje qysh prej tetë muajsh nuk ka president për të shpallur një zi kombëtare për ta.

Në të njëjtën kohë, nën pretekstin për të luftuar shtetin islamik dhe Frontin Al-Nosra [islamistët e lidhur me Al-Qaidan], strukturat e sigurisë libaneze arrestojnë arbitrarisht njerëz dhe shkatërrojnë shtëpitë e tyre në lagjet e varfëra. Gjithashtu, ata dëbojnë refugjatët sirianë të akuzuar se krijojnë një terren të favorshëm për ekstremizmin. Ajo që është më e rëndë, është se Hezbollahu ka përsëri dritën jeshile për të vendosur vetë, për luftën dhe për paqen.

Sepse do të vlente më mirë të lejohej të bëhej “një luftë parandaluese” kundër terroristëve në Siri, para se ata të arrijnë në territorin libanez. [Hezbollahu lufton xhihadistët me trupat e regjimit sirian].

Bashar El-Assadi ka arritur me sukses, që me një goditje mjeshtërore t’u imponohet shtresave të gjera të popullsisë, sikur është e vetmja fortesë kundër shtetit islamik dhe një aleat i pranueshëm për komunitetin ndërkombëtar.

Ashtu si babai i tij Hafez El-Assad, ka arritur me sukses ta bëjë Sirinë një aktor të pa evitueshëm në rajon, duke tërhequr fijet në vendet fqinje, me rusët, me iranianët, si dhe të vendoset në të njëjtin kamp me amerikanët në luftën kundra terrorizmit. Dhe të bindë që “çështjet e brendshme” mund t’i lihen negociatave të organizuara nëpërmjet rusëve.

A përfundojnë të gjitha konfliktet në tryezën e bisedimeve? Ndoshta, por nuk është më pak dramatike që Assadi i shpëton, ashtu si më parë babai i tij, drejtësisë dhe se në emër të prioritetit absolut për të shkulur shtetin islamik, masakrat dhe mijëra të vdekur për të cilat ai është përgjegjës, duken të destinuara në harresë.

Asadi ka kuptuar shumë herët që administrata aktuale amerikane nuk ishte e prirur për luftën dhe se ai mund ta majmë përbindëshin e shtetit islamik dhe më pas të propozojë që ai është më mirë i vendosur për ta vrarë atë. Përfundimisht, nuk duhet thënë se Shteti islamik vepron gjithashtu në këtë mënyrë. Ai pretendon se duke prerë duart dhe kokat lufton tiraninë dhe që paraqitet si e vetmja zgjidhje përballë diktaturave arabe. / Al-Hayat/

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button