Amerikanët bashkohen me Iranin për të luftuar islamizmin ndërsa evropianët dhe arabët marrin rrugën e Damaskut… Lamtumirë “pranvera arabe”, kthimi në realpolitik
Hussam Itani
Amerikanët i kanë pritur pozitivisht bombardimet iraniane ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik në Irak; revista franceze “Paris-Match”, faqet e para i ka hapur me Bachar El-Assadin; Kuvajti ka autorizuar rihapjen e ambasadës së Sirisë … Këto janë disa shenja. Ndoshta ato janë të pakta dhe ndoshta nuk ka lidhje midis tyre. Pak gjëra kanë mbetur që të lidhen me situatën e krijuar nga revolucionet arabe.
Katër vjet pas fillimit të këtyre revolucioneve, mund të themi pa hezitim dhe pa u gënjyer se raporti i forcave në gjirin e shoqërive arabe nuk shkon në drejtimin e ndryshimit të pritur.
Egjiptianët janë kthyer në një autoritarizëm të zakonshëm [me grushtin e shtetit ushtarak të marshallit Al-Sissi, në vitin 2013], duke refuzuar të vinin bast mbi Vëllazërinë Myslimane.
Libia është zhytur në konfliktet rajonale dhe tribale. Jemeni ka rënë nën influencën e Iranit, dhe në Siri është akoma Irani që dikton kursin e gjërave, domethënë luftën.
Revolucionet kanë lënë gjurmë të thella në shoqëritë arabe. Pamjet e miliona personave që kërkojnë dinjitet dhe drejtësi nuk shuhen aq shpejt nga kujtesat, as pamjet e tmerrshme të regjimeve që kanë drejtuar armët e tyre kundër këtyre manifestimeve paqësore.
Për dekada, njerëzit do të kujtojnë figurat e mëdha të këtyre revolucioneve, por gjithashtu të paradokseve dhe kontradiktave të tyre, që nuk kanë lejuar tranzicionin social dhe politik.
Dështimi i tyre ka qenë një mësim i madh, për të kuptuar shoqëritë tona dhe mënyrën e tyre të marrjes së vendimeve.Një kontekst i vështirë. Nuk duhet gjithësesi të harrojmë se ato kanë ndodhur në një kontekst shumë të vështirë të krizës botërore, me një mungesë të lidershipit dhe një tërheqje të fuqive të mëdha në një koncept ekstremisht të ngushtë të interesave të tyre kombëtare.
Kjo u pa në mënyrën se si ato trajtuan shpresat e rinisë arabe.
Për të vlerësuar dështimin e tyre në realizimin e objektivave të tyre fillestare, duhet gjithashtu të kemi në mendje ndërhyrjet e pamëshirshme nga jashtë – amerikane, iraniane dhe turke – dhe faktin që Israeli nuk ka interes për krijimin e një shteti arab demokratik dhe modern. Duke thënë këtë, e gjithë historia e këtij rajoni është vetëm një seri ndërhyrjesh të fuqishme, asnjë nga aktorët qysh prej brezave të tërë, nuk kanë dhënë prova mëshire kundrejt armiqve të tij.
Fakti që amerikanët pritën në mënyrë të favorshme bombardimet iraniane kundra Shtetit islamik në Irak, intervista e Bachar El-Assadit në revistën franceze “Paris-Match”, etj., nuk janë gjë tjetër veçse shenjë e një fillimi normalizimi, domethënë një zgjidhje me status quo.
Bota mendon se pas refuzimit për të kontribuar në suksesin e revolucioneve, ajo tani nuk është më një çështje për të pritur frutet e saj. Bota pranon pra të lidhet me politikën e saj të zakonshme, duke preferuar më mirë “të flasë me diallin që e njeh”, se sa të guxojë me të panjohurin, me shpresën për të nxjerrë përfitime.
Një botë e ftohtë
Duhet të vajtojmë dominimin iranian mbi Irakun, Jemenin, Libanin dhe Sirinë ashtu si duhet vajtuar dhe gjaku i qindra-mijëra personave, që duhet të derdhet për të mbajtur një pushtet familjar që mbretëron me armë në Siri. Por pamjet e fëmijëve që vdesin nën fuçitë shpërthyese në qyetin e Alepit nuk prekin asnjeri, atë që ne e quajmë “komuniteti ndërkombëtar”, as dhe vuajtjet e milionave sirianëve në kampet e refugjatëve, të cilëve u kanë ndërprerë ushqimet [ulja drastike e ndihmave të OKB-së për refugjatët].
Kjo botë e ftohtë i sheh gjërat në këndin e interesave të saj dhe tregohet gjithmonë e gatshme të bëjë aleancë me djallin, me kusht që ai të mbrojë këto interesa dhe t’i çojë përpara ato./Al-Hayat/
s.m./www.bota.al