Motivuese

“Bota ka nevojë të jesh vetvetja”. Fjalimi emocionues i Jay Shetty

“Nuk mund ta ndryshosh karrierën tënde në moshën 35 vjeçare. Deri në atë moshë duhet ta kishe zbuluar se çfarë do të doje të bëje”. “Oh Zot, nuk je martuar akoma dhe je 38 vjeç? Çfarë dreqin po bën me jetën tënde?”.

Më besoni që ka ende persona, të cilët flasin në mënyrë të tillë dhe i mërzisin të tjerët. E dini se çfarë ka bërë Angelina Jolie përpara se të njihej si aktore dhe të fitonte famën që ka sot? Aplikoi për të qenë një drejtoreshë e shtëpive të funeraleve. Është e pabesueshme apo jo?

Ne sot rritemi duke u munduar të përmbushim pritshmëritë e të tjerëve, pritshmëritë e prindërve, të vëllezërve apo motrave, si dhe të shoqërisë. Unë u rrita në një shtëpi, ku konsiderohej arritje të bëheshe ose avokat, ose doktor. Gjithçka tjetër ishte dështim. Dhe nëse bazohem në ato ide, i bie që sot kam dështuar.

Kam jetuar si murg për tri vjet, refuzova dy oferta punësimi pasi mbarova shkollën e biznesit, u vesha si murg dhe gjithçka me shpresën se do të ndikoja për mirë në botë. Kjo ishte një nga eksperiencat më të bukura të jetës sime. Më tepër se sa kënaqësia që fitova duke qenë murg, ajo që më pëlqente ishte që i theva “rregullat” e shoqërisë. Të gjithë më thoshin se nëse kthehesha në vendin tim pas tri vitesh, nuk kisha për të gjetur punë, apo nëse bëhesha murg, të gjithë do të mendonin se unë isha i çuditshëm.

Ama unë e bëra atë zgjedhje dhe nuk pendohem, madje mendoj se ka qenë një nga eksperiencat më të bukura të jetës sime. Dhe e gjitha kjo i dedikohet faktit që vendosa të bëja diçka ndryshe. Ne përqendrohemi aq shumë tek ajo se çfarë do të bëhemi, në vend të faktit se kush duam të bëhemi. Kjo sepse jemi mësuar se jeta, puna dhe karriera janë si kontenierë me një numër të kufizuar opsionesh. Nuk është e vërtetë, ka plot opsione dhe mjafton të investosh tek pasionet e tua për t’u bërë më i miri. Mëso nga më të mirët. Shko dhe gjej dikë që do të të bëjë më të mirin në fushën, për të cilën ke ushqyer pasione.

Kjo gjë jo vetëm do të të rrisë, por do të bëjë të mësosh edhe shumë gjëra të reja për veten që nuk i dije. Mos e sakrifiko personin që përfaqëson, për atë që bota ka nevojë. Bota ka nevojë të jesh vetvetja.

Back to top button