Bota

Brexit dhe shuplaka për Brukselin

Në Britaninë e Madhe, BoJo (Boris Johnson) u votua sepse, iu pëlqen apo jo shumëkujt, pjesa më e madhe e popullit britanik dëshiron daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Dhe britanikët kanë qenë të gatshëm të votojnë qoftë edhe atë, Johnsonin, një “të marrë” në dukje por i vetmi që mund ta çojë deri në fund këtë sipërmarrje kolosale. Ndërsa Corbyn nuk u votua, për shkak se udhëheqësi i laburistëve u pa si asgjë më shumë se sa një nostalgjik i moshuar i të majtës së një herë e një kohe, u akuzua për antisemitizëm dhe bëri një premtim, sipas të cilit do të taksonte praktikisht të gjithë. “Anyone, but Corbyn” (Cilindo, përveç Corbyn-it), ishte parulla që u mbështet nga shumica e britanikëve.

Ajo që po bëhet gjithmonë e më e qartë është se, shpresa e shumëkujt për një Bashkim Evropian më të fortë, është thjesht një ide e atyre që nuk munden apo nuk duan të kuptojnë drejtimin se ku po shkon bota e sotme. Për ta kuptuar këtë nevojitet që të kthehemi pas në kohë, në vitin 2016, i cili ishte viti që praktikisht e ndau kohën e çështjeve ndërkombëtare në “para” dhe “pas”. Në qershor të atij viti, Britania e Madhe zhvillonte zgjedhjet për largimin apo jo nga një Evropë, ndaj të cilës e kishim parë sa pranë aq edhe larg. Përpara ditës së madhe të vendimit të britanikëve, askush nuk besonte që do të votohej për Brexit. As edhe sondazhet. Të cilët do të gabonin për së dyti po atë vit disa muaj më vonë, kur parashikonin fitoren e Hillary Clintonit përballë Donald Trumpit. Por të kthehemi në Britaninë e Madhe, ku rezultatet e referendumit të Cameronit treguan se shumica e britanikëve nuk dëshironin të vazhdonin të qëndronin në BE.

Ishte një rezultat tronditës për Londrën, por edhe për BE. Këta të fundit zgjodhën strategjinë e demonizimit të Brexit dhe interpretimin si një rezultat i frustrimit të atyre që jetonin në periferi, klasës nën nivelin e mesëm dhe të lënduarve prej globalizimit. Por edhe pse me kalimin e kohës u bë e qartë se nuk ishin vetëm këta, elitat vazhduan që të demonizojnë një rezultat të papëlqyer mbi të gjitha për ato vetë.

Vota e javës që kaloi pro Boris Johnsonit ka konfirmuar edhe një herë dëshirën e britanikëve. Një votë e cila mund të konsiderohet fare mirë edhe një tjetër shuplakë e fortë ndaj Brukselit, institucionet e të cilët po perceptohen si gjithmonë e më mbytëse. Dhe në qoftë se elitat që punojnë në pallatet e pushtetit të Brukselit nuk do të dijnë ta lexojnë mirë këtë votë dhe të vetëkorrigjohen, atëherë Bashkimi Evropian do të gjendet në telashe serioze. Dhe faji nuk do të jetë i BoJo-s. Faji do të jetë i atyre që nuk po kuptojnë se më shumë Europë, nuk është ajo çfarë po kërkojnë njerëzit sot. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button