Ekonomi

BREXIT / Ka një projekt francez për të plaçkitur Londrën

Delegati i City-t në Bashkimin Europian, në një raport dërguar Parlamentit dhe qeverisë britanike, lëshon alarmin: në Francë, të gjithë institucionet bankare dhe qeveria e Macron-it duan të shkatërrojnë financën e Mbretërisë së Bashkuar

Franca u ka bërë të qartë përfaqësuesve të City-t të Londrës, se do të bëjë gjithçka që ka në dorë, për të “plaçkitur” ekonominë britanike dhe sabotuar financën e lartë londineze, falë Brexit-it.

Kjo ka dalë nga një raport zyrtar i përfaqësuesit të City-t në Bashkimin Evropian, Jeremy Broune, zbuluar nga “Daily Mail”. Sipas Broune, institucionet më të larta financiare, në marrëveshje me qeverinë e re në Paris, kanë një objektiv të vetëm, dhe ai është që t’i marrin vendin City-t (qendrës financiare në Londër) dhe të ndëshkojnë Mbretërinë e Bashkuar, për daljen nga Bashkimi Evropian. Takimi i dërguarit të City-t në Francë me bankierë, politikanë, financierët dhe përfaqësues të qeverisë, i ka bërë të qartë qeverisë britanike dhe bankierëve britanikë, atë që është bërë e ditur tashmë në disa deklarata nga kontinenti, pra që interesi i Evropës në sektorin e financës së lartë, tani që është mbërritur në këtë pikë të Brexit, është që të mund të fitojër sa më shumë të jetë e mundur, nga përjashtimi i City-t të Londrës prej qarqeve financiare dhe ekonomike evropiane.

Mesazhi Jeremy Broune për Ministrat britanikë dhe anëtarët e Parlamentit është shumë i qartë. Në të thuhet se Franca e Macronit i ka shpallur luftë të hapur “Square Mile” të Londrës dhe paralajmëron se institucionet franceze “janë shumë të qartë në qëllimin e tyre: dobësimin e Britanisë dhe asgjësimin e Londrës”. Përveç kësaj, thuhet në raport, Broune kishte mbetur veçanërisht i impresionuar nga takimi me delegatët e Bankës së Francës, që i dërguari i City-t e ka quajtur “më të keqin që pata kudo në BE. Ata janë në mbështetje të një hard-Brexit. Ata duan shkatërrimin dhe shpërbërjen e shërbimeve financiare britanike”.

Për të konfirmuar këtë, përsëri sipas Broune, shërbejnë zbulimet se sipërmarrësit më të mëdhenj francezë kanë shkuar në Londër, kohët e fundit, duke ofruar shuma të mëdha parash për kompanitë me bazë në kryeqytet, që të sigurojnë zhvendosjen e tyre në Paris, duke braktisur kështu City-n. Një sistem i mirëpritur dhe i mbështetur nga qeveria Macron, dhe që është pasojë e asaj që ka deklaruar ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, i cili ka pohuar në mënyrë të përsëritur idenë që Brexit do të ishte “një shans i madh për Francën”.

Në mënyrë që të përforcojë konceptin e shprehur në memorandumin e dërguar Qeverisë dhe parlamentit të Madhërisë së Saj, Broune thotë se “Franca nuk mund të jetë më e qartë. Institucionet franceze e shohin Britaninë dhe City-n e Londrës si kundërshtarë, jo si partnerë”. Memorandumi sugjeron se vendet e tjera të BE-së do të donin të ruanin marrëdhënie të mira me Britaninë e Madhe në lidhje me Brexit-in, por janë veçanërisht të alarmuar nga sjellja armiqësore e Francës, dhe janë shfaqur të pafuqishëm – ose jo të disponueshëm – për të ndaluar synimet armiqësore të Parisit.

Synime armiqësore që e bëjnë të dukshme, me fillimin e raundit të dytë të bisedimeve për Brexit, se çfarë e pret Londrën në të ardhmen e afërt. Por mbi të gjitha kanë vënë në gjendje alarmi parlamentarët britanikë, të shqetësuar se shërbimet financiare të City-t janë një nga pasuritë kryesore të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar, duke sjellë në arkën e shtetit rreth 66 miliard paund në vit, vetëm prej taksimit të shërbimeve, të cilat përbëjnë pak a shumë gjysmën e shpenzimeve publike në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar. Për këtë arsye, qeveria britanike duhet të jetë e kujdesshme në temën e financave, për shkak se nuk është vetëm një problem humbje vendesh pune dhe shtysë e madhe për ekonominë e Londrës, por edhe një burim i rëndësishëm për të gjithë sistemin financiar në Mbretërinë e Bashkuar.

Saporti denoncon atë që në të vërtetë ishte e dukshme qysh prej ditëve të para të Brexit. Zemërimit të Evropës, në vijim të votës së referendumit që sanksionoi vullnetin e popullit për daljen nga Bashkimi Evropian, tashmë i është shtuar një ndjenjë e re: revanshi. Nëse në fillim BE donte vetëm të ndëshkonte Londrën për këtë lëvizje, tani do që të fitojë. Në këtë kuptim, ardhja në pushtet e Macron-it përfaqëson një të dhënë shumë shqetësuese për qeverinë e May-t, sepse presidenti francez përfaqëson pikërisht atë botë të financës së lartë, që tani gjendet në krye të frontit pro hard-Brexit, pa asnjë mundësi kompromisi. Il Giornale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button