Bota

Britani, fitorja e Korbin i rrikthen laburistët në vitet ’80 të shekullit të shkuar

Screen Shot 2015-09-13 at 18.52.27

Nga Griff Witte

Londër- Xheremi Korbin, për dekada të tëra një rebel i krahut të majtë, që ishte degdisur në periferi të politikës britanike, u zgjodh të shtunën lideri i ri i Partisë Laburiste të Britanisë, me një numër të madh votash.

Partia Laburiste – e cila ka kaluar një shekull duke këmbyer vendet me konservatorët për të qeverisur Britaninë, siç bëri së fundmi 5 vjet më parë – zgjodhi Korbin si udhëheqësin e saj të ri, ndonëse vazhdon që të vuajë pasojat humbjes katastrofike, në zgjedhjet e përgjithshme parlementare të  muajit maj.

Tom Uatson, i cili shihet si një urë të mundshme lidhëse, mes fraksioneve të qendrës dhe të majta të partisë, u zgjodh si numri 2 i laburistëve. Zgjedhja e Korbin, që ndodhi përmes votimit të anëtarësisë së partisë, do të kishte qenë diçka e paimagjinueshme pak muaj më parë. Por Korbin fitoi epërsi në fillim të kësaj vere, dhe e përfundoi garën me fitore kundër 3 sfidantëve të qendrës.

Nuk është e vështirë që të jesh më centrist se Korbin:Pikëpamjet e tij tejet të majta – ai është pro daljes së Britanisë nga NATO, rishtetëzimit të industrive hekurudhore dhe energjetike, si dhe një gjyqi të mundshëm për krime lufte kundër ish-liderit laburist Toni Bler – e kanë vendosur prej kohësh jashtë linjës zyrtare të lidershipit laburist. Megjithatë fitorja e së shtunës, ishte vetëm dëshmia e fundit e një transformimi të jashtëzakonshëm në të majtën politike, që nxitet nga zhgënjimi me palët tradicionale dhe liderët e tyre, pas dështimeve të luftës në Irak dhe Recesionit të Madh ekonomik.

Ky fenomen është shfaqur këtë vit jo vetëm në Britani, por edhe në vendet e tjera të botës perëndimore. Në Greqi, partia e Syriza-s u bë forca e parë radikale e majtë qeveriste në Bashkimin Evropian, duke korrur një fitore rtë thellë në janar të këtij viti. Në Spanjë dhe Irlandë, partitë e krahut të majtë po sfidojnë historinë, duke konkurruar për pasjen e një roli vendimtar në zgjedhjet e mëvonënshme gjatë këtij viti dhe në fillim të ardhshëm.

Në Skoci, nacionalistët rrëzuan nga froni Partinë Laburiste, e cila kishte qenë dominuese për dekada të tëra, duke e përzënë atë forcë politike si shumë të ndrojtur për t’u marrë me ideologjinë e masave të kursimit. Por pikërisht në Shtetet e Bashkuara, rritja e Korbin mund të ketë patur ndikimin më të madh, teksa kandidati demokrat për president Sanders kryeson në sondazhe ndaj Klintonit në Nju Hempshajër, ndërsa është shumë pranë saj edhe në Ajoua.

Ngjashëm me Sanders, Korbin është duke u përpjekur të nxisë revolucionin nga brenda, duke kërkuar të shembë lidershipin ekzistues në parti, të cilin të dy burrat e shohin si shumë komod në raport me biznesin e madh, dhe shumë të prirur ndaj aventurave ushtarake jashtë shtetit. Edhe pse Sanders mbetet një bast i vështirë në sytë e shumicës së komentatorëve politikë, Korbin shihej pikërisht në të njëjtën dritë, deri në turin e gjatë në bazë këtë verë, gjatë së cilës ai elektrizoi turmat nëpër Britani, dhe u shndërua nga një zë i vemtuar në shkretëtirë tek një një favorit.

“Është krejtësisht e habitshme”-shprehet Alesk Kalinikos, profesor i studimeve evropiane në Kolegjin Mbretëror të Londrës. Kalinikos shton se jeton në zonën elektorale të laburistit mjekrosh 66-vjeçar, dhe e njeh atë si një “individ korrekt, modest, dhe që thotë atë që mendon”.

Por si një udhëheqës i njërës nga dy partitë kryesore në vend? Nuk do të kishte kaluar kurrë në mendjen e Kalinikos, po të mos ishte për forcat e gjera që tani luajnë majtas, ashtu si kanë bërë në të djathtë për disa vjet. “Ne po shohim, shfaqjen e lëvizjeve të reja në të majtë, të cilat refuzojnë masat shtrënguese, dhe duan të ripërtërijnë atë që cilësohet si një sistem politik i korruptuar, dhe që nuk reagon”- thotë Kalinikos. “Korbin ka përfituar nga kjo”.

Fitorja e vendos atë si kandidat të Partisë Laburiste për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, në vitin 2020. Por ajo i jep menjëherë një shans javor për të dyluftuar në distancën e gjatësisë së dy shpatave me kryeministrin aktual, Dejvid Kameron, në karnevalet më të pashembullta politike, të njohura zyrtarisht si pyetësori i kryeministrit. Mbështetësit e Korbin e shijojnë këtë mundësi, duke besuar se ajo do të nxjerrë në pah kontrastin e mprehtë midis partisë tradicionale dhe njeriut të punës – laburistit- dhe një qeverie konservatore të drejtuar nga ata që favorizojnë të pasurit.

Korbin, i cili përfaqëson një zonë të shtresës së lartë të veri të Londrës, dhe ka qenë pjesë e parlamentit që nga viti 1983, favorizon politikat shtrënguese që reduktojnë madhësinë e qeverisë dhe mbështet rritjen e taksave për të pasurit apo dhe korporatave. “Ne ndryshojmë politikën në Britani, sfidojmë narrativën se vetëm çështjet individuale kanë rëndësi”-u tha  Korbin mbështetësve të tij në tubimin përfundimtar të enjten të mbrëmje, i veshur në mënyrën jozyrtare me një këmishë të verdhë dhe jakë të hapur.

“Përkundrazi ne themi se e mira e përbashkët, është aspiratë e të gjithëve”. Por teksa do të ndeshet ballë për ballë me Kameron, Korbin do të duhet të ruhet edhe nga pas, duke patur parasysh armiqësinë e disave në partinë laburiste. Toni Bler tha në korrik se ata që me zemër mbështesim Korbin duhet të ”kryejnë një transplant”. Prej atëhere, ish-kryeministri vetëm sa e ka ashpërsuar vetëm qëndrimin e tij, duke shkruar në “The Guardian” se një fitore e Korbin do të ishte vetëvrasje për partinë që Bler e udhëhoqi për 13 vite me rradhë, duke përfshirë edhe një dekadë në “10 Dauning St” si kryeministër.

“Ju lutem të kuptoni rrezikun ku ndodhemi aktlualisht. Partia është duke ecur me sy mbyllur dhe krahë hapur buzë humnerës, gati për t’u rrëzuar. Ky nuk është momenti që të përmbahemi nga kritikat, nga frika se mos kjo shkaktohen ‘përçarje’. Është pikërisht momenti për një reagim energjik, nëse është e mundur”-shkroi ai. Por shpërthimet e Bler, duket se vetëm sa e forcuan vendosmërinë e Korbin dhe mbështetësve të tij, për të shkundur një parti që kishte anuar drejt qendrës me Vizionin e ri Laburist të ish-kryeministrit laburist.

Në shumë aspekte, fluksi që mbështeti të shtunën Korbinin, duket se përbën një rikthim në epokën para Blerit, në një variant të Partisë Laburiste të viteve ’80 të shekulit të shkuar, që qëndronte me fanatizëm tek bindjet e saj të krahut të majtë, por që humbiste në mënyrë të vazhdueshme ndaj Margaret Theçërit.

Thelbi i platformës së Korbin, përfshin rishtetëzimin e sektorëve kryesorë të ekonomisë dhe çarmatimin e njëanshme bërthamore të Britanisë. Këto qëndrime e ndihmuan atë të dallonte nga rivalët e tij më të zakonshem, asnjë prej të cilëve nuk arriti që të preke emocionet e opinionit publik, pavarësisht nga fakti se të dyja, Ivet Kuper dhe Liz Kendall, aspirojnë të bëhen në të ardhmen udhëheqëset e para gra të laburstëve. Një kandidat i katërt, Endi Bërnham, ishte parë si një favorit për të fituar, deri kur Korbin e mundi atë.

Toni Trevërs, shkencëtar politik në “London School of Economics”, thotë se Korbin përfaqëson diçka që votuesit si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, po shohin gjithnjë e më tepër se po zbehet, teksa problemet me të cilat po përballen liderët e botës vetëm sa shumëfishohen. “Është një klithmë kundër kompleksitetit dhe vështirësitë të botës moderne, si dhe një dëshirë për të patur përgjigje të thjeshta”-tha Trevërs. “Ajo që po kërkojnë njerëzit, është një ofertë që nuk vjen nga establishmenti tradicional”.

“The Washington Post” – Bota.al

[real3dflipbook id=”517″]

Leave a Reply

Back to top button