Një zemër fisnike e vlerëson vërtet atë që i japin të tjerët, si dhe atë që bëjnë të tjerët. Një nga pengesat më të mëdha në rritjen e vetes është dhe zilia. Nëse dikush bën diçka më të mirë se sa ne, ne bëhemi ziliqarë, ose bien në depresion. Nëse ne bëjmë diçka më të mirë se sa të tjerët, bëhemi arrogantë, ose egoistë. Këto cilësi krijojnë një gjendje të mjerueshme ndërgjegjieje, sepse nuk mund të gjesh dot paqe, nuk mund të gjesh dot lumturi të vërtetë.
Modesti nuk do të thotë të jesh frikacak. Modestia e vërtetë do të thotë të kesh guxim, të kesh besim jo tek mendimi ynë egoist, nëse jemi më të mirë apo më të keq se të tjerët. Modesti e vërtetë do të thotë të jesh në një marrëdhënie me mirësinë e Zotit. Vetëm kur lidhemi me mirësinë e Zotit, arrijmë të kuptojmë se është një forcë tjetër që neve na jep inteligjencë, aftësi për të përballuar vështirësitë. Vetëm kur lidhemi me mirësinë e Zotit, ne bëhemi të tillë që duam ta shohim edhe tjetrin të jetë sa më mirë, fillon të na pëlqejë të shohim të tjerët të korrin sukses, sepse nuk mund të ketë depresion në një zemër bujare.
Jeta nuk është një çështje humbjesh apo fitoresh, por një çështje të shërbyeri ndaj të tjerëve. Një gjë të tillë e kuptojmë vetëm me një zemër të madhe dhe të gjerë, e cila na ndihmon të shkojmë përtej trilogjisë “Unë, vetja ime dhe gjërat e mia”. Një zemër fisnike bën që të dalim nga kjo trilogji dhe na bën të kuptojmë se ne jemi duke jetuar në mbrojtjen e diçkaje më të madhe, Zotit. Ai do të na ndihmojë ta kapërcejmë depresionin, arrogancën, apo egoizmin. Ne mund të jemi vërtet guximtarë për gjërat e drejta, për ato që na motivojnë dhe na afrojnë me Zotin, si dhe na ndihmojnë të sjellim mirësi në zemrat e të tjerëve. Kjo është bukuria e një zemre fisnike dhe besimtare… / MeB