Analiza

I burgosur prej të kaluarës

Mideast Saudi Arabia Religious PoliceDuhet interpretuar sërish Kurani në dritën e kontekstit aktual dhe të mos cedohet në interpretimet që i përmbahen pikë për pikë, shpesh saudite. Pa këtë, ne do të jemi të dënuar me obskurantizëm, vlerëson studiuesi indian

Mohd Asim*

A duhet të reforfomohet Islami dhe a mund të jetë bërë kjo? Për këto dy pyetje përgjigja është po. Sapo një mizori vrastare kryhet në emër të Islamit, myslimani i zakonshëm ndihet i detyruar të dënojë terroristët, ose spontanisht ndjen nevojën për ta bërë atë.
Myslimanët  theksojnë ndërkohë që besimi i tyre nuk është ai i vrasësve. Po me kohën, në çdo atentat të ri, ky reaksion sado që të jetë autentik, është më pak bindës në sytë e një bote që e sheh sot Islamin si një problem.
Fakti është se Islami ka mbetur i burgosur i të kaluarës.
Ndërkohë që besimet e tjera kanë njohur mjaft herët lëvizjet e tyre për reformë dhe përmirësuesit e tyre të mëdhenj, Islami ka mbetur një besim fetar i shekullit të VII.
Shumica e feve të tjera kanë gjetur ekuilibrin e tyre hyjnor / i përkohshëm, aq mirë sa besimtarët e tyre nuk i konsiderojnë më këto si dy faqe që i kundërvihen njëra-tjetrës, por i shohin si komplementare. Gjithashtu, besimi i tyre është individual dhe nuk i shërben atyre si prizëm nëpërmjet të cilit të shohin botën. Islami, përkundrazi, duhet ende të gjejë ekuilibrin që do t’i lejojë besimtarëve të zgjedhin midis hyjnores dhe të përkohshmes, si edhe të luftojnë për t’i pajtuar ato. 
A duhet që për kaq të dënojmë myslimanin e zakonshëm? A nuk do të kishte të paktën në besimin fetar një “tribalizëm” në fërkim të përjetshëm me atë që e rrethon atë?
Një tekst fetar nuk është as më i miri as më i keqi se sa interpretimet që i bëhen atij. Pra, fatkeqësisht, janë besimtarët më radikalë dhe më të dhunshëm që dëgjohen më tepër. Atëhere sigurisht që është më komode të denoncohet vetë teksti, por kjo nuk do të shpjerë askund, as besimtarët, as denigruesit e tyre.
Teksti është shkruar në një kontekst, në një epokë. Kur ky kontekst ndryshon, leximi dhe interpretimi që ne duhet t’i bëjmë atij është i njëjtë.
Për t’u kthyer në problemin e reformës së Islamit, kujtojmë se një besim fetar i lindur si një revolucion dhe një revoltë kundër një numri të “këqijash” në kohën e tij duhet të mbesë dinamik, për të qenë besnik i thelbit të tij. Atë që shohim ne si kryesor sot, në emër të këtij besimi, mbështetet në një lexim ekstremisht ortodoks dhe të shtrembëruar të teksteve. Ndërkohë që në dy shekujt e parë të ekzistencës, bota myslimane ka shkëlqyer me inovacionet e saj shkencore dhe karakterin e saj modern, duke filluar nga shekulli i XIII mjedisi intelektual është fundosur në ortodoksi. Arsimim, kërkim shkencor dhe inovacion janë bërë fjalë të mëdha.
Tek “The Spirit of Islam” (1891), juristi mysliman [indian] Ameer Ali Syed citon një botues arab: “Arabët do të kishin mundur të ishin një popull i Galileut, i Keplerit dhe i Njutonit. Me denoncimet e tyre të shkencës  dhe të filozofisë, me shpalljet e tyre se asnjë njohuri përveç teologjisë dhe së drejtës nuk vlennin që të fitoheshin, ata kanë bërë aq shumë për të penguar përparimin e botës myslimane, sa asnjë erudit tjetër mysliman. Sot, shembulli i tyre vazhdon të justifikojë injorancën dhe stanjacionin”. Gjendja aktuale e botës myslimane pothuaj e gjitha është provë e mprehtësisë dhe karakterit modern të këtij gjykimi.
Vendet myslimane, disa nga të cilët ndër më të pasurit e botës, sistematikisht vendosen në klasifimet e fundit në drejtim të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, demokracisë dhe inovacionit.
Demokratizimi
Urgjenca është të shpëtohet Kurani dhe filozofia fetare nga kthetrat e ortodoksisë, dhe të njihen ide dhe interpretime në përputhje me modernizimin dhe me shkencën.
Sigurisht, islami sunit nuk zotëron përfaqësues klerikalë aq evidentë sa papa për shëmbull, por marrëveshjet e fshehta kundër natyrës midis shtetit  dh ulemave( teologët) përkthehen në një lexim të Kuranit që të shpie në konkluzione më patriarkale, më antidemokratike dhe më mesjetare.
Duke kërkuar në besimin fetar justifikime për sjelljet e tyre mesjetare, ulemat dhe drejtuesit shpesh deformojnë me rradhë dhe shtrembërojnë   fjalën hyjnore, me qëllim që ajo t’i shkojë për shtat synimeve të tyre politike.
Duhet demokratizuar Islami dhe njohuria e islamit. Nga dinastia saudite e cila përveç naftës, eksporton tribalizmin e saj dhe idetë e saj mesjetare si islam, nuk duhet pritur as ndryshim, as reformë.  Miqtë e tij perëndimorë do të ishte mjaft mirë të bënin ekzaminimin e ndërgjegjes së tyre dhe të pyesin veten, përse ato mbyllin sytë para petro-obskurantizmit saudit.
Arabia Saudite ka bërë më tepër dëm se cilido për tolerancën dhe për prosperitetin e Islamit. Ka ardhur ora për të hedhur poshtë vizionin e saj të Islamit: pa zgjimin e ndërgjegjeve, rinovimi nuk vlen asgjë. Eshtë bërë një  “rrëshqitje sfilitëse në zemër të Islamit”, ka thënë shkrimtari Salman Rushdie. Më lini ta formuloj atë ndryshe: asistojmë në një stanjacion obskurantist në  “qendër” të Islamit (domethënë në botën arabe), që bllokon qarkullimin vital drejt zemrës.
Në universitetin Al-Azhar të Kajros, presidenti egjiptian bëri kohët e fundit një apel për “reformë të Islamit” që u përshëndet në të gjitha anët si një Atatürk i ri, madje si një Martin Luther King mysliman.
Unë mendoj megjithatë që përgjigja nuk është në një përqasje etatiste të reformës. Eshtë nga poshtë që duhet të vijë apeli për reformën, ai duhet të vijë nga burrat dhe gratë që kanë interes në një zgjim të islamit. Ka që prej shumë kohësh tashmë që Islami pret rilindjen e tij. /NDTV New Delhi/

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button