Dhe vjen një ditë kur sheh se gjithçka ka ndryshuar. Kupton se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë nuk është e rëndësishme. Mëson të mos e vrasësh shumë mendjen për fjalët që thonë të tjerët për ty dhe të shqetësohesh për të ndryshuar gjërat që sheh të gabuara tek vetja. Sheh se sa larg ke mbërritur dhe mendon për kohën kur gjithçka të dukej një katrahurë e vërtetë, e cila dukej sikur nuk do të kishte përfundimin që ti kërkoje të arrije.
Dhe duke menduar, fillon të buzëqeshësh ngadalë i/e lumtur. Buzëqesh sepse je i/e lumtur për për personin që je dhe për të cilin ke luftuar me kohë që ta arrish. Buzëqesh se të tjerët dhe mendimet e tyre i ke kaluar në plane, shumë më larg planit ku qëndron ti me mendimet e tua. Buzëqesh se, edhe kur ke arritur majën që prisje të arrije, një dëshirë më e madhe për më shumë sukses të lindte brenda vetes. Ndryshimi në çdo rast ishte se çdo fitore e mëparshme të jepte një formë të veçantë force dhe sigurie që thuajse përbënin gjysmën e punës që duhet të përshkoje drejt plotësimit të dëshirës së radhës.
Buzëqesh se dita-ditës sheh tek vetja një person më të pjekur, për të cilin/en je gjithmonë krenar/e. Buzëqesh se ke kuptuar që jeta nuk ka nevojë për një fytyrë të ngrysur, por për sy që shkëlqejnë nga lumturia. Buzëqesh sepse do t’u tregosh dështimeve, se ti je bregu ku ato fiken. Buzëqesh sepse do t’i tregosh botës që humbjet dhe dështimet e tua i ke plotësisht ti në dorë. Buzëqesh sepse ke kuptuar që forca qëndron tek buzët, jo tek krahët. Buzëqesh sepse je tashmë një pasqyrë ku njerëzit shihen dhe korrigjojnë veten… / Bota.al