Analiza

Saakashvili: Car Vladimiri, Olimpiada dhe ngjarjet e Kievit

Mikheil Saakashvili

putinTeksa Lojërat Olimpike Dimërore kanë nisur në Sochi, një aleat i ngushtë i Rusisë në Ukrainë po shtyp dhe godet protestuesit që kërkojnë demokracinë.
Mund të falesh nëse mendon që ka ardhur ora e triumfit të autokratëve dhe tërheqjes së demokratëve, teksa udhëheqës nga e gjithë bota mblidhen të festojnë sundimin e shkëlqyeshëm të Car Vladimirit.
Por a vërtetojnë realisht Lojërat Olimpike të Sochit se modeli i Putinit, i një autoritarizmi të mbajtur prej parave të naftës është i vetmi që mund të sjellë lumturi dhe prosperitet për Rusinë dhe rajonin?
Ndonëse vendi im, Gjeorgjia, nuk ka pothuajse fare naftë, ajo mund ta ketë celësin e përgjigjes. Gjatë 9 viteve të fundit, Gjeorgjia ka patur një rritje ekonomike më të shpejtë se sa Rusia. 2 vjet më parë, unë nisa lehtësimin e vizave me Rusinë. Që atëherë, më shumë se një milion rusë kanë ardhur të vizitojnë. Këta vizitorë, kryesisht nga klasa e mesme urbane e një vendi më të pasur, kanë ardhur pjesërisht për të admiruar shërbimet dhe infrastrukturën shumë më të mirë të Gjeorgjisë. Zakonisht ndodh e kundërta: njerëz nga vende më të varfër shkojnë tek ata më të pasur për këtë eksperiencë.
Shumë vizitorë rusë e kanë të vështirë ta besojnë që një vend fqinj i vogël, dikur i varfër e i mbytur nga krimi, mund të ndërtojë gjithë këta qytete të rinj, me arkitekturë moderne dhe rrugë të pastra.
Sekreti është i thjeshtë. Gjeorgjia nuk ka naftë, por mund t’u ofrojë qytetarëve të saj dhe botës dicka që Rusia nuk mund ta ofrojë. Ajo renditet e 8-a në raportin e Bankës botërore “Doing Business”, ndërsa Rusia është e 92-ta.
Rusia është e mbytur nga krimi dhe korrupsioni, por Bashkimi Europian e ka gjetur vazhdimisht Gjeorgjinë si vendi më is igurtë dhe me më pak korrupsion në rajon, me një përqindje kriminaliteti shumë herë më të ulët se sa Rusia. Më e rëndësishmja, Gjeorgjia është një demokraci ku pushteti u ndërrua me zgjedhje demokratike në 2012 dhe 2013, ku partia ime humbi.
Nëse doni të kuptoni dallimin mes sistemit të Putinit dhe një demokracie të hapur, mjafton të krahasoni dy rajonet në brigjet e Detit të Zi e që janë shumë pranë Sochit: Abkazia dhe Adjaria.
Abkazia, që ndodhet brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Gjeorgjisë, është vetëm disa kilometra larg Sochit. Kur Rusia hidhte kandidaturën për të organizuar Olimpiadën Dimërore, ajo kish mbështetjen entuziaste të Gjeorgjisë, pasi ne besonim se zhvillimi i Lojërave në Sochi do të rriste shanset për paqe dhe përmirësonte marrëdhëniet. Por, vetëm pak muaj pasi Kremlini e fitoi garën, Rusia pushtoi Gjeorgjinë.
Kremlini dërgoi një numër të madh trupash dhe e shndërroi kontrollin e mëparshëm de facto të rajonit në një pushtim të paligjshëm ushtarak. Që atëherë, rusët kanë ngritur gardhe me tela me gjemba mes Abkazisë dhe pjesës tjetër të Gjeorgjisë.
Kryeqytetiu i Abkazisë, Sukumi, është gjysma në rrënoja. Të vetmet ndërtime të dukshëm janë në bazat ushtarake ruse. Më shumë se 70 përqind e popullsisë abkaziane të paraluftës është dëbuar dhe vendi është sot i shkretë dhe i zymtë.
Adjaria, një tjetër rajon gjeorgjian, është vetëm disa kilometra në jug të Abkazisë. Në 2004, ne arritëm ta shkëpusim nga kontrolli i Putinit dhe njerëzve të tij. Që atëherë, miliarda dollarë investime të huaja e kanë transformuar aq sa mezi njihet.
Dikur e prapambetur dhe e pashpresë, ajo ka sot më shumë hotele luksozë se sa Sochi dhe atmosfera është shumë më e relaksuar e më e sigurtë. Numri i turistëve është dhjetëfishuar dhe popullsia e kryeqytetit, Batumi, është dyfishuar.
Pavarësisht gjithë parave të hedhura në Sochi, rezultatet janë shumë më të vegjël nga sa mund të pritej. Kjo, sepse në shekullin e 21, për të patur sukses duhet shumë më tepër se sa modeli i Putinit.
Ndërtimi i fshatrave të Potemkinit nuk do të kthejë ndikimin e Rusisë në rajon apo të ketë ndonjë impakt pozitiv në fqinjësinë e saj. Vetëm reformat e vërteta, modernizimi dhe një shoqëri e hapur mund ta arrijnë këtë. Nëse Rusia zgjedh atë rrugë, të gjithë fqinjët do të nxitojnë ta mbështesin. Po kështu, Olimpiada Dimërore nuk do të zbusë shumë prej plagëve historike të rajonit, as nuk do të sjellë paqe, sic duhej të ndodhte. Lojërat janë një ngjarje propagandistike që një herë ndodh. Balerinat e akullit nuk mund të fshijnë plagët e vërteta të atyre që rrijnë e pastrojnë pasi mbaron festa.
Lojërat po zhvillohen aty ku ka ndodhur një gjenocid i shekullit 19, ku pothuajse të gjithë Kirkasianët, banorët origjinalë të zonës së Sochit, u vranë metodikisht apo u dëbuan në Turqi. Kjo plagë është mbajtur hapur për shkak të qasjes aktuale të Putinit ndaj Kirkasianëve që kanë mbetur në rajon, si dhe sjelljes së tij me popujt e tjerë të Kaukazit verior. Udhëheqësit e Rusisë vazhdimisht refuzojnë të trajtojnë popujt e Cecenisë, Dagestanit, Ingushetisë dhe Kabardino-Balkarisë si qytetarë të barabartë. Kremlini i konsideron vendlindjet e tyre si koloni ku duhet të blejë elitën dhe të shtypë pjesën tjetër të popullsisë.
Kjo qasje u shfaq hapur në muajt e fundit kur forcat ruse të sigurisë rritën numrin e arrestimeve në masë të të rinjve si dhe morën mostra pështyme nga gratë myslimane, për arsye se qeveria besonte që një grua nga Dagestani ishte përgjegjëse për një atentat me bombë që vrau 16 vetë. Një qasje e tillë kolonialiste vetëm sa e antagonizon dhe radikalizon popullsinë, duke hedhur në erë përpjekjet e Rusisë për të ruajtur kontrollin në rajon.
Putini gjithashtu gabohet kur mendon se Lojërat Olimpike do të forcojnë pushtetin e tij. Herën e fundit që Rusia organizoi Lojërat ishte viti 1980. Olimpiada e atij viti ishte menduar të ishte triumfi i udhëheqjes sovjetike dhe një demonstrim i superioritetit të sistemit të tyre.
Fatkeqësisht për ta, menjëherë sapo përfunduan Lojërat, u përkeqësua trazira që më tej coi në shembjen e komunizmit sovjetik. Ka disa ngjashmëri mbresëlënëse me Sochin që, ashtu si Moska, u shndërrua në një lloj vitrine të sistemit. Regjimi sovjetik nuk i lejoi jo-moskovitët që të hyjnë në qytet, ashtu sikurse njerëzit në rajon nuk po lejohen sot të hyjnë në Sochi.
Putini e ka quajtur dikur shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, si katastrofën më të madhe të shekullit 20, e megjithatë duket se ai nuk e rrok dot me mendjen e tij përse ajo ndodhi. Ashtu si Putini sot, udhëheqësit sovjetikë atëherë neglizhuan nevojën për modernizim, duke vënë bast tek rritja e cmimeve të energjisë.
Pas vitit 1980, rënia e cmimeve të naftës dhe ndryshimet në teknologji sollën shkrirjen e BS. Sot Rusia ndodhet në prag të recesionit, pavarësisht bumit të naftës. Më gjerësisht, ka një kontradiktë të madhe mes përpjekjes së Putinit për të shtrënguar vidat dhe rikthyer të kaluarën, si dhe ëndrrave të njerëzve në Rusi dhe përreth saj për një të ardhme më të mirë. Si rezultat, fati i Putinit mund të vendoset më shumë në rrugët e ftohta të Kievit, se sa në pistat e buta të Sochit.
MIKHEIL SAAKASHVILI ka qenë president i Gjeorgjisë

Leave a Reply

Back to top button