Magazine

Carl Gustav Jung: 10 thënie të shkëlqyera për t’u dashuruar me jetën

Carl Gustav Jung ishte një psikiatër zviceran, dhe konsiderohet si “babai” i psikologjisë analitike. Librat, mendimet dhe teoritë e tij e revolucionarizuan mënyrën e qasjes ndaj psikologjisë dhe jetës në përgjithësi.

  1. Shikimi juaj do të bëhet i qartë vetëm kur të shikoni në zemrën tuaj. Kush sheh

jashtë saj ëndërron. Kush sheh brenda saj hap sytë.

Jung na fton të ndërgjegjësohemi mbi atë që po ndodh brenda nesh. Ai na këshillon të mos harxhojmë energji të çmuar duke i kushtuar vëmendje të jashtmes, por të zhytemi në brendësinë tonë. Prandaj mund të pyesim veten se çfarë provokon tek ne ajo ngjarje, nga vjen zemërimi që ndiejmë, çfarë po na komunikon Universi me të gjitha manifestimet e tij.

  1. Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, por ajo që kam zgjedhur të jem.

Kjo thënie e përmbys të gjithë mendimin psikologjik frojdian, që e konsideron të kaluarën si bazën kryesore të gjithë sjelljes njerëzore. Përkundrazi Jung na fton ta lëmë pas të kaluarën, të mos e lidhim veten me atë që ka qenë. Ai na këshillon të jemi të lirë për të qenë ashtu si duam. Është një ftesë për përgjegjësi individuale, për ta parë jetën me një vështrim ndryshe, më të gjerë, të lirë nga zinxhirët dhe teoritë që në vend se të na ndihmojnë të përmbushim veten, na paralizojnë.

  1. Bëhu i vetëdijshme për të pavetëdijshmen, përndryshe kjo e fundit do të udhëheqë jetën tuaj dhe ju do ta quani fat.

Është sërish një ftesë për të parë thellë brenda vetes, për të kuptuar atë, për të treguar mbrojtjet tona por edhe pikat tona të dobëta. Vetëm duke u njohur mirë me njëri-tjetrin mund ta shohim njëri-tjetrin “nga jashtë”, të jemi “vëzhgues” të vëmendshëm të jetës sonë, të jemi në gjendje të bllokojmë mendimet dhe sjelljet që mund të na dëmtojnë.

  1. Udhëtimi më i vështirë i një njeriu, është ai që e çon atë brenda vetes për të zbuluar se kush është në të vërtetë.

Duke iu rikthyer thënies së mëparshme, Jung i mbështet të gjitha mendimet e tij tek rëndësia e shikimit në thellësitë e vetes, për të qenë në gjendje të gjejmë qoshet më të largëta të brendësisë sonë dhe t’i nxjerrim ato në mënyrë që të mund t’i shohim, prekim dhe përjetojmë. Sot udhëtojmë shumë, por udhëtimi i brendshëm është ai që ndërmerret më pak.

  1. Çdo takim që keni është një takim me veten tuaj. Pak njerëz duket se e vënë re se të tjerët janë ata.

Sipas mendimit Jungian, të tjerët janë një pasqyrë e vetes sonë, dhe takimet që kemi në jetën tonë të përditshme, na shërbejnë për të zgjuar pjesët tona të fjetura ose të refuzuara, apo edhe cilësi që presin të përhapen në mbarë botën falë takimeve shpirtërore.

  1. Depresioni është një zonjë e veshur me të zeza, e cila duhet të ulet në tryezën e saj dhe të dëgjohet për atë që ka për të thënë

Depresioni dhe të gjitha manifestimet e tjera të shpirtit njerëzor, nuk janë për Jungun “sëmundje”, por “lajmëtarë” të aftë për të na sjellë mësime të mëdha. Në një shoqëri që synon të heqë simptomat, të jesh në gjendje të përfshihesh në një dialog të brendshëm me to është një akt revolucionar. Dhe për të pasur këtë dialog, është thelbësore të shoqërohemi nga një profesionist i cili mund të na ndihmojë të shohim kodet e simptomave që na dallojnë.

  1. Mos u kapni pas dikujt që po ikën, sepse do ta keni të pamundur të takoheni me atë që do të mbërrijë.

Edhe në këtë rast Jung e kthen me kokë poshtë mendimin perëndimor. Ai na fton jo vetëm të mos mbajmë kokën tek dera që është mbyllur, por ta konsiderojmë atë si një mundësi për “hapësirë ​​të brendshme” që lejon mbërritjen e diçkaje apo dikujt, që nuk mund të mbërrinte më parë, sepse ajo hapësirë ​​tashmë ishte e zënë nga diçka tjetër.

  1. Në rast se jeni një person i talentuar, kjo s’do të thotë se keni fituar ndonjë gjë, por se keni diçka për të ofruar.

Të gjithë kemi një dhunti vetjake që e zbulojmë në këtë jetë. Pasi e zbulojmë, bëhemi të ndërgjegjshëm, dhe na bëhet thirrje që ta vëmë atë në shërbim të botës për të krijuar lëvizje, ndryshim, dhe ripërtëritje të energjisë jetike. Nëse presim me kokëfortësi që të na jenë mirënjohës për atë dhunti, apo nuk besojmë sa duhet tek ajo dhe nuk e ushtrojmë atë, rrezikojmë të humbasim një mundësi të rëndësishme për pasurim, për veten dhe për botën.

  1. Njeriu nuk ndriçohet duke përfytyruar figura drite, por duke u bërë i vetëdijshëm për errësirën.

Sërish Jung na fton të fokusohemi tek vetja dhe të mirëpresim gjithçka që gjejmë. Jo vetëm ajo që na gëzon, por mbi të gjitha edhe tek ajo që na bën të ndihemi keq. Të qenit në gjendje për të parë, prekur dhe përqafuar tërësinë e vetvetes, krijon mundësinë e të kuptuarit të vetes tonë origjinale. Në thellësitë tona më të errëta gjenden thesaret më të pabesueshme.

  1. Tek secili prej nesh ekziston një qenie tjetër që nuk e njohim. Ai na flet përmes ëndrrave, dhe na bën të kuptojmë se i sheh gjërat shumë ndryshe nga ajo që ne mendojmë se jemi.

Këtu mund të kuptojmë fuqinë e pamasë të ëndrrave sipas mendimit jungian. Ëndrra është gjuha e shpirtit tonë. Ajo përmban simbole, imazhe, histori që mund të tregojnë më shumë sesa mendja jonë. Ai na fton t’i kushtojmë vëmendje asaj që ndodh gjatë netëve, jo aq për të interpretuar ëndrrën, por më shumë për të ndjerë atë që na zgjon. / eticamente – bota.al

Back to top button