Magazine

Çdo dekadë ka qenë e bukur. Por si vitet nëntëdhjetë…

bota.al

Ndoshta është thjesht nostalgji, dhe për këtë arsye duhet injoruar si konstatim.

Por ndoshta është e vërtetë. 

Për rininë e Amerikës dhe mbarë botës ishte dekada e “Smells like teen spirit” që bëri revolucion. 

E ndërkohë që që prisnim shumë pak kohë që vala e saj të mbërrinte tek ne, për shpirtin e adoleshentëve dhe të rinjve shqiptarë menduan Elton Deda me “Na lini të jetojmë”, Ritfolk, “Djemtë e Detit”, më tutje “Thunder Way” dhe të tjerët.

Ishte dekada kur drita nuk kishim dhe përpiqeshim t’i merrnim maksimumin baterive të walkman-it.

Ishte koha kur muzika kishte tekst, teksti kishte fjalë dhe fjalët mbushnin shpirtëra të etur.

Ishte koha kur gazeta e revista ishin po aq të shumëllojshme, sa janë sot faqet e instagramit dedikuar vip-ave dhe rrip-ave. Vetëm se gazetat ishin të lexueshme, penat që shkruanin të admirueshme. 

Një kohë kur problemin e mungesës së kinemave në këtë qytet na e zgjidhte mungesa e rregullave për të drejtat e autorit, bashkë me videotekat 10 metra katrorëshe në qoshet e lagjeve, ku merrnim me qera “Pulp Fiction, “Dangerous Minds” dhe “Titanikun”.

Një kohë kur jehona e thirrjes “ku po shkon?” nga ballkoni i shtëpisë, zëvendësohej shpejt me tingujt e “Where do you go” të “No Mercy”, në një nga diskot e këtij qyteti, ku goca e çuna bënin një rreth nën vezullimin e atyre sferave shumëngjyrëshe të varura në tavane. bota.al

Tipari më dallues i dekadës së viteve nëntëdhjetë në Shqipërinë tonë ishin kontradiktat e mëdha!

Sepse vitet nëntëdhjetë ishin dekada e errësirës fizike të dritave, por edhe e një ndriçimi shpirtëror që mund ta shpjegojë vetëm etja e panginjshme për dije, për liri, për perëndim, për të qenë jo thjeshtë Evropë, por më shumë, Amerikë!

Dekada kur qoftë edhe për inerci, shkolla mbeti shkollë, një lloj kështjelle me mure të forta për dijen, e parrëzueshme as prej gjyleve të ngjarjeve dramatike që si tërmete të njëpasnjëshme, na tundën e na shkundën, me greva, protesta, luftë civile, vrasje, sharje, ndarje.

Drama dhe tragjedi që ecnin bashkë me një zhvillim marramendës, por që e pranonim, njësoj siç pranohet marramendja dhe gëlltitet frika duke ulëritur me sa ke në kokë, kur hipën në karuselët e rrezikshëm në parqet e lojërave ekstreme.

Mund të jetë nostalgji, e zakonshme për kohëra që nuk vijnë më. bota.al

Dhe çdo kohë ka shenjën e vet për të lënë mbi njerëzit, sepse e vetmja e vërtetë e pandryshueshme për këtë botë është ndryshimi.

Por kush di ta shpjegojë përse çdo gjë që ekziston sot, teknologjia, komunikimi, lëvizja e lirë, revolucioni i internetit, smartphone në xhepin e pantallonave, televizori smart me një mijë kanale televizive, Netflixi, Scooteri, kanë mbetur thjesht dhe vetëm mbushës materialë? / BOTA.AL

Back to top button