Presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA-së, po shkon drejt fund të mandatit. Ai nuk qe në gjendje të krijonte Amerikën e re që ëndërronte. Sepse ngjarjet e detyruan atë të luajë në mbrojtje
Nga Mattia Ferraresi
Nju Jork – Historia të jep rrallë privilegjin e një kundërprove, dhe për udhëheqësit që qeverisin në kohë krize, pamundësia për t’u vlerësuar në mënyrë të drejtë është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, liderët nuk kanë rezultate të jashtëzakonshme, për t’i treguar si provë të suksesit të tyre të madh; nga ana tjetër mund të thonë, pa patur frikë se kundërshtohen, se pa iniciativën e tyre vendi do të përfundonte në greminë.
Përkrahësit e Barak Obamës, që po shkon gradualisht drejt momentit delikat të bilancit dhe vlerësimeve, insistojnë tek strategjia e dytë. “Ndryshimi” që premtoi gati 8 vjet më parë, nuk u materializua në format e tij më revolucionare dhe shpresëplota, por “historia do të thotë se na shpëtoi nga një Depresioni i i dytë i Madh”, tha kreu i këshillit ekonomik të presidentit, Xhejzon Furman, duke vënë theksin tek përmirësimet në terma relative, dhe kapacitetin stabilizues të një presidenti, që është detyruar nga ngjarjet të luajë kryesisht në mbrojtje.
Presidenti i parë zezak, të cilit paraprakisht iu dha Çmimin Nobel për Paqe, duhej të formësonte një Amerikë të re, e gjeti veten duke shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Nuk është pak, thonë mbështetësit e tij. Ky segment i historisë, i përbërë nga lufta jokonvencionale dhe ‘lopë’ të dobëta, nuk i lejonte më shumë.
Historiani, i cili përpiqet të parashikojë gjykimin e brezave mbi ngjarje apo persona, është si njeriu që përpiqet të shohë trupin e vet duke mbajtur hundën e shypur kundër pasqyrës, ka thënë historiani Arnold Tojnbi. Por në vend se të tentohet një parashikim i guximshëm, mund të provohet të përshkruhen karakteristikat e Amerikës, pas 8 viteve të Obamës.
Çfarë vendi do t’i lërë presidenti aktual pasuesit të tij? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet përdorur pyetja që Ronald Reagani iu drejtonte votuesve, gjatë fushatës kundër Xhimi Karterit: “A jeni më mirë sesa 4 vjet më parë?”. Amerika e krisjes së madhe financiare dhe e krizës si një dimension i ekzistencës, pas kurave të Obamës e gjen veten më të pasur, më pak të papunë, dhe me një rritje ekonomike shumë më të më shpejtë, sesa ajo e Evropës.
Kjo falë injektimit të likuiditetit të aplikuar nga Bushi dhe Obama, dhe më pas i mbështetur me entuziasëm nga masat e jashtëzakonshme të Rezervës Federale të Ben Bernankes. Është një vend që ka statistikat e një superfuqie elastike, që është në gjendje të përballojë çdo krizë, dhe me një rendiment të shkëlqyeshëm sa i përket inovacionit. ‘Silicon Valley’ nuk prodhon vetëm pasuri teknologjike, por përfaqëson aftësinë e Amerikës për t’i dhënë formë imagjinatës globale, për të ndikuar botën me idetë, produktet dhe stilin e jetës së saj.
Shkalla e papunësisë në nivelin 5 përqind (më shumë se e përgjysmuar nën administratën Obama) është e shoqëruar me të ardhura për frymë që i tejkalojnë 55.000 dollarë në vit, krahasuar me 47.000 dollarë në vitin 2009. Të dhëna pozitive, që megjithatë duhen marrë me rezerva. Norma reale e papunësisë – e cila llogarit si të papunë edhe ata që të dekurajohen nga situata e tregut, ndalojnë së kërkuari për punë – është 10 përqind, dhe pjesëmarrja e fuqisë punëtore nuk ka qenë kurrë kaq e ulët, në 38 vitet e fundit.
Kjo do të thotë se statistika për të papunët është pozitive, sepse fasha e atyre që e kërkojnë një punë është reduktuar në mënyrë drastike. Dhe kjo është historia e “Amerika tjetër”, për të përdorur titullin e një studimi të famshëm mbi varfërinë, të publikuar nga Majkëll Herrington në vitin 1962.
Amerika tjetër e epokës Obama, është ajo që gjendet mes një hendeku të madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Sot, 1 përqind e amerkanëve më të pasur, kontrollojnë 23 përqind të pasurisë, ndërsa në vitin 2009 kjo normë ishte 18 për qind.
Obama nisi një kryqëzatë politike kundër pabarazisë, denoncoi “macet e shëndosha” të Uoll Stritit, që e kanë helmuar Amerikën me financat e tyre toksike. Por në fund bankat paguan miliarda dollarë gjoba, pranuan rregulloret e reja, dhe fuqia e tyre financiare nuk u prek. Nga e majta kritikohet Erik Holderi, Prokurori i Përgjithshëm dhe një nga shtyllat kryesore të doktrinës së Obamës, se është shumë tolerant me bankierët.
Kjo është Amerika më e taksuar dhe më pak miqësore me biznesin, sesa ishte tetë vjet më parë, vendi ku shtresa e mesme po bëhet gjithnjë e më e varfër dhe se me të po asfiksohet ëndrra amerikane, premtimi i punës së vështirë që shpërblehet nga një bollëk material. Ndaj nuk është e çuditshme, që spektri politik po përshkohet nga impulset populiste, nga socializmi i Berni Sandersit tek thagmat ulëritëse të Donald Trampit, ndërsa më parë ka qënë sezoni i ‘Tea Party’ dhe ‘Occupy Wall Street’.
Ndërkaq lidershipi zyrtar ringroh supërat elektorale dhe vendos etiketat me emrat e zakonshëm. Historia e Amerikës tjetër, përmban gjithashtu narrativën e vendit afro-amerikan të tronditur nga dhuna, nga Fergusoni në Baltimorë dhe në dhjetëra qytete dhe periferi. Plaga është e njohur për publikun dhe për institucionet, por më pak të njohura janë vuajtjet ekonomike të Amerikës së zezë, e cila është më e varfër në terma absolutë në raport me të bardhët.
Paga mesatare e një familje afro-amerikane ka rënë me një të pestën qëkur Obama u bë president, në kontrast me mesataren. “Të bardhët jetojnë pak më mirë, zezakët janë shumë më keq”,-tha Ben Jealous, president i shoqatës më të rëndësishme afro-amerikane në SHBA, NAACP. Pavarësisht reagimeve rreth vrasjeve tragjike të zezakëve të pafajshëm, një prej të dhënave të pakta pozitive të vendit ka të bëjë me rënien e krimeve të dhunshme. Që nga viti 2008, numri i vrasjeve ka rënë me 25 përqind, sipas të dhënave të Qendrës për Parandalimin e Krimit, ndërkohë që është 3-fishuar numri i amerikanëve që zotërojnë armë.
Ai, që në nivel shoqëror, ka shënuar përparimin më të rëndësishëm është komuniteti homoseksual, që nën presidencën Obama korri frutet e një beteje dhjetëra-vjeçare, me miratimin e martesës në nivel federal, të mbrojtur nën çatinë e sigurtë të Kushtetutës. Dhe të mendosh që presidenti Obama për të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, thoshte se martesa ishte bashkimi vetëm i një burri dhe një gruaje.
Obama kishte premtuar daljen nga dy luftërat që i kishte lënë si trashëgimi Xhorxh W. Bushi, duke e lënë Amerikën përballë një fronti teknkisht ende të hapur në Afganistan, ndërsa ai i Irakut u mbyll me nxitim. Dera mbeti paksa e hapur, dhe u rihap plotësisht nga El-Bagdadi. Me aftësinë e tij të paparë të depërtimit, Shteti Islamik ka ringjallur fantazmat e terrorit, në një vend të lodhur nga kortezhet e panumurta të arkivoleve, të mbështjellë me flamurin me yje dhe vija.
Dhe përballë këtij kërcënimi, Obama bëri një hap prapa, duke e hedhur poshtë rolin e Amerikës si një polic botëror. Presidenti do të lërë një vend më pragmatik dhe llogaritës, një botë multilaterale pas shumë viteve të një unilateralizmi muskulor, një komb që reshtohet në anën e drejtë të historisë, siç e pëlqen ta përcaktojë veten, por që nuk ka ndërmend që të vërë duar mbi timon.
Përkundrazi, jep udhëzime “nga prapa”, nga ndenjësja e pasme, duke lejuar të ndodhin masakra si ajo në Siri – 250.000 të vdekur – apo përmbysur diktatorë si Gedafi. Ajo ka pak fjalë, gjykon rast pas rasti, dhe ndërkohë i bombardon në një shkallë të paparë me dronët e fshehtë të CIA-s, të cilat janë jo vetëm simbol i progresit teknologjik të armëve, por një mënyrë e të kuptuarit të sigurisë globale.
Vrasja heroike e Osama bin Ladenit, mishëron një mënyrë të vepruari, frazën e famshme se “ne nuk kemi ende një strategji”, dobësinë e një kuadri të përsosur. Është një vend i përqëndruar në “ndërtimin e kombit në shtëpi”, në vend të eksportimit të demokracisë, dhe prania e xhihadit në tokën amerikane (siç e tregoi masakra e San Bernardinos), tregon se në këtë pikë, shqetësimi i parë është të mos importohet Kalifati.
Obama e ka përdorur gjerësisht arkitekturën legale, të ngritur nga paraardhësi i tij në operacionet kundër terrorizmit. Dhe asnjëherë nuk ka treguar ndonjë pasion të veçantë për Xhulian Asanzhin, Eduard Snoudenin dhe të tjerët, që zbuluan morinë e programeve të survejimit nga ana e shërbimeve sekrete. Ai duhej të mbyllte burgun e Guantanamos, siç kishte premtuar, me një urdhër ekzekutiv që në ditën e parë të presidencës, por iu desh që të hiqte dorë, përballë fakteve në terren.
Përkrahësit e pranojnë mosmbajtjen e këtij premtimi, por do thonë se ndonjë tjetër në vend të tij do kishte vepruar më keq, as nuk do të ishte përpjekur, ose do të hapte një burg tjetër. Kundërprova nuk ekziston, ndaj duhet ecur në mirëbesim. Ajo që ka premtuar dhe pjesërisht e ka mbajtur, është shtrirja e dorës ndaj botës islame.
Marrëveshja bërthamore me Iranin, është projektuar të vendosë në histori emrin e Obamës, në mesin e atyre të paqebërësve të mëdhenj të qytetërimeve të imagjinuara në konflikte të përjetshme, dhe e njëjta logjikë duket se vlen edhe për shkrirjen e akujve me Kubën. Marrëveshje historike, sikurse e thotë edhe vetë. Por ndonjë dinak mund të pyesë veten, se në cilën anë të historisë janë nënshkruar ato./ “Panorama.it”
Në shqip nga Bota.al